Politike

Modeli i fletës së votimit, Duka: Zgjedhjet po cenohen pa filluar

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në diskutim për modelin e fletëve të votimit, duke prezantuar për partitë 5 modele të ndryshme.

Nuk është marrë ende një vendim përfundimtar, por një prej aleatëve të Lulzim Bashës, kryetari i PAA-së, Agron Duka  nënvizoi se standardet e zgjedhjeve po cenohen rëndë ende pa filluar.

“Zëvendësimi i emrave me numra humb sensin e listave të hapura, ndërsa heqja e siglave humb sensin e koalicionit. Koalicionet nënkuptojnë bashkim të disa partive dhe kandidatëve të tyre lehtësisht të dallueshme për çdo votues.

Vota e lirë dhe e ndershme është thelbi i demokracisë dhe fuqia e ndryshimeve.  Jo fleta votimi pa logo të partive pjesë e koalicioneve dhe pa emra të kandidatëve.

Standardet e demokracisë dhe zgjedhjet në Shqipëri po cenohen rëndë.

Listat nuk u hapën, koalicionet u kufizuan, fletët e votimit do të krijojnë vështirësi, paqartësi dhe konfuzion të qëllimshëm të votuesve që të përzgjedhin lehtësisht partinë dhe deputetin që duan të mbështesin me votën e tyre të lirë”, tha Duka.

Sipas tij, gjithë reforma zgjedhore dhe elementët teknik të saj e kanë minimizuar konkurrencën politike dhe rrezikojnë “të ulin pjesëmarrjen në votime dhe të deformojnë votën për të ruajtur dhe rritur pushtetin absolut të pak individëve”.

“PAA kërkon që listat e votimit të jenë sa më të qarta, të thjeshta dhe sa më të lehta për çdo votues. Kjo arrihet kur në fletën e votimit gjendet lehtësisht logoja e çdo partie, pjesë e koalicioneve  dhe emri i çdo kandidati të tyre”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë