Interviste

Ministria e re Antikorrupsion, Lutfi Dervishi: Korrupsionin e lufton kryeministri, jo SPAK-u

Me një përvojë të gjatë në drejtimin e organizatës më të besueshme për matjen e korrupsionit Transparency International Albania, gazetari Lutfi Dervishi nuk ka pritshmëri të mëdha në luftën e qeverisë kundër korrupsionit.

Nga Gazeta 'Si' - Me një përvojë të gjatë në drejtimin e organizatës më të besueshme për matjen e korrupsionit Transparency International Albania, gazetari Lutfi Dervishi nuk ka pritshmëri të mëdha në luftën e qeverisë kundër korrupsionit.

“Jemi në një situatë ku gënjeshtra/propaganda jo vetëm tolerohet, por stimulohet. Është krijuar jo vetëm kultura e tolerimit, por edhe e justifikimit ndaj abuzimit. “- tha zoti Dervishi në një intervistë për Gazetasi.al, duke analizuar vendimin për ngritjen e një ministrie të posaçme për Administratën dhe Kundër Korrupsionit.

Zoti Dervishi kujton dështimin dhe harresën e strukturës së posaçme antikorrupsion që u krijua me ardhjen e zotit Rama në pushtet dhe që të mos përsëritet i njëjti dështim, ai beson se luftën ndaj kurrupsionit duhet ta nisë kryeministri dhe jo SPAK-u. 

Në raportin e progresit të Komisionit Europian për Shqipërinë kërkohet vazhdimisht nga qeveria zbatimi i një strategjie kundër korrupsionit. Ngritja e një ministrie të posaçme Antikorrrupsion do ta ndihmojë vendin për të luftuar korrupsionin?

"Lufta ndaj korrupsionit është një betejë e gjatë dhe jo e lehtë. Nëse i referohemi përcaktimit të Transparency International, korrupsion është “abuzimi me detyrën e besuar”. Korrupsion nuk është vetëm grabitja e fondeve publike, është edhe mosmbajtja e fjalës së dhënë. Mes kësaj të fundit dhe “kapjes së shtetit” është një diapazon i gjerë dhe kushdo mund të ndodhet në dilemën: “nga t’ia nis?”. Duhet kujtuar se 11 vjet më parë, në qeverinë Rama 1, kishim një ministër  Antikorrupsion dhe madje edhe një faqe interneti të dedikuar stopkorrupsionit.al. Duket se edhe në qeveri e kanë harruar këtë fakt. Tani kemi një ministre për antikorrupsionin dhe besoj se do të merret me korrupsionin që prodhon qeverisja dhe jo me “korrupsionin historik”.

Çfarë duhet bërë që kjo ministri të mos dështojë me sukses si ministri i parë?

Së pari, lufta ndaj korrupsionit kërkon vullnet të qartë politik, që shprehet jo vetëm në retorikë (që për hir të së vërtetës ka munguar), por edhe në akte konkrete që dërgojnë sinjalin se abuzimi nuk tolerohet. P.sh ndodhi ngjarja e fundit në burgun e Peqinit, (dhe ngjarje edhe më të rënda ka me dhjetëra) çfarë dëgjojmë, refrenin tallës: “ta lëmë drejtësinë të bëjë punën e vet”. “Këtë gjë tani e ka në dorë drejtësia”. Por në fakt, duhet analizë e vetë institucionit të burgut dhe ministrisë së Drejtësië. Pse ndodhi? Ku u gabua? Kush është përgjegjës? Analizë? Dorëheqje? Denoncim? NCUK. Për fat të keq, ajo që kemi parë pas “shpërthimit të skandaleve të njëpasnjëshme” ka qenë një proces në disa faza që nis me “shfajësimin”, pastaj vijon me “relativizimin”, gjëra të tilla ndodhin kudo dhe përfundon me fatalitetin…, “nuk kemi çfarë bëjmë” që më saktë shprehet në togëfjalëshin: “përgjegjësia është individuale”.

Që të ketë sukses lufta ndaj korrupsionit, nuk mjafton vetëm Ministria duhet ta nisë kryeministri, të përcillet mesazhi në institucione, gjithësecili të bëjë punën e vet, kontrolli i Brendshëm, KLSH, ILKDP, Prokuroria, gjykata, policia etj. A e keni vënë re që “hetim proaktiv” policia bën vetëm për mjekët? Ndërkohë që “ujku bën kërdinë”? Suksesi i kësaj beteje nuk është prodhimi i disa shifrave që duhen raportuar në Bruksel. Suksesi është ngritja e një mekanizmi që detekton, parandalon dhe vepron në planin politik, administrativ dhe legjislativ. Jemi në një situatë ku gënjeshtra/propaganda jo vetëm tolerohet, por stimulohet. Është krijuar jo vetëm kultura e tolerimit, por edhe e justifikimit ndaj abuzimit. 

Për të shmangur përgjegjësinë politike për bashkëpunëtorët e ngushtë të akuzuar apo të gjetur fajtorë për korrupsion, kryeministri thotë gjithmonë se ata kanë ngrënë mollë dhe dardha pas shpinës së tij. Me krijimin e Ministrisë Antikorrupsion e përdor dot më Rama këtë alibi apo Ministria do të ketë në fokus politikat kundër korrupsionit dhe jo domosdoshmërisht të ketë i formacion për të korruptuarit në qeverisje?

"Kur rastet e ngrënies së dardhave bëhen të përsëritura, Kryeministri bën mirë të kthejë kokën pas, herë pas here, se mos ndonjë i/e paudhë po kullufit mollë dhe dardha. Rastet e përsëritura tregojnë se korrupsioni është “problem serioz”, siç konstaton prej vitesh raporti vjetor i Komisionit Europian. Është qeveria ajo që është në ballë të luftës ndaj korrupsionit dhe jo SPAK. SPAK vepron kur “është thyer veza”. Drejtësia vepron kur është bërë dëmi. 

Drejtesia ndëshkon korrupsionin, por parandalimin dhe luftën e bën ekzekutivi. Korrupsioni luftohet me, transparencë, llogaridhënie, me politika antikorrupsion, ligje të “rrezeve të diellit”, rregullore, udhëzime, praktika të mira, me një fjalë me qeverisje  me duar të pastra. 

Për të luftuar korrupsionin duhet bashkëpunim me shoqërinë civile dhe institucionet e tjera në vend (përfshi edhe fenë)

Ju keni punuar në Shqipëri për Transparency International, që përcakton përhapjen e korrupsionit në 180 vende të botës. Çfarë i duhet një vendi që të përparojë realiisht në luftën lundër korrupsionit?

"Me një fjalë: transparencë. Me dy fjalë: transparencë dhe llogaridhënie. Me tri fjalë, transparencë, llogaridhënie,  përgjegjshmëri. Vendet që renditen më lart në betejën antikorrupsion janë vende të “parashikueshëm”, me institucione të forta, me gazetari dhe gjyqësor të pavarur, me arsim dhe shëndetësi të nivelit të lartë, janë vende me ekonomi tregu, ku konkurrenca lulëzon dhe abuzimi ndëshkohet. Nuk është se në këto vende nuk ndodhin skandale dhe abuzime, por dallimi është te mënyra se si reagohet. Atje për çdo “aksident” ka përgjegjësi. Këtu për çdo “aksident” ka shfajësim dhe futje koke në rërë si struci. Atje ka dorëheqje dhe jo fjalët magjike “ta lëmë drejtësinë të bëjë punën e vet”

Duhen ligje të mira, por ligjet e mira, nëse nuk zbatohen kanë efektin e njeriut që merr shatin dhe prashit në det. Për shembull, më 2014 është miratuar ligji për të drejtën e informimit të publikut me dokumeta zyrtare. Një ligj shumë i mirë. çdo qytetar i këtij vendi dhe jo vetëm gazetarët, kanë të drejtë të kërkojnë dokumenta dhe informacion nga administrata publike pa u kufizuar. Zbatimi i këtij ligji rrit transparencën, llogaridhënien dhe për rrjedhojë edhe përgjegjësinë. Çfarë ndodh? Zbatimi i ligjit ka degraduar nga viti në vit. Në thelb të ligjit është transparenca për çdo gjë. Provo të kërkosh një kontratë apo një procesverbal mbledhje. Ligji ta garanton, por zyrtarët nuk e japin. Ligji ka një kapitull transparence, ku institucionet publike duhet të bëjnë publike pothuajse çdo gjë. Çfarë ka për të fshehur? P.sh, ta nisim nga më e thjeshta: cili ministër apo vetë kryeministri kanë kërkuar ndjesë për një gënjeshtër publike?! Sa herë gjatë inspektimeve në kantieret që punohet natë e ditë, janë dhënë afate që shtyhen e shtyhen… Ndodh një skandal ku përfshihet një anëtar i kabinetit dhe përgjigja është: “të presim se çfarë do të thotë hetimi (që po zhvillohet në Bruksel”. Pyetja nuk është se çfarë bën drejtësia atje apo edhe drejtësia këtu. Pyetja është: po ti çfarë bën? Çfarë masash ke marrë? Çfarë mësimesh nxjerr? Po të presim fjalën e fundit të drejtësisë që mund të marrë edhe 10 apo 20 vjet nuk ka më kuptim të flasim për qeverisje të përgjegjshme. Antidoti më efektiv për të luftuar korrupsionin është qeverisja e mirë.

Ministria e re ka në përgjegjësinë e saj edhe administratën publike, për të cilën kryeministri kërkon rritje të cilësisë dhe të ekspertizës. Është në gjendje administrata jonë të japë më shumë, kur raportet për të tregojnë për një administratë thellësisht të politizuar, me rekrutime të pamerituara, kryesisht partiake dhe me fryrje për nevoja elektorale? 

"Ka një shembull të mirë të administratës, perfomanca në “procesin e skanimit”. Ka edhe një zhvillim pozitiv që është digjitalizimi (për hir të shembullit po e lemë mënjanë sigurinë), por këto janë vetëm dy llampa të vogla në korridoret e erreta të administratës. Administrata është e ndjeshme ndaj “vullnetit politik”. Nëse mesazhi është: “varja”, administrata “të rrjep”. Nëse mesazhi është: kjo është vija e kuqe, administrata do të jetë më e ndrojtur dhe shumë më pak abuzuese. Kjo sa i përket mesazhit antikorrupsion. Pjesa tjetër që edhe rrisim digjitalizimin, edhe rritim administratën, edhe ujësjellësit i kemi me humbje edhe shtojmë punonjësit, nuk ka të bëjë me shtetin, por me një mendësi partiake".

Ndryshimet e fundit në qeveri besoni se do të shërbejnë për të përmirësuar qeverisjen apo shihni ndonjë qëllim tjetër të kryeministrit?

"Kur je në mandatin e tretë dhe flet për antikorrupsion mendja ta do se është shenjë reflektimi, se ke ndërmend të luftosh korrupsionin që ke prodhuar vetë. Por, deri më tani, narrativa ka qenë e gabuar: “kemi ngritur drejtësinë e re”. Drejtësia e re mund të niste ndëshkimin nga 2013 dhe të përfundonte më 1912, nëse ministrat e kësaj shumice do të respektonin kodin etik të miratuar në mbledhjen e parë të qeverisë në shtator 2013 dhe të rishikuar në shtator të 2017. Kodet etike nuk bëhen për sytë e bukur, kodet etike zbatohen që të mos kesh punë me ligjin. Por siç është e qartë edhe për socialistin më të verbuar, janë të shumta rastet që “janë ngrënë mollë dhe dardha pa hesap”. Ndryshimet në parti dhe qeveri që përdor Kryeministri ndoshta janë një mënyrë për të mbajtur në tension permanent partinë dhe kabinetin, por në kushtet e një opozite të thërrmuar nuk shoh arsye që lëvizjet të jenë bërë në funksion të zgjedhjeve të ardhshme".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë