Teknologji dhe Inovacion

Microsoft “kopjon” Mac dhe Android! Windows 11 po vjen më i shpejtë, më i thjeshtë dhe…falas

Microsoft hedh në treg duke filluar nga kjo e martë Windows 11, sistemin e ri të operimit, që do të përditësojë kompjuterat që kanë një sistem operimi Windows 10. Sistemi i ri është konceptuar “më i thjeshtë, më i pastër dhe më i shpejtë”.

Përditësimi ka nisur me pajisjet në Azi dhe do të vazhdojë gradualisht edhe në vendet e tjera të botës. Microsoft premton se procesi do të jetë i thjeshtë, me një buton dhe në gjendje që të kryhet edhe nga përdorues me njohuri minimale të sistemit të operimit.

“Si njësi matëse përdor babain tim. Ai është 89 vjeç. Jam shumë i lumtur për të që përmes një butoni do të mund të përditësojë sistemin”, tha për BBC, Panos Panay, shefi i produkteve të Microsoft.

Windows 11 vjen me ndryshime thelbësore në dezajn, së bashku me disa thjeshtime e përmirësime të mënyrës se si funksionon sistemi. Menuja “Start” do të shfaqet në qendër të ekranit, me opsionin që përdoruesi të mund ta zhvendosë sipas dëshirës. Me një klikim, menuja shfaq një listë me aplikacionet më të përdorura.

Dezajni i ri imiton disi menutë e telefonave, sidomos të iPhone, por edhe të sistemit “Mac” të Apple. Thjeshtohen gjithashtu edhe shfaqjet e dosjeve dhe të programeve. Me sistemin e ri rikthehen “Widgets”, që u prezantuan fillimisht me Windows Vista në 2007-n.

Disa ndryshime shkojnë më thellë se thjesht pamja, si integrimi i Microsoft Teams, që zëvendëson Skype dhe Xbox App i ngarkuar me reklama të produkteve të tjera të Microsoft.

Dyqani virtual Microsoft Store ka ndryshuar krejtësisht dhe do të lejojë palët e treta që të zhvillojnë aplikacione dhe t’i shesin ato përmes këtij dyqni duke mbajtur si komision një shifër simbolike.

Një shtojcë në Microsoft Store, që ka habitur edhe vetë ekspertët është ajo që Windows 11 do të hapë aplikacionet e ndërtuara për sistemet Android përmes aplikacionit të dyqanit online të Amazon.

Përshtypjet e deritanishme nga ata pak persona që e kanë instaluar janë përgjithësisht pozitive. Ata thonë se sistemi i ri është më i thjeshtë, më i shpejtë, por mbetet problemi i zakonshëm ku në kutinë e kërkimit “search”, Microsoft favorizon motorin e vet të kërkimit Bing dhe shfletuesin (browser) Edge.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë