Lojëra me Dore

Milluoki shpallet kampion i NBA-së, Janis i rikthen titullin pas 50 vjetësh

Duhej diçka hyjnore për të prishur një mallkim që zgjaste prej 50 vjetësh. Dhe Milluoki Baks e kanë gjetur me anë të Janis Antetokounmpo, hyjnisë greke që zbriti nga Mali i Olimpit për t’i sjellë qytetit të birrës titullin në NBA, që mungonte që nga koha kyr ylli i tij quhej Karim Abdul-Xhabar.

Janis ka firmosur titullin e Milluokit, që mbylli llogritë ndaj Feniks në ndeshjen e 6-të, duke shkuar në 4-2. Ishte një ndeshje e madhe për basketbollistin grek, me 50 pikë, 14 ribaunde, 5 stopime dhe një dominim të jashtëzakonshëm në fushë. Ai i udhëhoqi Baksat drejt fitores 105-98, që i çoi ata në majën e NBA-së, ku ai ëndërronte të shkonte. Ia doli, siç bëjnë fenomenët e vërtetë, siç bëjnë lojtarët më të mirë të finaleve, duke ekzaltuar 65000 tifozët e çmendur jashtë “Fiserv Forum”.

Janis, lojtari me i mire i Milluoki Baks. Gazeta Si, 21 korrik 2021

Titulli i Baksave është mëse i merituar, është fundi i një udhëtimi që ka zgjatur të paktën 3 sezone. Skuadra ka mësuar nga gabimet, e kuptoi si fitohet dhe ia arriti qëllimit, duke shfrytëzuar talentin e Janis me lojtarët e duhur. Edhe pse është 26 vjeç, Antetokounmpo ka dy trofe si lojtari më i mirë i sezonit të rregullt. Tani, me këtë unazë të fituar, i kalon të gjithë, është shenjtërimi i madhështisë së tij në një seri të dominuar me një mesatare prej 35.2 pikësh dhe 13.2 ribaundesh.

Kris Middëllton është shoku i tij i udhëtimit, më shumë se një violin e dytë. Jrue Hollidei është një tjetër lojtar i mrekullueshëm, mbreti i të nënvlerësuarve në parket. Është edhe triumfi i PJ Takër, Bruk Lopez, Pat Konaugton, Krejzi Ajs dhe Bobi Portis. Edhe i trajnerit Budenholzer, një nga nxënësit e shumtë të Greg Popoviç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë