Futbolli gjithmonë ka qenë mënyra më e mirë për të ulur tensionet. Në këtë kuptim, edhe në burgje ndeshjet mes të dënuarve shihen si diçka pozitive, por në Meksikë dy skuadrat që u ndeshën mes tyre në një miqësore ishin pak të veçanta: ato përbëheshin nga të burgosur të karteleve të drogës.
Ditët e fundit të 2019-ës në Meksikë dikush vendosi të organizojë një miqësore mes të burgosurve të karteleve të drogës. Ndeshja u organizua në burgun e Cieneguillas, në shtetin e Zacatecas, ku rezultati ka qenë vërtet tragjik, 16 të vdekur. Miqësorja, nëse mund të quhet kështu, u luajt mes anëtarëve të Kartelit të Golfos dhe “Los Zetas”, një bandë keqbërëse e lindur si një grup paramilitar. Kaosi, sipas “La Jornada”, u krijua nga një ndërhyrje në fushë, pas së cilës nisi sherri, që u shndërrua shpejt në një konflikt me armë zjarri, që zgjati më shumë se dy orë dhe që me shumë vështirësi u shua nga forcat policore.
Media meksikane bën me dije se 15 persona ndërruan jetë në vend, ndërsa një tjetër gjatë rrugës për në spital. Në burg atë ditë ishin edhe shumë persona të tjerë që kishin ardhur për të takuar të afërmit e tyre që vujnë dënimin në atë burg, por u gjendën në një situatë tejet të rrezikshme.
“La Jornada” shpjegon se e gjitha kjo situatë mund të jetë organizuar nga të burgosurit për ta çuar burgun në kaos total, për të krijuar më pas mundësinë e arratisjes. Policia, pasi u shua sherri, sekuestroi thika dhe armë zjarri, çka shton dyshimet se të burgosurit ishin gati për gjithçka, përveçse për një ndeshje futbolli. Një skenë që kujton miqësoret e famshme të zhvilluara në “La Catedral”, burgun kolumbian ku vuante dënimin edhe Pablo Eskobar dhe ku gjatë viteve kanë luajtur edhe Diego Armando Maradona dhe Rene Higuita. Por në Meksika ka pasur vetëm dhunë dhe futbolli nuk ka fare të bëjë me këtë ndeshje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.