Bota

Ministri italian i Kulturës ndjesë publike gruas dhe Melonit për lidhjen jashtëmartesore: S’kam shpenzuar para nga buxheti i shtetit

Ministri i Kulturës në Itali, Gennaro Sangiuliano, është bërë kryefjalë e mediave të huaja, pasi u zbulua se kishte marrëdhënie jashtëmartesore me një grua të famshme në rrjetet sociale.

Gruaja, Maria Rosaria Boccia, publikoi disa dokumente që sipas saj tregojnë se ajo ka punuar si këshilltare e ministrit italian dhe ka marrë pjesë në udhëtime të shumta pune.

Në një intervistë televizive, Sangiuliano hodhi poshtë pretendimet se Boccia ishte e punësuar në ministrinë e Kulturës, por pranoi se ka një lidhje mes tyre. Gjithashtu, ai sqaroi se shpenzimet e udhëtimeve me 41-vjeçaren nuk janë mbuluar nga buxheti i ministrisë, por ishin shpenzime personale.

I përlotur, ministri italian i Kulturës i kërkoi falje familjes për momentet e vështira që po përjeton, si pasojë e tradhtisë së tij dhe presionit mediatik.

“Personi i parë që duhet t’i kërkoj falje është gruaja ime, një person i jashtëzakonshëm, më pas Giorgia Melonit, të cilën e turpërova dhe bashkëpunëtorëve të mi, të cilët e gjetën veten të përfshirë në këtë aferë.”- kështu tha ministri i Kulturës, Gennaro Sangiuliano, i cili shtoi se pas kësaj i kishte ofruar dorëheqjen kryeministres Meloni, por ajo nuk kishte pranuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë