Njerez

Modric, nga lufta tek Real Madrid: Jetonim në 20 metra katrorë, bombat na binin afër

Luka Modric flet pa frena gjatë intervistës për El Partidazo de Cope. Mesfushori i Real Madrid është ndalur në disa aspekte të jetës së tij, private e jo. Mes fëmijërisë së shënjuar nga lufta e nga humbja e gjyshit, deri tek momentet më të lumtura të lidhur me topin që e çuan në firmën, aq të ëndërruar, me klubin blancos.

Rrëfimi i kroatit nis nga idea për të shkruar një libër, e nga dëshira për të treguar për veten: “E kisha këtë dëshirë. Jam i ndrojtur por doja të hapesha pak me njerëzit. Doja të tregoja jetën time, fëmijërinë time, futbollin e jo vetëm”, ka thënë Modric që pikërisht për fëmijërinë e vështirë për shkak të luftës në Kroaci zbulon: “Isha shumë i lidhur me gjyshin tim. Kur e vranë ishte një moment shumë i vështirë. Isha i vogël e nuk i kuptoja akoma disa gjëra. Nuk e kuptoja pse po ndodhte e gjitha kjo. Shkuam ta kërkonim por nuk e dinim se nuk do të kthehej më. Shpresoj ta ketë parë nga lart sa bëmë e shpresuam”. “Kur vdiq, unë e familja ime shkuam në Zara. Jetonim në një dhomë hoteli 20 metra katror. Ishim 4 persona. Isha 6 vjeç e isha me prindërit e motrën. Sidoqoftë nuk kam kujtime të këqija nga ai moment. Para hotelit ishte një shesh ku luanim futboll”. “Shpesh bombat na binin afër. Besoj rreth 100 metra distancë. Na duhej të vraponim të futeshim në bunker para se të ktheheshim të stërviteshim ose të futeshin në shtëpi. Sigurisht që isha i frikësuar, sepse gjithnjë prisja më të keqen, por pastaj ktheheshim përsëri të luanim”.

E pikërisht për botën e topit e karrierën e tij, Modric ka shtuar: “Ndonjëherë imazhi i lojtarit më bezdis. Shumë mendojnë vetëm për gjërat e bukura të këtij profesioni, por gjërat nuk bien nga qielli. Duhet të stërvitesh, të jesh i kujdesshëm. Nuk mund të bësh disa gjëra, duhet të kujdesesh për trupin tënd. Fillimet? Ndoshta kisha talent, isha i zoti. Duhet vetëm të gjeja pozicionin tim”. Suksesi nisi me Tottenham dhe më pas duke veshur fanellën e Real Madrid: “Mourinho ishte vendimtar për transferimin te Real. Sa keq që qëndrova me të vetëm një vit. Kur Real Madrid më thirri, nuk mund të thosha jo. Kisha oferta të tjera, por nëse Real tw thërret, të tjerët zhduken. Zidane? Një legjendë. Ajo që kemi bërë së bashku është diçka e papërsëritshme ”.

Dhe për të ardhmen: “Unë dua të vazhdoj te Real Madrid dhe mbase ta përfundoj karrierën time këtu. Sigurisht, unë kurrë nuk dua të bëhem barrë për klubin, por shpresoj të qëndroj këtu deri në fund. Edhe pasi të pushoj së luajturi futboll do të doja të jetoja në Madrid. Familja ime ndihet mirë këtu dhe të paktën derisa fëmijët të mbarojnë shkollën unë do të doja të qëndroja ”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë