Virozat e stinës, tashmë po përhapen me shpejtësi edhe në vendin tonë, pasi mjediset e ndotura, kultura e komunitetit dhe masat mbrojtëse e trajtuese shpesh herë nuk janë të duhurat. Sikur të mos mjaftonin sëmundjet nga ndotja e ambientit, pluhurave, ujit të pijshëm dhe kanalizimeve, shqiptarët duhet të përballojnë dhe virusin e llojeve të ndryshme të gripit. Gjatë kohëve të fundit, numri i qytetarëve të paraqitur në qendrat shëndetësore për shkak të përhapjes së virusit të gripit në Shqipëri vazhdon të jetë në rritje edhe pse kushtet e motit në vend nuk janë me temperatura të ulta.
Mjekja e spitalit infektiv në Qëndren Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Migena Qato thotë për gazetën “Si” se problematika e pacientëve paraqitet në të njëjtën panoramë klinike në çdo vit, që do të thotë se pjesa më e madhe e rasteve janë vetëm me shenjat e virozëve të stinës.
“Në urgjencën e spitalit infektiv trendi i paraqitjes për sa i përket virozave stinore është pak a shumë i njëjtë me vitin e kaluar. Nuk mund të kemi një numër të saktë që tregojnë rastet që janë paraqitur, pasi periudha e dimrit dhe ndryshimet e stinëve sapo kanë filluar, por pjesa më e madhe që kanë ardhur në urgjencë janë moshat e vogla nën 5 vjeç, moshat mbi 65 vjeç, gratë shtatzëna dhe pacientët që kanë një imunitet të kompromentuar për shkak të sëmundjeve bashkëshoqëruese kronike,” thotë mjekja
Drejtoria e Institutit të Shëndetit Publik, gjatë gjithë kohës paralajmëron njerëzit se gripi duhet të trajtohet në mënyrë të menjëhershme sepse krijon probleme shëndetësore me pasoja të mëdha. Sipas evidentimit që ka bërë Ministria e Shëndetësisë, përpara disa kohëve në disa qytete të ndryshme dhe në zonat rurale skajore të vendit regjistrohen çdo vit mbi 13 mijë raste me grip.
Mjekja thotë se rastet më të vështira janë personat që vuajnë nga sëmundje të tjera, pasi një situatë e qetë klinike që mund të menaxhohet edhe në kushte shtëpie, tek këta pacientë paraqitet si një situatë me gravitet të caktuar dhe të konsiderueshëm, që do të thotë se shenjat që priten nga virozat janë më të forta dhe më të pranishme, midis tyre përmendim bronke-ploumoninë, apo infeksione të tjera të rëndësishme në varësi të imunitetit që ka pacienti.
“Kjo pjesë e popullatës normalisht ka nevojë për të tjera konsiderata terapeutike. Ne i këshillojmë gjithmonë shtrimin në spital duke i monitoruar nga afër jo vetëm për gjendjen gripale por, edhe për sëmundjen që vuajnë,” thotë mjekja.
Diçka tjetër e rëndësishme që është vënë re nga personeli i spitalit infektiv është se pjesa më e madhe tashmë ka bërë edukatë vaksinimin. Në periudhën e fillimit të muajit shtator ose tetor pjesa më e madhe e individëve fillojnë të vaksinohen në mënyrë që të sigurojnë një mbrojtje mjaft të mirë ndaj virozëve të tjera për çdo vit.
“Në urgjencën tonë paraqiten të gjithë grupmoshat e popullatës së rritur, duke filluar nga mosha katërmbëdhjetë e sipër janë një gamë e përditshme në shërbimin 24 orësh që bëjmë ne. Duke qenë se në virozat stinore, kanë një tendencë për t’u transmetuar vetëm në rrugë aerogene popullata aktive zë pjesën më të madhe të pacientëve që paraqiten, por transmetimi aerogen e bën praktikisht të pamundur kufizimin e transmetimit të virozave,” thotë mjekja.
Zakonisht alarmin për virozat nuk e japin institucionet parashikuese, monitoruese e parandaluese, por janë individët që janë të prekur dhe vënë në lëvizje bluzat e bardha. Gripi që shkaktohet nga viruset e influencës A,B,C, kryesisht transmetimi i sëmundjes bëhet me anë të spërklave të cilat mund të mbarten me ajër dhe simptomat fillojë nga një deri në dy ditë pasi virusi futet në organizëm.
Gripi zakonisht fillon me temperaturë shumë të lart, mungesë e përgjithshme e forcës së trupit që zgjat disa ditë. Pastaj simptomat fillojnë të përkeqësohen duke shkaktuar jo komoditet të përgjithshëm.
Qato tha se në spitalin e infektivit mjekët kanë tendencën që ti shikojnë më nga afër pacientët seç bën pjesa e kolegëve jashtë kufijve të Shqipërisë.
“Duke qenë se aktualisht kapaciteti i spitalit infektiv i përmbush të gjitha kushtet, edhe në numër dhomash, edhe një njësi më të specializuar për infeksione të rënda, mendojmë se pacientët duhet ti vëzhgojmë në regjim terapeutik në spital, duke i’u dhënë një kujdes dhe suport më të mirë,” shprhet ajo
Qato tha se duke pasur parasysh se gripi përhapet në pёrmasa tё mёdha, njerëzit duhet të jenë të vëmendshëm dhe tepër të kujdesshëm. Mjekët këshillojnë se një ndër gjerat më kryesore që duhet të kenë individët në rastet e virozëve është kujdesi vetjak.
“Qëndrimi në ambiente të ajrosura mirë në shtëpi, larja e duarve herë pas herë dhe distanca prej një metër me personat që janë të sëmurë, janë disa këshilla që ne shpesh ju themi pacienteve, për të minimizuar përhapjen e sëmundjeve. Gjithashtu, çdo person duhet të ushqehet mirë dhe të ketë një dietë të pasur me vitamina në mënyrë që të ketë imunitet të fortë,” shton mjekja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.