Ngjarje

Ministrat e turizmit në Tiranë / Kumbaro: Shqipëria rishpiku vetveten përmes turizmit, edhe këtë vit do jemi në krye të listave

Nga Gazeta ‘Si’- “Nisur nga shifrat e para të vitit, Shqipëria do të jetë në krye të listave për numrin më të lartë të turistëve”, deklaroi ministrja e turizmit Mirela Kumbaro gjatë takimit të Komisionit për Europën të Organizatës Botërore të Turizmit.

"Edith Durham, shkrimtarja britanike e shekullit të XIX që shkeli veriun e Shqipërisë, në terrenin e vështirë por mahnitës mes Alpeve shqiptare, pikërisht ato pamje magjepsëse që sot i shohin miliona e miliona kureshtarë nga e gjithë bota në TikTok apo në Instagram dhe dëshirojnë një orë e më parë t’i vizitojnë. Studjuesja e shekullit të XIX shkroi dikur në kujtimet e saj se pikërisht kjo fjalë, ‘Fjala -mirë se erdhe - del drejt e nga shpirti i atyre njerëzve.

Ai vend dhe ata njerëz të befasojnë. E pra, ky shpirt, këta njerëz te të cilët ju keni ardhur sot, janë ata që historinë dhe traditën sot e e kemi kthyer në industrinë e mikpritjes që befason. Prandaj, si shqiptare dhe si ministre e turizmit e Shqipërisë, ndihem e privilegjuar dhe shumë e nderuar t’ju uroj mirëseardhjen në Shqipëri, duke ju falenderuar secilin prej jush, nga miku ynë Zurab dhe çdo delegacion të Europës që zgjodhët Shqipërinë për të kremtuar ditëlindjen e 70-të Komisionit për Europën të Familjes sonë të madhe 'UN Tourism'", deklaroi Kumbaro ndërsa theksoi se për vitin 2023 ishte Barometri i Organizatës Botërore të Turizmit që e renditi Shqipërinë në vendin e parë në Europë dhe të katërtën në botë për rritjen e flukseve turistike.

"Në 2023 pritëm 10.1 milionë turistë. Shumë sfiduese, por është nga ato rastet që tregon se kur punët bëhen me dashuri dhe përkushtim për realizimin e një vizioni, kur jemi bashkë me profesionistët e turizmit, investitorët, turoperatorët, partnerët e duhur ndërkombëtarë,  nuk ka asgjë që nuk mund të arrihet. I dashur Zurab, më duhet të të njoftoj se edhe këtë me shumë gjasë do të na gjesh sërish në krye të listës, sepse me shifrat e fundit, për tre muajt e parë të vitit 2024 Shqipëria mirëpriti 1.7 milionë vizitorë të huaj ose rreth 60% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Ama përtej shifrave, Shqipëria, ose “Perla e pazbuluar e Mesdheut”, siç shumë prej gazetave ndërkombëtare vijojnë  ta quajnë, po përjeton kohën e vet të transformimit nga turizmi jo thjesht si “ekonomi e kënaqësisë”, por mbi të gjitha si një formë emancipimi shoqëror. Falë turizmit, sot Shqipëria e ka më të lehtë që të tregojë bukuritë e saj, njerëzit e saj, energjitë e saj dhe rolin e saj në këto kohëra të trazuara”, deklaroi ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë