Shendet

Mjekra ju rrezikon më shumë nga koronavirusi. Mjekët në SHBA: Ja modelet e duhura

Mustaqet e shkurtra apo një copëz mjekre poshtë buzës mund të jenë jashtë mode, por mund të jenë më të mira për të mbrojtur veten nga koronavirusi sesa mjekra e plotë. Konfirmimi vjen nga zyrtarë të lartë shëndetësorë në SHBA. Një infografikë e publikuar nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) tregon se si stile të ndryshme mjekre mund të pengojnë maskat e fytyrës që të mund të puthiten plotësisht pas fytyrës, duke ju ruajtur nga koronavirusi i ri, që pritet të zgjerohet edhe në Shtetet e Bashkuara.
Një grafik i ngjashëm u publikua edhe në vitin 2017, por është rishpërndarë për publikun pasi një zyrtar i lartë i CDC paralajmëroi të martën se tashmë nuk ekziston më pyetja “nëse…”, por “kur virusi do të përhapet në SHBA”.
Nëse jeni komplet të rruar dhe pa mjekër, ose nëse keni mustaqe anësore, copëza të vogla mjekre, do të keni 100 përqind shanse që maskat kundër koronavirusit t’ju përshtaten siç duhet.

Në total, infografiku rendit 36 modele të ndryshme mjekrash, duke filluar nga rruarja e pastër deri tek mustaqet e stilit kinez që varen nën mjekër.
Sidoqoftë, një copëz mjekre e vogël, një mjekër standarde dhe dhjetëra stile të tjera mund të zvogëlojnë efektivitetin e valvulës së maskës. CDC thotë se qimet e fytyrës nuk mund të veprojnë si një filtër sepse nuk janë mjaft të dendura, domethënë qimet individuale janë shumë të mëdha për të kapur grimca të vockla virusi.
Në fakt, agjencia thotë se kërkimet kanë zbuluar se qimet e fytyrës nën sipërfaqen e një maske shkaktojnë nga 20 deri 1000 herë më shumë rrjedhje në krahasim me meshkujt që kanë fytyra pa mjekër.

Adolf Hitler, gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore

Sugjerimi për rruajtjen e mjekrës nuk është diçka e re përpara situatave emergjente. Një bashkëluftëtar i Adolf Hitlerit - i cili ka ndoshta një nga modelet e mustaqeve më të njohura në botë - thotë se kancelari i ardhshëm gjerman rruajti fytyrën për t’iu përshtatur përdorimit të maskës kundërgaz. Ushtari Alexander Moritz Frey shkroi në një ese se kur Hitleri ishte duke shërbyer në Luftën e Parë Botërore, eprorët i kërkuan atij që t’i mbante mustaqet në formën e “furçës së dhëmbëve”, model që ai e ruajti edhe më pas.
Maskat dhe pajisjet e tjera respiratore kanë qenë ndër pajisjet mbrojtëse më të përdorura për të parandaluar përhapjen e virusit. Gjithsesi CDC nuk rekomandon përdorimin e tyre në mënyrë rutinore jashtë vendit të punës apo mjediseve të mbipopulluara me njerëz.
Deri të mërkurën, më shumë se 80,000 njerëz në të gjithë botën ishin të infektuar me koronavirus, ndërsa më shumë se 2.700 kanë vdekur deri tani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë