Histori

Misteri i përbërjes së betonit më jetëgjatë romak, paska qenë … gëlqerja

Strukturat madhështore të Romës së lashtë kanë mbijetuar për mijëra vjet. Dhe kjo është dëshmi e gjallë e zgjuarsisë së inxhinierëve romakë, të cilët përsosën përbërjen e betonit.

Por si ndihmuan materialet e tyre të ndërtimit që ndërtesat kolosale si Panteoni (i cili ka kupolën më të madhe të papërforcuar në botë) dhe Koloseu të qëndrojnë në këmbë për më shumë se 2000 vjet?

Betoni romak, në shumë raste, është provuar të jetë më jetëgjatë se ekuivalenti i tij modern, i cili mund të përkeqësohet brenda dekadave.  

Shkencëtarët pas një studimi të ri thonë se kanë zbuluar përbërësin misterioz që i lejoi romakët ta bënin materialin e tyre të ndërtimit kaq të qëndrueshëm dhe të ndërtonin madje struktura në vende sfiduese si doke, kanalizime dhe zona tërmeti.

Ekipi i studimit, duke përfshirë studiues nga Shtetet e Bashkuara, Italia dhe Zvicra, analizoi mostra betoni 2000-vjeçare që u morën nga një mur i qytetit në zonën arkeologjike të Privernum, në Italinë qendrore, që janë të ngjashme në përbërje me betonet e tjera të gjetura, në të gjithë Perandorinë Romake.

Ata zbuluan se copat e bardha në beton, të referuara si shtresa gëlqereje, i dhanë betonit aftësinë për të mbuluar çarjet që formoheshin me kalimin e kohës.

Këto shtresa të bardha më parë ishin anashkaluar si dëshmi e përzierjes së dobët ose lëndës së parë me cilësi të dobët.

“Për mua, ishte vërtet e vështirë të besoja se romakët e lashtë (inxhinierët) nuk do të bënin një punë të mirë, sepse ata vërtet bënë përpjekje të kujdesshme gjatë zgjedhjes dhe përpunimit të materialeve,” tha autori i studimit Admir Masic, një profesor i asociuar i inxhinierisë civile dhe mjedisore në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets.

“Dijetarët shkruan ‘receta’ të sakta dhe i imponuan ato në kantieret e ndërtimit (në të gjithë Perandorinë Romake),” shtoi Masic.

Zbulimi i ri mund të ndihmojë që prodhimi i betonit të sotëm të jetë më i qëndrueshëm.

“Betoni i lejoi romakët të kishin një revolucion arkitekturor,” tha Masic.

“Romakët ishin në gjendje të krijonin dhe t’i kthenin qytetet në diçka që është e jashtëzakonshme dhe e bukur për t’u jetuar. Dhe ai revolucion në thelb ndryshoi plotësisht mënyrën se si njerëzit jetojnë.”

Shtresat e gëlqeres dhe qëndrueshmëria e betonit

Betoni është në thelb gur ose shkëmb artificial, i formuar nga përzierja e çimentos, një agjent lidhës që përbëhet nga guri gëlqeror, uji, agregati i imët (rërë ose shkëmbi i grimcuar imët) dhe agregati i trashë (zhavorri ose shkëmbi i grimcuar).

Tekstet romake kishin sugjeruar përdorimin e gëlqeres së shuar (kur gëlqerja për herë të parë kombinohet me ujin para se të përzihet) në agjentin lidhës, dhe kjo është arsyeja pse studiuesit supozojnë se ishte bërë edhe betoni romak, tha Masic.

Në studimet e mëtejshme, studiuesit arritën në përfundimin se shtresat e gëlqeres u krijuan për shkak të përdorimit të gëlqeres së gjallë (oksid kalciumi) – forma më reaktive dhe e rrezikshme dhe e thatë e gurit gëlqeror – kur përzihet betoni, në vend të saj ose përveç gëlqeres së shuar.

Analiza shtesë e betonit tregoi se shtresat e gëlqeres formoheshin në temperatura ekstreme të pritshme nga përdorimi i gëlqeres së gjallë dhe “përzierja e nxehtë” ishte çelësi për natyrën e qëndrueshme të betonit.

“Përfitimet e përzierjes së nxehtë janë të dyfishta,” tha Masic në një njoftim për shtyp…

Për të hetuar nëse shtresat e gëlqeres ishin faktori për aftësinë e dukshme të betonit romak për te mbijetuar, ekipi kreu një eksperiment.

Ata morën dy mostra betoni, njëra sipas formulimeve romake dhe tjetra e bërë sipas standardeve moderne, dhe i bashkuan qëllimisht.

Pas dy javësh, uji nuk rridhte në betonin e bërë me recetë romake, ndërsa kalonte në copëzën tjetër të betonit të bërë pa gëlqere.

Gjetjet e tyre sugjerojnë se shtresat e gëlqeres mund të shpërndahen në çarje dhe të rikristalizohen pas ekspozimit ndaj ujit, duke mbyllur  çarjet e krijuara nga moti përpara se të përhapen.

Studiuesit thanë se ky potencial vetë-shërues mund të hapë rrugën për prodhimin e betonit më të qëndrueshëm.

Një veprim i tillë do të reduktonte gjurmën e karbonit të betonit, e cila përbën deri në 8% të emetimeve globale të gazeve serrë, sipas studimit.

Për shumë vite, studiuesit kishin menduar se hiri vullkanik nga zona e Pozzuoli, në Gjirin e Napolit, ishte ajo që e bëri betonin romak kaq të fortë. Ky lloj hiri u transportua në gjithë perandorinë e madhe romake për t’u përdorur në ndërtim dhe u përshkrua si një përbërës kyç për betonin nga arkitektët dhe historianët e asaj kohe.

Masic tha se të dy komponentët janë të rëndësishëm, por gëlqerja ishte anashkaluar në të kaluarën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë