Gazeta “SI”- Filmi i ri Hamnet, i nominuar për Oscar dhe i bazuar në romanin e suksesshëm të Maggie O’Farrell, sjell në qendër jetën familjare të William Shakespeare dhe gruas së tij, Agnes (tradicionalisht e njohur si Anne Hathaway), si dhe humbjen shkatërruese të djalit të tyre, Hamnet. Edhe pse i mbështetur te disa fakte historike, filmi është kryesisht një interpretim artistik i boshllëqeve të shumta të historisë së vërtetë.

Shumë pak dihet për martesën e Shakespeare-it dhe Anës, për personalitetin e saj apo marrëdhënien e tyre. Ajo përmendet në dokumentet e kohës me dy emra të ndryshëm – Anne dhe Agnes – ndërsa biografët tradicionalisht e kanë paraqitur si një fshatare analfabete që e “zuri në kurth” dramaturgun e ri.
O’Farrell, përkundrazi, e rikrijon Agnesin si një grua të fortë, të mençur dhe të pavarur, duke e rimenduar rolin e saj në familje me ndjeshmëri bashkëkohore, por sipas disa studiuesve, edhe në përputhje me realitetin e shumë grave të shekullit të 16-të.

Filmi, me aktorët Paul Mescal dhe Jessie Buckley, e vendos Agnesin në qendër të tregimit dhe e paraqet si një herbaliste intuitive, të aftë të lexojë shenjat e natyrës dhe njerëzve, një përmasë e frymëzuar nga dramat e vetë Shakespeare-it. Vdekja e Hamnetit në moshën 11-vjeçare, ndoshta nga murtaja, mbetet mister historik, por shumë studiues, përfshirë Stephen Greenblatt, besojnë se pikëllimi ka ndikuar në krijimin e Hamletit. Filmi e ndërton këtë lidhje emocionalisht, duke sugjeruar se shfaqja i ka shërbyer Shakespeare-it si një lamtumirë e vonuar për djalin.
Në mungesë të dokumenteve autentike për marrëdhëniet familjare të Shakespeare-it, Hamnet ngre pyetje intriguese mbi rolin e Agnesit në jetën dhe artin e tij. Një studim i fundit madje sugjeron se ajo mund të ketë jetuar për një periudhë në Londër dhe të ketë ditur të lexonte – një teori që mbetet e hapur.

Në fund, ashtu siç thekson O’Farrell, figura e Agnesit është ende e mbuluar nga misteri, por filmi dhe romani e ofrojnë një portret të pasur që sfidon mite shekullore dhe rikthen në qendër një grua që historia e ka lënë në hije.
Përshtati : Gazeta “SI”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



