Lojëra me Dore

Miluoki leksion Bostonit, Golden Stejt nuk njeh rivalë

Miluoku Baks e ka realizuar shumë shpjet hakmarrjen ndaj Boston Sëlltiks. Pas humbjes në ndeshjen e parë gjysmë finale, Baks kanë reaguar në ndeshjen e dytë, duke fituar thellë 123-102. Në ndeshjen e tjetër të çerekfinaleve të play off-it të NBA Golden Stejt ka vazhduar marshimin ndaj Hjuston Rokets. Edhe në sfidën e dytë kampionët në fuqi nuk lëshuan pe, por mposhtën ekipin që besohej se do të bënte një rezistencë më të fortë në këto finale të play off-it.

Sfida e zhvilluar në “Fiserv Forum” ka parë një Miluoki Baks në versionin e tij më të mirë. Me Antetokounmpo në super formë çdo gjë bëhet më lehtë. Basketbollisti grek realizoi 29 pikë, 4 asist dhe 10 ribaund, duke u ndihmuar gjithashtu edhe nga Midëllston dhe Bledsoi që zhvilluan një ndeshje shumë të mirë. Tashmë ndeshjet shkojnë në barazim 1-1 dhe çdo gjë është e hapur për ekipin që do të avancojë në finalen e Konferencës së Lindjes.

Golden Stejt në fazën finale të sezonit po tregon formën e tij më të mirë. Ekipi kampion në fuqi fitoi edhe në ndeshjen e dytë gjysmëfinale me Hjuston Rokets edhe pse nuk ishte aspak e lehtë. Ashtu si në ndeshjen e parë, Rokets bën rezistencë të fortë, por Durant i mbështetur nga Tomson ishte në formë të shkëlqyer. 112-109 u mbyll kjo ndeshje, me Hjuston që tregoi se nuk ka ndërmend të dorëzohet lehtë, por ka vështirësi që të fitojë, pasi në shumë raste ylli i ekipit Harden është i vetëm. Me këtë fitore, rezultati i përgjithshëm i këtyre ndeshjeve shkon në 2-0 në favor të Uorriërs.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë