Arredim

Mite që duhen thyer në arredimin e ambienteve të brendshme, sipas arkitektes Pira

Gazeta Si - Ndodh shpesh në ambientet ku diskutohen arredimet e shtëpive dhe apartamenteve tona të përmenden disa “ligje” të pashkruara që një shumicë njerëzish u besojnë verbërisht kur arredojnë banesat e tyre. Këto “ligje të pashkruara” në fakt do t’i konsiderojmë si mite tashmë të thyera, sipas Eduina Piras (Zekaj) arkitekte, UI/UX designer dhe content creator.

Arkitekte Eduina Pira, Gazeta Si, 22 shkurt 2022.

Pira thotë se syri estetik dhe studimet e perceptimit të ambienteve kanë rezultuar në thyerjen e shumë prej këtyre miteve në raste specifike duke sjellë konkluzionin e shumëpritur që “rregullat në interior” është mirë të thyhen për aq kohë sa pjesëtarët e familjes janë të lumtur me atë që shohin dhe funksionaliteti nuk vihet në dyshim në asnjë moment.

Arkitekte Pira ka treguar për Gazetasi.al mitet që duhet thyer në Shqipëri por jo vetëm, në arredimin e ambienteve të brendshme.

Lloje të ndryshme metalesh nuk duhet të përdoren në një ambient.

Pira thotë se ky mit është një ‘rreng’ që përdorin shitësit e shoëroom-eve për të shitur produktet më të shtrenjta. Shpesh shitësit e përdorin këtë mit për të reklamuar produkte më të shtrenjta duke e shitur për shembull një karrige me këmbë ngjyrë gold më shtrenjtë se një karrige me këmbë ngjyrë të zezë kur në shtëpinë e personit çdo mobilje ka përdorim të gold dhe do të zgjidhni atë që mendoni se kombinon më tepër, pra pikërisht ngjyrën gold.

“Në konkluzion, patjetër që mund të përdoren lloje të ndryshme metali nëse kombinohen bukur dhe pa e tepruar”, thotë Pira.

Dhomat e vogla nuk duhet të lyhen me ngjyra të errëta.

Me siguri ky është një ndër mitet që njerëzit dëgjojnë më shpesh sidomos kur janë  duke zgjedhur ngjyrat e tualeteve pa dritare, shpjegon Pira. Argumenti se ngjyrat e çelëta i japin më shumë dritë ambientit dhe ky konsiderohet si ligj në botën e arredimit në fakt bie poshtë, sepse sot vëmendja i kushtohet strategjisë së ndriçimit artificial. Ky lloj ndriçimi mund të kombinohet me të gjitha ngjyrat dhe krijon efekte të ndryshme duke dhënë idenë e ndriçimit më mirë të ambientit. Ndër të tjera lyerja e njërës faqe të ambientit me ngjyrë të errët është vërtetuar të krijojë iluzionin e një hapësire më të madhe.

Nuk duhet të miksosh dizajne të ndryshme.

Sipas Pirës, dizajnet dhe të ashtuquajturat “patterns” të ndryshme në fakt rekomandohen të miksohen për aq kohë sa qëndrojnë në të njëjtin stil, sepse i japin më tepër larmi e gjallëri ambientit. Nëse zgjidhni dizajnet e duhura mund ta bëni shtëpinë tuaj të duket më e ngrohtë dhe mikëpritëse gjithashtu.

Nuk mund të përziesh lloje të ndryshme të drurit.

“E kemi dëgjuar shpesh se lloje të ndryshme të drurit nuk duhen miksuar, sepse japin efekt të ndryshëm në perceptim, por në fakt ky efekt i ndryshëm ndonjëherë është i nevojshëm në një ambient”, thotë Pira e cila shton se nëse përdoren me maturi, llojet e ndryshme të drurit mund të japin një efekt të papërsëritshëm dhe të ngrohtë në ambient duke u kombinuar bukur dhe me ngjyra të tjera.

Mos përdor letër muri në banjo.

Miti se lagështia shkatërron gjithçka në tualet tashmë ka vite që ka rënë me zhvillimin e teknologjisë dhe përdorimit rëndom të materialeve hidrofobe. Gjithashtu ideja se letra e murit mund të tregojë papastërti në tualet nuk është e vërtetë për aq kohë sa tregohet kujdes në përzgjedhjen e duhur të saj.

Tavani duhet të jetë gjithmonë i bardhë.

“Nuk di të përmend sa herë në javë e dëgjoj këtë thënie, por ju siguroj se nuk është gjithmonë e vërtetë”, thotë Pira.

Sipas saj, një vendim i tillë kërkon guxim për t’u realizuar, sepse jo të gjithë mund të ndihen rehat në një ambient me tavan të errët, por “ju kujtoj se shumica e lokaleve dhe bareve në qytet kanë tavane të ngarkuara dhe shpesh me ngjyra të errëta për të shprehur frymën avantgarde”. Për aq kohë sa në këto bare nuk ju shqetëson prania e ngjyrave të errëta në tavan, Pira siguron që nëse kombinohet bukur do të jetë një aset i veçantë dhe në shtëpinë tuaj.

Nuk duhen vendosur rrugica/tapete në kuzhinë.

Nga ana tjetër, ky është një mit që po thyhet dita ditës, sipas arkitektes, sepse njerëzit e kanë kuptuar rëndësinë e rrugicave dhe tapeteve në krijimin e atmosferës së ngrohtë dhe ftuese në shtëpi. Thënë kjo, kuzhina nuk ka asnjë arsye pse të përjashtohet nga kjo dëshirë e krijimit të atmosferës së mirë në shtëpi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë