Më të mirat 2022

Misionari shqiptar i udhëtimeve

Ai rankohet në vendin e dytë në botë për kohën rekorde të realizimit të vizitës së 200 shteteve brenda hiç më shumë se një dekadë.

Nga Sorgena Leka - Ilir Morina mund të quhet pa drojë misionari i udhëtimeve. I lindur dhe rritur në Gjermani, por me origjinë nga Kosova filloi odisenë e udhëtimeve në vitin 2011 kur bleu biletën pa kthim për në vendet aziatike. Aty jeta e tij ndryshoi përgjithmonë duke u bërë shqiptari i parë që ka vizituar të gjitha vendet në botë.

Kur e kishte nisur këtë rrugëtim ai kishte në listë 45 shtete që kishte vizituar paraprakisht, por kur arriti shtetin numër 50, ëndrra filloj të kthehet në mision. Prandaj, shënjestra e radhës ishte arritja e 100 shteteve të vizituara në botë.

Ky plan i eci edhe më mirë se sa e kishte planifikuar dhe e frymëzoi që të vazhdonte edhe më tej. Kur arriti shtetin numër 150, qëllimi për të “përfunduar” botën filloj të bëhet edhe më real dhe tanimë për të, udhëtimi ishte mënyra e jetës.

Tani në vitin 2022, misioni është në ‘finish-line’ dhe Iliri apo MorinasWorld sic njihet tani ka vetëm edhe një shtet në bagazh të paeksploruar. Morina është shqiptari i vetëm që ka udhëtuar në gjithë globin në një kohë rekord, edhe në nivel ndërkombëtar.

Ai rankohet në vendin e dytë në botë për kohën rekorde të realizimit të vizitës së 200 shteteve brenda hiç më shumë se një dekadë.

Iliri me profesion është ekonomist i diplomuar, ushtar, fotograf dhe biznesmen dhe tanimë është fokusuar në ndihmën për fëmijët kudo në botë. Ai për momentin udhëheq një Organizatë dhe kompani.

Organizata quhet Children’s Care Initiative ndërsa kompania “MorinasWorld Travel&Tours, sigurisht një kompani udhëtimesh.

Morina tregon për Gazetasi.al se Organizata Children’s Care Initiative është themeluar si përgjigje e nevojave të ndihmës së fëmijëve kryesisht në vende të luftës si Siri, Afganistan por edhe në disa shtete në Afrikë. Morina, përveç pasionit për udhëtim, u zotua që përgjatë udhëtimeve të shërbejë edhe si humanist dhe të krijojë fonde për mbështetje financiare, ushqim dhe veshmbathje për fëmijë në nevojë.

Ai tregon se kjo ia ka pasuruar edhe më shumë eksperiencën e udhëtimeve dhe i ndihmoj që të shoh botën në një perspektivë ndryshe, dhe mbi të gjitha të jetë shumë falenderues si individ për të mirat që i gëzon çdo ditë.

Ndërsa kompaninë MorinasWorld Travel&Tours Morina e themeloi në vitin 2018 ku dhe ofrohet çdo destinacion në botë.

Në një intervistë për Gazetasi.al, Ilir Morina ka treguar më shumë rreth gjithë eksperiencës së tij gjatë këtyre viteve.

Cili është vendi  që ende nuk keni vizituar?

-Në total kam vizituar 200 shtete në mbarë botën. Tani më ka mbet vetëm edhe një shtet në listë për të përfunduar 100% vizitën. Ky shtet është Eritrea dhe ndodhet në kontinentin e Afrikës.

Cili është vendi më i veçantë? Vendi që të ka lënë më shumë mbresa?

- Në këtë pyetje dua të përgjigjem nga një kënd tjetër, për të treguar veçantin e vizitës të një shteti të caktuar. Zakonisht vlera më e madhe për mua janë takimi me njerëz dhe befasitë e këndshme që vijnë nga pritjet paraprake para vizitës të atij shteti. Pra për mua vlerësimi kryesor vjen nga mikpritja nga njerëzit dhe eksperienca që e përjetoj përgjatë vizitës.

Për shembull, vendet e Lindjes janë zakonisht të paragjykuara si vende jo të sigurta për udhëtime në bazë të informacioneve në internet, mirëpo përgjatë eksperiencës time unë kam përjetuar udhëtime shumë të veçanta atje dhe kjo ka ndodh pikërisht për faktin që njerëzit kanë qenë shumë të dashur si dhe përjetimi i të vërtetës dhe realitetit të një vendi larg mediave më krijon ndjenjën e vlerësimit si vende të veçanta dhe destinacione që më kanë lënë shumë mbresa.

Si është kultura në vendet e largëta? A kanë ato vende ndonjë zakon apo kulturë si në Shqipëri apo Kosovë?

-Disa studime kanë vlerësuar se ekzistojnë 3800 kultura në botë, por sigurisht, ky numër është shumë më i lartë në realitet. Kulturat nuk janë të kufizuara në territoret e vendeve. Vetëm një rajon mund të ketë dhjetëra komunitete me sistemin e tyre unik të besimeve. Për shembull, Papua Guinea e Re ka rreth 850 gjuhë që fliten në vend, duke e bërë atë vendin më të larmishëm gjuhësor në tokë.

Cila është gjëja më e veçantë që ke parë apo mësuar nga udhëtimet e tua?

- Udhëtimet më kanë ndryshuar në personalitet në shumë drejtime. Po i listoj të gjitha në vijim në kategori të ndryshme:

Reflektimi -Çdo herë pas takimeve me shoqërinë dhe familjen ishte si një pasqyrë e vetes, se cilat ishin efektet e udhëtimeve dhe mënyra se si ato më ndryshuan.

Vlerësimi-Eksperienca gjatë udhëtimeve më ka ndihmuar të shoh jo vetëm anët pozitive dhe me ngjyra të bukura, mirëpo edhe pjesët e vështira dhe jo shumë të këndshme. Prandaj, këto më kanë mësuar që në jetë duhet të kemi durim, ti vlerësojmë gjërat e vogla dhe të vlerësojmë ato që i kemi tani.

Qetësia shpirtërore-Një efekt pozitiv tjetër gjatë udhëtimeve është mënyra se si i pranoj lajmet, si të mirat ashtu edhe jo të mirat. Tani ndihem më i përgatitur dhe më i qetë me veten në drejtim të sfidave që jeta na sjell.

Ambiciet-Asnjëherë nuk duhet të ndalemi, gjithmonë ekziston një mal më i lartë për të ngjitur. Prandaj, pas përfundimit të një qëllimi, gjithmonë duhet të kemi ambicie, të sfidojmë veten me diçka tjetër. Ne të gjithë jemi unikë dhe asnjëherë nuk duhet të krahasojmë veten me të tjerët, secili e ka rrugëtimin e vet dhe është e pamundur të bëjmë krahasime të tilla.

Dhe në fund, krejt kjo eksperience më ka sjell edhe shumë aftësi të tjera profesionale, të cilat me shumë qejf tani po planifikoj ti ndaj më të tjerët si Puna humanitare, Fotografia, Konsulenca për udhëtime, Udhëheqja e grupeve në udhëtime, Rrjetet sociale, e shumë të tjera.

Cili është një vend që nuk njihet shumë dhe do e rekomandoje për këdo që do aventurat?

- Do të veçoja Pakistanin sepse është vendi i kulturës shumë të pasur, trashëgimisë së lashtë dhe kuzhinës së larmishme. Për më tepër, është vendi i mangove (24 lloje të ndryshme) dhe çajit, Autostradës më të lartë në botë dhe mikpritjes Pakistaneze shumë të dashur.

Mirëpo, në botë fatkeqësisht njihet më shumë për anët negative nga mënyra se si portretizohet në botë.

Unë e rekomandoj vizitën në këtë vend sepse me anë të kësaj vizite ju do të udhëtoni në kohë, në kohën e Aleksandrit të Madh i cili pushtoj këtë shtet dhe la gjurmë të mëdha në këtë vend.

Shumica e ushtarëve të tij qëndruan aty, u martuan, krijuan familje dhe vazhduan jetën me gjenerata. Në veçanti fiset Hunsak dhe Kallash thonë se janë pasardhësit e tij. Kjo mund të shihet edhe nga pamja fizike si ngjyra e syve, lëkurës, si dhe e flokëve. Ata me të vërtetë duken se vijnë nga Ballkani, ose më saktë nga vija bregdetare e Shqipërisë, Kroacisë dhe Malit të Zi, edhe nga mënyra e veshjes tradicionale duke i dalluar ata nga pjesa tjetër e popullatës në vend. E veçanta e këtij vendi është se këta persona brenda vetes mund të mbajnë një pjesë të ADN nga fisi jonë i lashtë ilir.

E për adhuruesit e aventurave natyrore, Pakistani mban vargmalet më të larta në botë.

Ndërsa, për ata që kanë pikë të dobët të provojnë ushqime të reja, Pakistani ka ushqime shumë të shijshme dhe shije speciale përgjatë territoreve. Pra, mund të përjetoni shije të ndryshme përgjatë udhëtimit atje sepse kanë një llojshmëri të madhe të erëzave. Dhe më e mira, janë njerëz shumë të këndshëm dhe shumë ndihmues, pa provuar asnjëherë të përfitojnë nga turistët, por vetëm ti presin ata në mënyrën më të mirë të mundshme duke ofruar ushqim, të bëjnë fotografi bashkë dhe ndonjëherë edhe duke u ofruar drekën falas si një mënyrë për tu thënë “faleminderit që erdhët në vendin tonë”.

Krahasuar me mënyrën tonë të jetesës, cili vend i largët na ngjason më shumë?

-Në përgjithësi mund të them që vendet që më së shumti kam gjet ngjashmëri me mënyrën e jetës tonë janë ato shtete të cilat kanë qenë të pushtuara nga Otomanët, të cilët kanë lënë gjurmë në kulturë, ushqim dhe tradita të tjera të përbashkëta. Kjo ndjenjë më vjen çdo herë që vizitoj këto vende duke dëgjuar ndonjëherë fjalë të cilat i kanë njësoj si tonat, ose shije të njohura të ushqimit apo dhe mentaliteti i njerëzve. Për shembull, në vende si Siria na kanë ofruar turshi njësoj siç i bëjmë ne shqiptarët.

Ilir Morina është vetëm 38 vjeç dhe është një nga njerëzit që ka vizituar më shumë shtete në botë. Prej 200 shteteve, ai ka vizituar afërsisht mbi 55 mijë qytete dhe fshatra dhe Vitin e Ri e ka pritur në çdo kontinent.

(botuar më 30 tetor 2022)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë