Teknologji dhe Inovacion

Microsoft do të ringjallë të vdekurit…virtualisht

Microsoft ka marrë patentën për studimin, zhvillimin dhe ndërtimin e një teknologjie e deri të një “roboti” që mund të marrë personalitetin, karakterin e deri edhe pamjen e një njeriu.

Sipas dokumenteve të dorëzuar në zyrën e patentave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, roboti në fjalë do të ndërtohet përmes informacionit që mund të mbledhë për një persona të caktuar në rrjetet sociale, përfshirë këtu imazhet, zërin, informacion mbi sjelljen, postimet dhe mesazhet.

Kjo është pjesë abstrakte e tij, ndërsa në dokumentacion nuk përjashtohet mundësia që më pas gjithë këtij informacioni t’i jepet edhe prania fizike, dy dhe tredimensionale duke shfrytëzuar fotot dhe videot e një personi.

Patenta e marrë prej Microsoft nuk thotë se ky produkt do të përdoret për të “ringjallë digjitalisht” personat e vdekur, por mes rreshtave merret si shembull përdorimi për robotin, pra të imitojë dhe rikrijojë një person të caktuar.

“Personi i caktuar mund të jetë i të shkuarës, ose të tashmes, një mik, i afërm, një i famshëm, një karakter imagjinar, figurë historike, njeri i thjeshtë etj”, lexohet mes rreshtave të patentës.

Pas përhapjes së këtij lajmi në rrjetet sociale, shumë përdorues thanë se skenarët hollivudianë si në serialin “Black Mirror”, apo “Altered Carbon” po bëhen realitet.

Aplikimi për marrjen e kësaj patente është bërë që në vitin 2017 nga ana e Microsoft, por vetëm në dhjetor të vitit të kaluar është miratuar. Drejtuesi i programeve AI në Microsoft, Tim O’Brien tha se nuk ishte në dijeni të kësaj patente dhe as të ndonjë plani për të ndërtuar këtë teknologji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë