Mjekët e Spitalit Infektiv kanë dhënë një mesazh në darkën e së dielës, duke i garantuar qytetarët se po bëjnë të pamundurën për të shëruar të prekurit nga “murtaja” e re e këtij shekulli, koronavirusi. Mjeku infeksonist, Tritan Kalo me anë të një mesazhi në rrjett sociale përcjell një mesazh për të gjithë qytetarët ku shprehin gadishmërinë dhe vullnetin e tyre për të bërë të mundur shpëtimin e jetëve të tyre.

“15 Mars 2020….Mbrëmje në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive…..Jemi këtu në krye të detyrës së bashku me Prof. N. Çomon, Dr. N. Kryemadhin, Dr. M. Qaton, Dr. Dr. A. Domin, Dr. A. Hoxhën si dhe një grup dijeplotë e vullnetplotë Infermjeresh, të mbështetur nga Sanitaret, Koordinatoret, etj….Bashkëqytetarë, ju duhet të Bindeni se ato çka lexoni në shtypin botëror në lidhje me mundësitë më të fundmit terapeutike të mjekimit, të të gjitha formave klinike të Covid-19 edhe ne po ua ofrojmë të sëmurëve tanë, për të bërë të mundur shpëtimin e jetëve të tyre….”, shkruan Kalo.

Më pas mjeku i njohur bën të ditur se “nuk na mungojnë mjetet për t’u shërbyer. Por mbi të gjitha ju sigurojmë se nuk na mungon humanizmi, dija e vullneti ynë për të bërë gjithcka të mundëshme në luftën për jetën e të sëmurëve tanë….Ju duam shumë, na mirëkuptoni dhe na mirëbesoni… Njëkohësisht ajo çka na frymëson është edhe fakti se, solidariteti dhe mbështetja e kolegëve mjekë e infermjerë nuk na mungon….bashkarisht ne do t’ia dalim mbanë!!!””, shprehet më tej Kalo, që e shoqëron postimin e tij me disa foto.
Në Spitalin Infektivit janë 12 të shtruar, 3 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa gjithsej Shqipëria numëron 42 raste me koronavirus.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




