Ngjarje

Mirë tërmeti… po edhe policia?!

Tërmeti i ka hapur probleme një të riu në kryeqytet, jo më shumë për dëmet që i ka shkaktuar në shtëpi, por sepse emri i tij pritet të referohet në prokurori për t’u hetuar. Një burim i sigurt i shpjegoi Gazetës “Si” se Edmir Truka i moshës 33 vjeç u konstatua nga Komisariati numër gjashtë në ballkonin e shtëpisë teksa po rregullonte një tendë të dëmtuar. Sapo është parë duke bërë punime, policët ia kanë behur në banesën e tij, pasi ata gjenden nën presionin e shefave në rast se nuk raportojnë ndërtimet pa leje. Por sapo i kanë mbërritur në shtëpi, i riu banues në rrugën “Veli Dedi” i tha Policisë së Rendit se nuk po kryente punime pa leje, por se tendën ia kishte shkundur tërmeti i fuqishëm që i kishte shkatërruar po ashtu edhe disa sende qelqi. Por, policia pohon se duhet të shprehen institucionet që po vlerësojnë dëmet, nëse për këto punime kanë nevojë apo jo për leje dhe nëse tenda është dëmtuar nga tërmeti apo jo. Apo i riu po përfiton nga pasojat që la tërmeti dhe meqenëse të gjithë po tregohen tolerantë, ai ka shpresuar se dikush do ta vendosë dorën në zemër? Pavarësisht kësaj, policia thotë se emri i të dyshuarit do referohet në prokurori për të sqaruar nëse Truka po vendoste vërtet tendë pa leje apo po riparonte dëmet e tërmetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë