Politike

Ministrja Bilali sulmon Enio Jaçon: S’ka kompani amerikane që është penguar të investojë. Raporti i DASH i parifreskuar prej 2 vjetësh

Ministrja për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Edona Bilali ka kritikuar drejtuesin e Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço, pasi ky i fundit deklaroi pas publikimit të Raportit të DASH se klima e biznesit në vendin tonë është jo miqësore.

Në një postim në Facebook, Bilali shkruan se Jaço është kontradiktor në qëndrimet e tij në raport me investimet amerikane në vend, njëherë ka deklaruar se investimet nga SHBA në Shqipëri janë trefishuar dhe më pas thotë se investuesit amerikanë janë hasur me problematika.


“Drejtuesi i AmCham para 4 ditësh (vetëm pasi u publikuan statistika me shifra) pohon dhe shprehet i kënaqur që janë 3-fishuar investimet amerikane ne vend.

3 ditë më vonë pas publikimit raportit të Departamentit të Tregtisë (i parifreskuar prej 2 vjetësh), rimarrë nga DASH me disa ndryshime, shprehet që problem është klima jo miqësore e biznesit. Pyetja që të vjen menjëherë në mendje është, si e shpjegon drejtuesi shqiptar i AmCham (normalisht ai duhet të kontribuoje në leximin objektiv të aktualitetit në terren) faktin se amerikanet investuan 3 herë më shumë në Shqipëri për 4 vitet e fundit, ndërkohë që një seri investimesh të tjera të mëdha amerikane janë ne proces përgatitjeje?!”, thotë Ministrja.

Sipas saj, askush nuk i mohon këto probleme, “po qyshse jam në këtë detyrë as e kam hasur dhe as kam dëgjuar për ndonjë kompani amerikane apo europiane, që e ka penguar klima e biznesit në Shqipëri të investojë! Madje përkundrazi, kam pasur vetëm reagime shume pozitive prej tyre për mikpritjen dhe trajtimin në Shqipëri. Njëjtë kam dëgjuar edhe nga koleget e mi”.

Ministrja për Mbrojtjen e Sipërmarrjes nuk ndalet me kaq.

“Sa gjynah kur bashkëqytetarë tanët, aq me tepër në funksione të tilla ndikojnë për keq, pa asnjë fakt apo shifër, në ushqimin e perceptimeve të deformuara prej vitesh qoftë tek opinioni publik, qoftë tek miqtë dhe partnerët e huaj!

Por shyqyr në fund mbetet si gjithnjë puna me faktet e punës, për të cilat flet sot edhe Shqipëria turistike, me të dhënat e saj mbresëlënëse”, thotë ajo.   


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë