Art dhe Kulture

Metamorfoza e Mirela Kumbaros 

Suadela Balliu – “Nëse do të isha zëri i shoqërisë civile”, thoshte përpara një publiku të ftuar në përurimin e godinës, e cila u pagëzua si “ArTurbina” –një  skenë alternative për artet performuesve –“ a do të kisha protestuar për kushte më të mira për artistët, për aktorët, për kushte më të mira për bibliotekën kombëtare? Patjetër!” Ishte zëri i ish-ministres së Kulturës Mirela Kumbaro, e cila u largua nga detyra vetëm pak ditë më parë, për t’ia lënë vendin pasueses, ministres së re Elva Margariti.

Ishte korriku i vitit 2018, ku Kumbaro ishte shënjestra kryesore e debatit – dhe protestave që e shoqëruan – mbi projektligjin special për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, që do t’i hapte udhë kështu ndërtimit të një godine të re, nga firma private  “Fusha shpk” – që e kthente të shumëpërfolurin dhe kritikuarin partneritet publik-privat, i njohur me akronimin PPP, në anekdotë, për rastin në fjalë. Projekti i teatrit të ri, ashtu si edhe në rastin e stadiumit “Qemal Stafa”, do të thoshte një godinë multi-funksionale, ose më qartë , teatri do të ishte pjesë e një kompleksi kullash, që do të ngriheshin pas tij. Me gjithë hamendësimet e shoqërisë civile dhe komunitetit të artistëve që kishin ngritur zërin në protesta, thuajse të përditshme, edhe publikimi i projektit të studios daneze të arkitekturës, “Bjarke Ingels” , ku nuk shfaqeshin kulla, por një  maket godine moderne, ngritur  një hark, ku parashikoheshin të organizoheshin koncerte, nuk i zbuti reagimet e forta.

Çështja ishte tek ruajtja e trashëgimisë kulturore, tek një godinë e ndërtuar nga qeveria italiane, në fund viteve ’30, fillim viteve ’40, e cila kishte parë breza aktorësh të shkruanin historinë e re të teatrit shqiptar. Jo vetëm që qeveria nuk u tërhoq, duke e çuar ligjin për miratim në Parlament, megjithë zërat kundër që bërtisnin në megafona jashtë oborri e që pas ecejakeve institucionale mes Presidentit, qeverisë, parlamentit, ligji i ‘rishikuar’ për vërejtjet e presidentit Meta, kaloi sërish në parlament, por menjëherë nisi shpërngulja e Teatrit Kombëtar me të gjithë kalendarin artistik, drejt godinës alternative “ArTurbina”, e cila do t’u shërbente aktorëve dhe regjisorëve si strehë, deri në ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar, me kushte dinjitoze, ku aktorët nuk do të merrnin ‘plevitin’, nuk do të rrezikonin jetën nga ndonjë shembje e papritur e skenës të rrëgjuar prej viteve dhe lagështisë apo helmimit prej materialeve që mund të shkaktojnë kancer siç është asbesti, që u tha se qe përdorur si material termoizolues, në ndërtimin e  godinave asokohe, por  i ndaluar tanimë. Kumbaro, e cila në mandatin e saj të parë si ministre e Kulturës kishte hartuar  Ligjin për Trashëgiminë Kulturore, do të shprehej se godina në fjalë, ajo e Teatrit Kombëtar, jo vetëm që nuk qe një godinë që të linte pa frymë, por për sytë e ministres, ishte “një godinë mëse mediokre”. “ I mbështes  kërkesat e grupeve të interesit dhe shoqërisë civile kur kërkojnë kushte dinjitoze, kur duan më të mirën në kulturë. Por, kur je në anën e protestuesve sheh vetëm ëndrrën dhe jo rrugën që të çon drejt saj”, do të thoshte sërish Kumbaro, në fjalën e saj, gjatë përurimit të ArTurbinës, e reklamuar si një arritje për rijetëzimin e një godine dikur gërmadhë në mes të kryeqytetit e që tani ishte plotësisht funksionale – edhe pse jo në funksionin e saj të parë si institut hidrometeorologjie, për të cilin qe projektuar e ndërtuar e që njihej si  Turbina.

Kryeministri Edi Rama dhe ish-ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, në përurimin e “ArTurbina”, korrik 2018

Si ministre e Kulturës, Mirela Kumbaro nuk kishte mbërritur deri aty nga radhët e politikës, por nga fusha e përkthimtarisë, karriera akademike dhe nga një angazhim i gjatë e aktiv në shoqërinë civile, me kontribut në fushat e kulturës, arsimit dhe problemeve sociale. Në janar të 2019-ës, thuajse një vit pas fjalës së saj, ku për herë të parë si ministre do të kujtonte kohët kur i përkiste shoqërisë civile, pas pothuajse gjashtë vitesh në detyrën e ministres së Kulturës, ku në fjalën e lamtumirës nuk humbi rast të rendiste edhe të gjitha arritjet e dikasterit, me të në krye, e lirë nga detyrimet ministrore, do të renditej tanimë në krah të shoqërisë civile (si dikur, përpara se të emërohej ministre, nga radhët e së cilës doli), kundër shpimeve me eksploziv për naftë e gaz në  Zagori, nga kompania e huaj “Shell”.

Mirela Kumbaro në urën e Nivanit, Zagori

“Sot ndodhem në Sheper të Zagorisë, krah zagoritëve, për të dëgjuar me veshët e mi shpjegimet e kompanisë Shell, që synon të gjejë naftë e gaz, në Qarkun e Gjirokastrës”, shkruante Kumbaro në profilin e saj të Facebook-ut, ndërsa ka qenë mes banorëve të zonës, në dëgjesën publike që përfaqësuesit e kompanisë  në fjalë kanë organizuar. Sipas ish-ministres, vlerësimi ishte i bërë me nxitim, i sipërfaqshëm dhe sipas saj, mungonin shumë elementë studimorë për zonën. Sipas saj, zonat e përmendura nga kompania, janë zona të mbrojtura dhe Kumbaro nuk e ka fshehur pakënaqësinë për mënyrën e cekët, me të cilën ky investitor i huaj ka  vlerësuar trashëgiminë kulturore. “E ardhmja e Zagorisë është turizmi natyror e kulturor, kjo është bindja ime”, vijonte mendimin e saj në Facebook, Mirela Kumbaro, e cila është gjithashtu deputete e qarkut të Gjirokastrës dhe ndoshta më shumë sesa aktiviste e shoqërisë civile, zëri i saj mund të ketë qenë ai i deputetes së zonës. 

Ura e Hoshtevës në Zagori, restaurimi i së cilës ishte prioritet i MK, për 2018

Menjëherë pas kësaj, ka reaguar Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, të cilët u mblodhën më 24 janar, në Akademinë e Shkencave për një tryezë diskutimi, duke ngritur shqetësimin mbi mbrojtjen e Parkut Kombëtar të Zagorisë. “Harron se ka qenë pjesë e kabinetit qeveritar, kur është firmosur kontrata me kompaninë e naftës. Si ministre e Kulturës nuk ka bërëasnjë oponencë për vendimin, për zonën e saj elektorale. Të  mos flasim pastaj që  për neglizhencën e saj,  u rrezua ura dhe u dëmtua kisha e Hoshtevës, në Zagori”, shkruhet në faqen e Facebook-ut të  këtij forumi, mbi një postim të lajmit, ku ish-ministrja e Kulturës, ‘proteston’ në krah të banorëve dhe kundër kompanisë së huaj. Me një vendim të qeverisë, më 2018-ën, lugina e Zagorisë, me një shtrirje nga Peshtani në Sheper, u shpall Park Kombëtar, ku prej korrikut të vitit të shkuar ruhet nga forcat e policisë së shtetit dhe punonjësit e Ministrisë së Mjedisit.

Kisha e Shën Apostujve, Hoshtevë, Zagori

Por, kur ishte në detyrën e ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro do ta mbronte me ngulm vendimin e saj për punimet në brendësi të Parkut Kombëtar të Butrintit, ku u tha se ministrja kishte dhënë leje për ndërtimin e një biznesi privat dhe se themele betoni, ishin hedhur fare pranë kullës Veneciane, të shekullit të Shtatë. Kumbaro do të shprehej në medie se nuk bëhej fjalë për ndërtime të reja, por rikonstruksioni i një magazine të vjetër, jashtë funksionit dhe një shtese me dru dhe xham, e lëvizshme në çdo kohë dhe që, sipas një udhëzimi që Ministria kishte nxjerrë mbi këndet e shërbimit – të cilat ajo i quante “SAL”; suvenire, art, libra – në site të ndryshme kulturore, ishte edhe ajo e Butrintit, një sit i trashëgimisë kulturore që mbrohet nga UNESCO.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, duke folur gjatë një mbledhje te Komisionit Parlamentar të Medias, ku ishte thirrur për të raportuar në lidhje me ndërtimin që po bëhet brenda Parkut te Butrintit. 11 tetor 2017

Për këtë Kumbaro do të kritikohej edhe nga deputetë socialistë e do të thirrej në Komision Parlamentar për të dhënë shpjegime të mëtejshme për vendimin e marrë, ku pati edhe diskutime të ndezura. Megjithëse më herët Kumbaro kishte thënë se e kishte njoftuar zyrën e UNESCO-s, në Paris, mbi këtë ndërhyrje në sit, pasi drejtoresha e Qendrës së Trashëgimisë Botërore në UNESCO , Mechtild Rossler e mohoi se ishte vënë në dijeni, Kumbaro do të shprehej në komision, se pala shqiptare nuk e kishte për detyrim t’i dërgonte UNESCO-s hollësi për çdo projekt, edhe pse ka vijuar të pohojë se i është dërguar një raport përmes postës elektronike.

Kumbaro dhe drejtoresha e UNESCO , Audrey Azoulay

Një tjetër debat që e vuri sërish kundër shoqërisë civile, Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore , si edhe arkeologëve dhe arkitektëve, ishte projekti i Velierës, në Durrës. Simboli i qytetit të ri, prezantuar jo pa entuziazëm nga kryebashkiaku i Durrës, Vangjush Dako, do të ishte një velë gjigante prej betoni. Në atë zonë, pranë Torrës Veneciane,  megjithëse u zbulua një strukturë muresh dhe një top i fillim shekullit të 19-të, punimet për ndërtimin e “Velierës” , nisën pa marrë vendimin e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë. Ministrja Kumbaro do të prononcohej edhe për këtë çështje e duke hequr paralele me projektin e stadiumit “Qemal Stafa”, ku u premtua se do të ruhej fasada e tij, si një vlerë historike dhe monument kulture, (premtim që në fund nuk u mbajt, pasi fasada, pësoi të njëjtin fat si pjesa tjetër e stadiumit për t’i dhënë jetë një strukture gjigante, me funksione të gjithfarëllojshme, ndër to edhe stadium). Projekti “Veliera” zotohej se do të ruante rrënojat që ishin zbuluar nën të. Edhe termin “rrënoja” ministrja do ta relativizonte, me të sajën, duke thënë se nga gërmimet kishte dalë në pah një ndërtesë e  vjetër, por që kishte pësuar shndërrime, prej viteve ’30 e deri kohëve të fundit.  Për ta relativizuar edhe më çështjen, Kumbaro do të shprehej e habitur me  ndjeshmërinë “e papritur” të arkeologëve e qytetarëve, të cilët nuk kishin qenë po aq të ndjeshëm më 2010-ën, kur u shkatërrua një lagje e tërë e epokës romake, për të ngritur një grataçielë.

Nuk do të kishin hequr dorë as ajo e as kryebashkiaku Dako, ndërsa çështja mes ndërtimit të Velierës dhe gërmimeve të mëtejshme arkeologjike, në një zonë prej 500 metrash katrorë, nuk do të kish përfunduar në dyert e gjykatës,  duke i pezulluar punimet, për afro dy vjet tashmë. Mbi çdo debat të lidhur me çështje të trashëgimisë kulturore dhe ndërtimeve të reja pranë apo mbi to, faji do ta vinte gishtin tek mediet. Çështje keqinformimi, thuhej e përsëritej shpesh. E vërteta qëndronte ndryshe, sipas ministres. Ashtu u tha edhe pas daljes së një udhëzimi, që do të jepte me qira monumente të kulturës. Sërish Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore do të ironizonte, duke u shprehur se kalatë e Shqipërisë rrezikonin të shndërroheshin në mjedise dasmash e ahengjesh. Disa shkuan me talljet edhe më tej, duke thënë se ato do të shndërroheshin në motele ose qofteri.

Ministrja Kumbaro dhe Kryeminsitri Rama në prezantimin e projektit për Stadiumin e ri, Arena kombëtare

Edhe për këto zëra Kumbaro e kishte një përgjigje. Kishin qenë precendentët e këqij, deri para marrjes së frerëve të qeverisë nga e majta dhe ministrisë së Kulturës nga ajo, ku kontratat me privatët në këto monumente thjesht ishin shfrytëzuar për biznes, por jo me qëllimin e rijetëzimit për qëllime social-kulturore , siç kishte vizion qeveria Rama dhe ministrja Kumbaro. Edhe njëherë PPP-të, ose partneriteti i publikes me privaten, shiheshin si model suksesi, duke marrë modele të huaja, siç ishte ai i Arenës së Veronës,  brenda së cilës  organizohen koncerte të ndryshme muzikore.  Një filozofi, e cila ndiqet në të gjithë Europën e zhvilluar, do të thoshte Kumbaro, nuk kishte pse përjashtohej në një vend si i yni.  Kështu monumentet e Kulturës do të ktheheshin sërish në jetë, nga gjendja e fjetur apo gjysmë e degraduar ku mund të ndodheshin disa, pa shpenzuar para publike, sepse do të ishte privati, P-ja e tretë e akronimit të partneritetit, që do ta bënte këtë punë dhe siç duket, me vizionin e ministres as nuk do të kishin në plan të parë qëllimin e fitimit. Edhe njëherë kthehej në vëmendje trashëgimia e keqe që kishin lënë qeveritë e mëparshme. Një rast ku Ministria e Kulturës kishte treguar kujdes për jetën e këtyre monumenteve ishte  Kalaja e Lezhës, një nga kontratat e para që ministria e drejtuar prej Kumbaros anuloi, pasi kishte shkelje të procedurave. Paskëtaj do të shfuqizoheshin vendimet që do të kishin çuar në realizimin e projektit, ku shteti kishte lidhur kontratë me privatin, duke i dhënë me qira kalanë e Lezhës, që sipas Kumbaros dot a kishte dëmtuar monumentin. 

Një tjetër shembull suksesi i partneriteteve publik-privat, Kumbaro do të merrte asokohe, kur diskutoheshin kalatë rijetëzimin e qendrës historike të Pazarit të Korçës, që u restaurua falë bashkëpunimit të Bashkisë Korçë me bizneset, që tashmë kanë lulëzuar brenda monumenteve, edhe pse projekti kushtoi katër milionë dollarë,  që u financuan nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe ai Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.    Në mandatin e  dytë të qeverisë Rama, renditeshin si suksese në fushën e kulturës 571 monumente të trashëgimisë kulturore që kishin mundur ta greminën në shpëtim, 200 objekte të gjetura në grahma të fundit dhe  20 operacione shpëtimi që ende janë në punë e sipër, ndërsa priten edhe 67 të tjerë  për zbatim. Vetë Kumbaro, e cila më herët, gjatë mandatit të parë, do të quante arritje mbylljen e një inventari mbi monumentet e trashëgimisë kulturore, që nuk ishte bërë prej tre dekadash, ku sipas saj prej vitit 1982, mungonin (që do të thoshte se kishin reshtur së ekzistuari prej neglizhencës së qeverive të mëhershme) dhe për të legjitimuar përballë opinionit publik pse PPP-të, në sferën e kulturës ishin të domosdoshme, do të shprehej se financat publike nuk mjaftojnë dhe nuk do të mjaftonin edhe në rastin e një dyfishimi të buxhetit.

Kumbaro dhe Rama në sokakët e Gjirokastrës

Tanimë, e zhveshur nga kostumi ministror, Mirela Kumbaro nuk e ka të vështirë të rreshtohet edhe njëherë në radhët e shoqërisë civile, duke ngritur zërin në favor të banorëve të Zagorisë, që kërkojnë të mos nisin kërkimet dhe shpimet për naftë në fshatrat e tyre. Marrëveshja  mes kompanisë Shell – e njohur si “Royal Dutch Shell”,  një nga më të mëdhatë në botë në fushën e energjisë dhe hidrokarbureve, me një veprimtari të shtrirë në  70 shtete – dhe shtetit shqiptar u firmos në shkurt të 2018-ës, mes ish-kolegut të Kumbaros, ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë z. Damian Gjiknuri dhe përfaqësuesi të  kompanisë. Jon-Henk van Konijnenburg. Një marrëveshje për kërkim nafte në Bllokun 4, ose thënë ndryshe në atë terren mbi të cilin ndodhet Parku Kombëtar i Zagorisë, i emëruar i tillë, me vendim të Këshillit të Ministrave, pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe Michele Elia, Menaxher i TAP në Shqipëri, gjatë vizititës në një nga sitet e gërmimeve arkeologjike në gjurmën e gazsjellësit TAP në Shqipëri. Kumbaro do të thoshte se nga ndërtimi i TAP janë punësuar 100 arkeologë.

Herën e parë që kjo kompani kushte tentuar të hynte në Shqipëri kishte qenë viti 1994, por pa arritur të shpojë puse në zonat e njohura në  gjuhën teknike si blloqet “B” dhe “F”, të cilat më pas ia dha përkatësisht kompanive “Petromanas” dhe “Bankers” . Tanimë, tërheqja e kësaj kompanie mund të vijë për ndoshta për shkak të protestave të banorëve dhe shoqërisë civile. Reagimeve të banorëve të Zagorisë, vetë kryeministri Rama, do t‘u përgjigjej se debati për kërkimet e naftës në Parkun Kombëtar është i mirëseardhur dhe do t’u kujtonte se qeveria e shpalli park Kombëtar, “në vazhdën e programit të mbrojtjes së bukurive të natyrës sonë nga Hece, gurore,etj.” Gjë që nuk ka ndodhur me parkun e Valbonës, ku me gjithë kundërshtitë e shoqërisë civile apo ambientalistëve, punimet për Hece-t kanë nisur. Po kështu me kanionin e Holtës, në Gramsh, që po zhduket nën betonin e Hece-ve. Prej pak ditësh, me t’u bërë publik fakti i masakrës natyrore, qytetarët po firmonin peticione online për t’i thënë “ndal” shkatërrimit të kësaj bukurie natyrore.

Mirela Kumbaro gjatë fushatës elektorale, 2017 në fshatin Lipë të Përmetit

Por këto nuk kanë lidhje me ministren Kumbaro ,  që ndoshta mund të dalë të protestojë  tashmë edhe pro mbrojtjes së tyre si pjesë e shoqërisë civile. Megjithatë, duke u nisur nga vullneti i kryeministrit për dialog me banorët ( një prirje e parë shpesh tek ai kohëve të fundit, si në rastin e protestave të studentëve ), duket se ish-ministrja e Kulturës, nuk i ka  dalë diametralisht kundër ish-shefit  të saj të kabinetit qeveritar dhe kryetarit të Partisë , i cili e vendosi në zgjedhjet e përgjithshme të 2017-ës në listën zgjedhore, si deputete e qarkut të Gjirokastrës. Në mandatin e saj, thuajse gjashtëvjeçar, si ministrja më jetëgjatë e Kulturës pas viteve ’90, Mirela Kumbaro ka qenë në qendër të debateve me shoqërinë civile. Si vendimmarëse, u drejtohej ajo publikut, duhet t’i peshosh të gjitha mundësitë për të bërë të mundur realizimin e ëndrrës, me buxhetet dhe mundësitë e një vendi jo të kamur, ku  siç do thoshte ajo në korrik të 2018-ës, përpara çeljes zyrtare të “ArTurbina” , “mentalitetet dembele ende thonë “ne s’kemi bukë, ti do muze e teatro.”

Megjithë respektin që shprehte për ndjenjat e atij komuniteti të shoqërisë civile, Kumbaro do të thoshte se fanatizmi dhe emocionet për të ruajtur gjithë ç’është e shkuar, nuk ndihmo në ndërtimin e së ardhmes.  Po tani, në radhët e shoqërisë civile a do të pranonte ajo një përgjigje të ngjashme me të sajën, që megjithë reagimet e banorëve, do t’i hapte udhë shpimeve në Parkun Kombëtar të Zagorisë? A mos e bëjnë gjashtë vite si ministre, por edhe angazhimi politik si Deputete  e Partisë Socialiste në Parlament, pak të besueshme si zë i shoqërisë civile Mirela Kumbaron?!  Ashtu siç tha në korrik të 2018-ës, si shoqëri civile, ajo do të kishte protestuar. Mbase jo për teatrin!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë