Politike

Ministeriali i jashtëm në Tiranë: Serbia të hetojë sulmin në Kosovë. Të përshpejtohet integrimi i Ballkanit

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, Komisioneri për Zgjerimin në Komisionin Europian, Oliver Varhelyi në konferencën e përbashkët për median kërkuan që Serbia të hetojë sulmin e 24 shtatorit në veri të Kosovës.

Konferenca vjen pas takimit të ministerialit të ministrave të jashtëm të vendeve  të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor dhe ata të vendeve anëtare të Procesit të Berlinit.

“NATO ka vendosur të intensifikojë angazhimin e saj në kuadër të trupave të KFOR. Vitin e ardhshëm edhe Gjermania do të regjistrojë më tepër trupa në KFOR për të dhënë kontribut. Por më lejoni të theksoj se rruga për të depërshkallëzuar situatën është ajo përmes bashkëpunimit. Ne duam të gjejmë një bashkëpunim tre dimensional...”, tha ministrja e Jashtme e Gjermanisë,  Annalena Baerbock,

Komisioneri për Zgjerimin në BE, Oliver Varhelyi nga Tirana tha se Prishtina dhe Beogradi duhet t’i rikthehen dialogut. Varhelyi tha se autorët e sulmit duhet të dalin para drejtësisë dhe se autoritete serbe duhet të bashkëpunojnë me BE-në.

“Mendoj se qëndrimi ynë ka qenë shumë i qartë. Së pari ne duhet të kemi një ulje të plotë të tensioneve mes Beogradit dhe Prishtinës. Të rikthehet dialogu dhe në këtë punë të jepen rezultate duke vënë në zbatim marrëveshjet e mëparshme përfshirë ata në Ohër. Autorët duhet të sillen para drejtësisë, autoritetet serbe të bashkëpunojnë me BE-në në lidhje me këtë çështje” tha Varhelyi.

Edhe Ministri i Jashtëm Igli Hasani i ka bërë thirrje Serbisë që të zhvillojë një hetim serioz lidhur me grupin kriminal që sulmoi Kosovën më 24 shtator ku mbeti vrarë polici Afrim Bunjaku.

“Ka ndodhur një ngjarje shumë e rëndë, një sulm terr kriminal në veri që kushdo që do mbante këtë detyre do reagonte. Qëndrimi ynë ndaj procesit të dialogut mbetet i pandryshuar dhe është në harmoni me BE dhe SHBA. Ne kemi deklaruar dhe kërkuar publikisht dhe zyrtarisht se formati duhet ngritur në nivelin e një konference me planin franko gjerman si udhërrëfyes,. Presim që Serbia të nisë një hetim serioz për grupin kriminal terrorist. Sidomos në situatën e tanishme dialogu Kosovë-Serbi është rruga e vetme drejt paqes”, tha Hasani.

Ndërkohë, Komisioneri për zgjerimin e BE-së Oliver Varhelyi, tha se BE do të vijojë mbështetjen e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock gjithashtu bëri thirrje që të përshpejtohet procesi i integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.

Pas hapjes së degës së Kolegjit të Europës në Tiranë shumë shpejt do të çelet dhe një fond kulturor për rininë ku vetë Gjermania do të derdhë 300 mijë euro.

Ministri i Jashtëm Igli Hasani ka zbuluar dy sektorët kyç të axhendës së samitit të Berlinit që do të mbahet më 16 tetor në Tiranë. Hasani tha në një deklaratë për mediat se energjia dhe transporti janë dy sektorët kyç.

“Ky ishte ministeriali i fundit në serinë e tre ministerialeve që i paraprijnë Samitit në Tiranë. Mirënjohje të gjithë kolegëve për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre. Këto takime janë ngjarje të rëndësishme që zhvillohen për herë të parë në një vend të rajonit tonë. Ato zhvillohen në një moment veçanërisht të rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor dhe Evropën. Situata aktuale gjeopolitike ka prodhuar shumë sfida që kërkojnë vëmendje e adresim.

Kërkojnë po ashtu angazhim të fortë, jo vetëm të rajonit, por edhe të BE. Krahas sfidave, kjo situatë ka prodhuar edhe një vullnet të ri politik. Ka përforcuar angazhimin e BE-së me rajonin tonë. Ky vullnet shprehet edhe në këto takime, sigurisht edhe Samiti pas pak ditësh. Samiti dhe tri Ministerialet, janë një mundësi për të diskutuar se çfarë forme mund të marrë ky angazhim.

Çfarë forme mund të marrë mbështetja e BE për rajonin në kushtet aktuale. Procesi i Berlinit mbështetet në 3 shtylla: 1. Perspektiva evropiane; 2. Zgjidhja e mosmarrëveshjeve; 3. Përmirësimi i performancës ekonomike të rajonit.

Samiti i këtij viti do të fokusohet kryesisht në shtyllën e tretë. Në tryezë janë disa propozime që do të përmirësojnë ndjeshëm zhvillimin ekonomik të rajonit

Propozimet janë plotësisht në linjë me Planin e Rritjes të propozuar nga Von Der Leyen. Duhet investuar për ngushtimin e hendekut në zhvillimin ekonomik që ekziston mes Ballkanit Perëndimor dhe BE. Kjo ndihmon në përgatitjen e ekonomive tona për integrim në tregun e përbashkët të BE.

Energjia dhe transporti, janë dy sektorë kyç në axhendën e këtij viti të Procesit të Berlinit. Përtej këtyre dy fushave, kemi punuar për nisma konkrete edhe në sektorë të tjerë. Këto nisma na ndihmojnë të integrohemi në disa politika të tregut të përbashkët të BE. Qëllimi është që rigjallërimi i procesit të integrimit të konkretizohet me masa që janë të prekshme nga qytetarët”, tha ministri Hasani.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë