Mendim

Mjelma e Zezë- Biznesi i vogël dhe i mesëm në Shqipëri do t’ia dalë i vetëm

Në vitin 2008, filozofi Nassim Taleb përdori termin “mjelmë e zezë” për të përshkruar një ngjarje të papritur me ndikim të madh në shoqëri dhe në ekonomi. Koronavirusi është, pa dyshim, mjelma e zezë e vitit 2020.

Data 27 qershor është dita botërore e NVM-eve (Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme), si mirënjohje për punën që bëjnë dhe ndikimin e madh që kanë në ekonomitë lokale dhe globale. Këto shoqëri janë 90% e totalit të gjithë shoqërive, gjenerojnë 60 deri në 70% të punësimit dhe janë përgjegjës për 50% të Produktit të Brendshëm Bruto në nivel botëror, ato janë motori i ekonomisë botërore.

Edhe në Shqipëri në bazë të të dhënave të INSTAT është po e njëjta pamje.

Pra, nisur nga këto të dhëna, vëmendja e qeverisë duhet të jetë te këto entitete sepse, pa asnjë dyshim, NVM-të do të jenë mes segmentëve më të prekur nga pandemia. Nga ana tjetër, këto kompani kanë një rol kryesor në sigurimin e produkteve dhe shërbimeve thelbësore për popullatën gjatë krizës.
Ndikimet kryesore te NVM-të kanë të bëjnë me një ulje të kërkesës (kombëtare dhe ndërkombëtare), për rrjedhojë, ulje edhe në të ardhurat e tyre, ulje drastike ose mungesë të punës, qasje të vështirë në financime, etj. Këto ndikime ndryshojnë sipas sektorit.

Në Europë dhe Azi, qeveritë kanë miratuar një seri dispozitash për ndihma ekonomike që kanë të bëjnë kryesisht me shtyrjen e pagesave së taksave dhe kredive, rritjen e garancive për kredi, dhënien e kredive të buta dhe subvencioneve, etj. Japonia ka lënë mënjanë një fond prej 15 miliardë dollarë amerikanë, Franca do të ndajë 2 miliardë euro në një fond solidariteti për NVM-të e prekura në kuadrin e një plani më të gjerë, Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar për një fond të paktën 250 miliardë dollarë për NVM-të, si pjesë e një pakete stimulimi ekonomik. Në disa vende të Amerikës Jugore, ka masa të ngjashme dhe përqendrohen në krijimin e moratoriumeve tatimore, ulje të përkohshme të kontributeve në sistemet e pensioneve, linja të buta krediti për NVM-të, si dhe rinegocime ose shtyrje të kushteve të borxhit.
Të gjitha këto masa ekonomike të shkallës së parë kanë për qëllim të përmirësojnë gjendjen financiare të NVM-ve dhe startup-eve në një afat të shkurtër dhe të mesëm, në mënyrë që tronditja të zbutet dhe pasojat negative të tilla si humbja e vendeve të punës ose dalja nga tregu të mund të zvogëlohen.

Shtete të ndryshme kanë sjellje të ndryshme kundrejt NVM-ve, si moratorium për një periudhë 6-mujore në pagesën e taksave (në Shqipëri bizneseve të vogla iu kërkohen taksat vendore), shtyrjen me 6 muaj pagesat e sigurimeve shoqërore (në Shqipëri ofrohet kredia sovrane për pagesën e pagave por dhe të sigurimeve shoqërore, pra bizneset duhet të marrin kredi që të paguajnë shtetin). Në shumë shtete bankat kanë qenë promotorët, duke ofruar kredi me interesa shumë të ulëta (në Shqipëri qeverisë i duhen mbi dy muaj për të arritur teknikalitetet e kredive sovrane), operatorët e telekomunikacionit si Vodafon, me ndërhyrjen e shteteve kanë ofruar shërbime internet falas për klientët e tyre (në Shqipëri një marrëveshje gjysmake u bë vetëm për abonentët me parapagesë por, edhe këta duhet të bënin ofertë të re që të përfitonin) etj.

Çfarë duhet bërë?

Përballë këtyre skenarëve të pasigurt dhe në ndryshim, NVM-të duhet të ulen dhe t’u dalin zot bizneseve të tyre dhe të mos qëndrojnë me shpresën te qeveria, e cila nuk ka për të ndihmuar më shumë sesa deri tani. Sipas mendimit tim, këto biznese, duhet të ndihmojnë veten duke menaxhuar situatën, ato duhet:

  • Të analizojnë cilat janë “plagët” më të mëdha të biznesit të tyre në këtë kohë. A varet shumë biznesi i tyre nga një klient, i cili tani ka ulur kërkesën? A ka pasur biznesi sasi të mjaftueshme të parave të gatshme? A e ka prekur biznesin puna nga shtëpia? Nuk duhet ta gënjejnë veten duke menduar se këto probleme kanë lindur me Covid-19, jo. Është njësoj si kur ndodhi tërmeti, ndërtesat e dobëta u prishën.

Nuk duhet të mashtrojnë veten duke menduar se sëmundjet e biznesit të tyre kanë lindur me Covid-19. Sa më shpejt të pranohen dobësitë, aq më shpejt do të riparohen. Problemet duhet të zgjidhen nga rrënja, NVM-të nuk duhet të gënjejnë veten se shkaktar është vetëm Covid-19, ai është thjesht katalizatori.

  • Të analizojnë mirë klientët e tyre dhe të mundohen të kuptojnë se çfarë vendi do ketë bzinesi i tyre te klienti në periudhën post Covid. Duhet të mundohen të kuptojnë ndryshimin e klientit gjatë karantinës dhe a kanë lidhje këto ndryshime me produktin ose shërbimin që i ofrojnë. Nëse kanë ndodhur ndryshime domethënëse, duhet të merren parasysh në mënyrë që të shikojnë mundësinë nëse munden të përfitojnë nga sjellja e re që do të ketë klienti?
  • Të analizojnë dyert që hapin krizat. Cilat shoqëri që i përkasin sektorit do të jenë më të prekurat? Si po e trajtojnë krizën konkurrentët, furnitorët etj. Të zbulojnë mundësi të cilat nuk i kanë parë më parë: që nga kërkimi i tregjeve të reja deri te furnitorët që ofrojnë me çmime më të ulëta, kështu do përmirësohen kostot, do diversifikohen klientët, do kenë më shumë para të gatshme. Krizat sjellin mundësi. Gjatë krizës ekonomike të vitit 2008-2009, u krijuan kompani që kanë shndërruar industri të tëra si Uber, Airbnb, Dropbox ose Spotify. Sot industri të tëra, siç është shitja me pakicë, janë në linjë në të gjithë botën për të qenë në gjendje të transformojnë linjat e tyre të prodhimit drejt mallrave me kërkesë të lartë, pajisje mjekësore, maska, ose se si kompani si Tesla po kërkojnë zgjidhje për të prodhuar respiratorë mjekësorë për të mbështetur sektorin shëndetësor. Pra krizat hapin shumë dyer për ata që e njohin mirë mjedisin që i rrethon, NVM-të duhet të gjejnë se cila derë është hapur për ta.
  • Të kryejnë një analizë për të zvogëluar shpenzimet dhe investimet e panevojshme që mund të shtyhen, pa ndikuar në qëndrueshmërinë e ardhshme të biznesit.
  • Të hapin linja të drejtpërdrejta komunikimi me klientët dhe furnitorët (aleanca me klientët për të siguruar pagesat dhe negociatat me furnitorët)
  • Të bëjnë një rivlerësim të shitjeve për tremujorin tjetër (Prill-Qershor) dhe rregullojnë kapacitetin e prodhimit.
  • Të kenë një komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm me bashkëpunëtorët, duke përfituar nga platformat dixhitale (aty ku është e mundur).
  • Të kontrollojnë me rreptësi fluksin e parave, duke siguruar likuiditetin në afat të shkurtër
  • Të negociojnë me bankat dhe/ose subjektet financiare huatë ekzistuese.
  • Të analizojnë mirë nëse duhet të marrin kredi të re sepse, marrja e huave ose e kredive mund të duket si një zgjidhje e zbatueshme në një afat të shkurtër por, duke pasur parasysh paqartësinë e skenarit ekonomik dhe, për rrjedhojë, kohën për të rikuperuar likuiditetin dhe normalitetin në treg, ky vendim mund të bëhet një kërcënim për financat e biznesit.

Si në çdo krizë, ka shumë sfida dhe pengesa që sipërmarrësit dhe NVM-të duhet të kapërcejnë. Duke qenë se shteti është i paaftë të kryejë detyrën që ka, bizneset duhet të përpiqen të gjejnë vetë rrugët e daljeve ndërkohë që, mbështetjet dhe ndihmat qeveritare janë me pikatore.

Meri Lika
Audit Ligjor


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë