Komunitet

Minatorët në protestë, paralajmërojnë nisjen e grevës pa afat

Minatorët dhe Sindikatat që i mbrojnë janë bërë të gjithë sëbashku në protestën e ditës së sotme. Fillimisht ishin vetëm minatorët në pension të cilët ishin të pranishëm në protestë, ndërsa më vonë ju bashkuan edhe sindikatat.

Në protestën që nga Policia u konsiderua si e paligjshme, për shkak të refuzimit të lejes, ajo që minatorët kërkuan është miratimi i statusit të minatorit gjatë kësaj legjislature, një e drejtë e mohuar sipas tyre.

“Pensioni im është vetëm 140 mijë lekë. Kam punuar për 24 vite në minierë, dola në pension, por me këtë pension që kam nuk arri të sigurojë asgjë. Kurohem nga mushkritë për shkak të pluhurave të shumë që kam thithur gjatë punës time si minator në minierat e bakrit, e me pensionin që kam, nuk arrijë të sigurojë asgjë. Ditën që e marrë çdo muaj, i gjithë shkon për të paguar dritat dhe ujin”, shprehet një nga minatorët e pranishëm në protestë.

Por ky minator nuk është i vetmi, si ai janë të shumtë.

“Kam vetëm 140 mijë lekë pension, qesharake. Punova për vite nën tokë, në shërbim të këtij shteti, tani është shteti që jo vetëm nuk e kam në krah, por për të nuk ekzistoj. Kujtohen për mua vetëm një herë në katër vite. Jam 65- vjeç dhe nuk kam më as fuqi dhe as mundësi për të punuar, pasi askush nuk do të merrte në punë një të moshuar. Çfarë të bëj? Ku të përplasem?”, thotë një tjetër minator i  cili për 12 vite ka punuar në minierën e kromit në Kalimash.

Nga ana tjetër minatorët u shprehën se ata nuk do të tërhiqen pa miratimin e statusit të minatorit dhe paralajmëruan se ditën e martë do të fillojnë një grevë pa afat.

Përfaqësuesi i Sindikatave të Shqipërisë, Nikoll Gjoka, u garantoi minatorëve mbështetje, duke thënë se të martën të gjithë sëbashku do të jenë në protestë.

Protesta nga ana tjetër nuk ka kaluar pa shoqërimin e disa minatorëve në polici, si dhe  Sekretarin  e Përgjithshëm të Federatës së Sindikatave të Punonjësve të Industrisë së Shqipërisë, Taf Kolecin, në cilësinë e organizatorëve të protestës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë