Art dhe Kulture

Përurohet “ArTurbina” …Po tani kush është Teatri?

Skena e re, alternative,  për artet skenike, figurative, muzikën dhe teatrin, u përurua në ditët kur debati për  shembjen  e godinës së Teatrit Kombëtar  ende zien.   Një ngrehinë e ringjallur nga rrënojat dhe një tjetër, së cilës  duket se i është shkruar fati të pushojë së ekzistuari…Nevojë për një skenë alternative me kushte moderne, në ditët kur edhe në mjediset e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit ka nisur rikonstruksioni apo një dorezë dueli për ata që protestojnë duke u vetëshpallur “Unë jam Teatri”?

Nga Suadela Balliu

Nuk të duhet më shumë se një vështrim i shpejtë  për të kuptuar se të pranishmit në oborrin e “ArTurbinës” godinës së re alternative që do të shërbejë si strehë për një sërë zhanresh të arteve skenike, pamore e performuese, ishin më të shumtë në numër sesa ai grusht njerëzish i mbledhur përpara oborrit të godinës së Teatrit Kombëtar , që pas nënshkrimit të peticionit kundër shembjes së tij, e shprehin solidaritetin me letra të bardha ku me shkrim dore në të kuq mund të lexosh  sloganin “Unë jam teatri”.

Për nga veshja e të ftuarve, rojet e sigurimit në hyrje, perfomanca e baletit apo  muzika e luajtur drejtpërdrejtë nga instrumentistë i ngjante një mbrëmjeje gala, ku i ftuar nderi,( apo zot shtëpie ) dukej se ishte kryeministri i vendit, Edi Rama.

Fasada e godinës, që nuk kishte pësuar ndonjë ndryshim drastik –të  paktën në dukje – ku dominojnë elementët e betonit, metalit dhe ngjyra gri, më shumë do i ngjante një fabrike a uzine që nxjerr një produkt industrial sesa një godine klasike me qëllimin të strehojë artistë e publik  në kërkim të atij tharmi ëndrre që për mijëvjeçarë – qëkur njeriu nisi të imitojë jetën në forma të reja – ka ofruar arti.

Fasada e “ArTurbina”, skena e re për aktivitetet artistike në kryeqytet. 

Ndërsa takimi buzëmbrëmje i orës shtatë në godinën e vjetër të teatrit është shuar, mikpritësit;  ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe  kryeministri sapo i kanë dhënë jetë një nate feste –siç e quajtën ata. Megjithëse të pranishmit kishin nisur kaherë të festonin, në një tjetër “turbinë”, më të vogël në përmasë,  përballë gjigantit minimalist prej betoni të hirtë. Një snackbar , pronarët e të cilit kanë menduar se pagëzimi me këtë emër do të sjellë sukses (nuk dihet nëse  me të njëjtat përmasa apo edhe duke e tejkaluar atë të skenës artistike), ku biznesi i këtij lloji duket si një prej të paktëve që është ende  në lulëzim në ekonominë e një vendi ende në tranzicion, si Shqipëria, edhe pas një çerekshekulli.

Një çerek shekulli, ishte një nga togfjalëshat e përdorur më shumë se njëherë nga mikpritësit e kësaj feste, pasi i gostitën  të pranishmit –njerëz të thjeshtë, kalimtarë të rastësishëm, zyrtarë apo njerëz të artit –me muzikë dhe balet.

Trupa e Baletit të TKOB duke performuar në ceremoninë e përurimit të “ArTurbina”

Aktorët hyjnë në  skenën e re të “ArTurbinës”

Nëse doje të  dalloje se kush qëndron nga cila anë në debatin mbi godinën e Teatrit Kombëtar mjaft të shihje aktorët apo regjisorët që ndiqnin ceremoninë  e përurimit të “ArTurbinës”. Aktorë si Luftar e Gazmend Paja, Kujtim Çashku, Kastriot Çaushi, Lulzim Zeqja, Gent Hazizi, Kiço Londo apo edhe drejtori i Teatrit të Kukullave , Erjon Isai apo drejtoresha e Teatrit “Metropol” Jonida Beqo. Ajo që u vu re ishte mungesa e drejtorit të Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli apo e kryetarit të Bashkisë Erjon Veliaj,  i përfshirë ditëve të fundit në negociatat me komunitetin e aktorëve që kanë bërë me zë kundërshtinë  e tyre ndaj shembjes së godinës aktuale të teatrit.

Por as ndonjë aktor apo grup aktorësh që kundërshtojnë  ende nuk u duk në oborrin e godinës së re për të prishur festën, e cila nisi me tinguj daulleje, balet klasik e u mbyll me një Mambo të interpretuar nga trupa e baletit të TKOB, me Gerd dhe Enada Vason në krye, ndërsa kërcimit iu bashkuan një pjesë e përzgjedhur të pranishmish ( me gjasë  të ftuar specialë me funksione publike) të cilët pas lëvizjeve ritmike të Mambos, hapën dyert për të vëzhguar transformimin, që i kish mbledhur aty. Vetëm atyre iu lejua atëgrimë të hidhnin vështrimin brenda.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro gjatë ceremonisë përuruese të “ArTurbina”

Çerekshekulli tranzicion, shfajësim për artin e lënë në harresë?

Çerekshekulli. Njëzetepesë vite ishte koha e braktisjes së kësaj godine, apo ngrehine -siç parapëlqen ta quajë  ministrja Kumbaro në fjalën e saj- që dikur kish shërbyer si Instituti i Hidrometeorologjisë, ku dikur kryheshin eksperimentet e hidrocentraleve.

Një gropë në mes të kryeqytetit, e pavënë re nga askush, as nga vetë Kumbaro e cila tha se banon fare pranë asaj rruge, një guaskë e mbushur me hedhurina e hekurishte industriale,  e harruar pothuaj krejt pas viteve ’90.

“Duhet të kërkonim për hapësira të reja.  Nuk kishim dyshim që investimet në skenat e teatrove ishin emergjente. Nuk dinim nga t’ia nisnim;  me rindërtimin e Operas, Teatrit Kombëtar, Teatrit “Migjeni” në Shkodër, Teatrit “Andon Zako Çajupi” në Korçë apo të krijonim hapësira të reja” – iu drejtua ministrja të pranishmëve me një ton emocional, sa edhe të huajt që gjendeshin mes spektatorëve atëgrimë –për kureshtje apo interes kulturor, kushedi – e kuptuan pa ditur asnjë fjalë shqip  se ministrja i referohej një nevoje urgjente për të përfunduar rikonstruksionin e kësaj godine që përurohej.

“Në përurimet tona, nuk harrojmë të rreshtojmë punët që na presin, veprat ku duhet ndërhyjmë, kur janë harruar në një çerek shekulli” –vijoi ministrja , ndërsa me shfajësimin se jo të gjitha mund të bëhen në një mandat katërvjeçar nuk harroi të përmendte një nga një ato çka i quajti arritje të Ministrisë së Kulturës dhe Qeverisë Rama , ku hynin ndërtimi i Muzeut Arkeologjik në Durrës, ai i Artit Mesjetar në Korçë, Muzeu “Shtëpia me  gjethe” në Tiranë, Muzeu “Marubi” në Shkodër e rikonstruksionet në qindra site kulturore.

“Nuk mund të kërkohet që në një mandat të ndërtohen veprat madhështore të një shteti; opera, teatri, galeria, biblioteka…Vepra të rëndësishme, unikale, që një vendi i duhen shekuj për t’i ndërtuar , ne na kërkohet t’i bëjmë në pak vite”.

Faktori kohë dhe harresa njëzetepesëvjeçare, e faturuar kryesisht qeverive të mëparshme, ishin armiku që dukej se kish penguar qeverinë aktuale në mandatin e parë të arrinte të gjithë objektivat e vendosura, të paktën në fushën e  kulturës, meqë sebepi i ceremonisë mbrëmësore të së hënës së  2 korrikut ishte pikërisht ajo.

Pjesë nga performanca e trupës së baletit të TKOB në oborrin e godinës së sapopëruruar. 

Diskutimet e zjarrta mbi kulturën gjatë viteve të saj si ministre ( nuk e dimë nëse u referohej edhe debateve të ditëve të fundit, ku bashkë me kryebashkiakun Veliaj janë parë si armiqtë e atij komuniteti aktorësh , regjisorësh e arkitektësh që kanë dalë në mbrojtje të godinës së Teatrit Kombëtar) , Kumbaro i quajti arritje, edhe të qeverisë, ndërsa zbuloi se ka nisur puna për rikonstruksion të dy godinave të institucioneve të rëndësishme të kulturës.

Rikonceptim…Radhën e ka Muzeu Historik dhe Galeria e Arteve

“Po përgatitet për rikonstruksion dhe  rikonceptim të hapësirave të Muzeut Historik Kombëtar , gara e të cilit ka nisur si edhe është hapur gara për rehabilitimin dhe rikonceptimin e Galerisë Kombëtare të Arteve”.

Dukej se edhe  për këto vendime, ministrja ishte  e vetëdijshme se do të pasoheshin nga valë debatesh.

Po në këtë aktualin, si do të ish rreshtuar Kumbaro nëse do të përfaqësonte një komunitet të njerëzve artit e kulturës apo të shoqërisë civile?

“A do të isha për kushte më të mira për aktorët? Për kushte më të mira të Bibliotekës Kombëtare? Patjetër. I mbështes  kërkesat e grupeve të interesit dhe shoqërisë civile kur kërkojnë kushte dinjitoze, kur duan më të mirën në kulturë. Por, kur je në anën e protestuesve sheh vetëm ëndrrën dhe jo rrugën q ëtë çon drejt saj”.

Nota pragmatiste vendimmarrësish  me buxhete të  një vendi, që siç e quan Kumbaro, nuk është i kamur. “Më pëlqejnë fort teatrot madhështorë europianë që janë prej Rilindjes së Hershme. Ne  nuk kemi trashëguar  të tilla. Janë ndërtuar me status të përkohshëm e nuk mund të jenë të përjetshme”.

Një status i përkohshëm që i ka rezistuar viteve e kushteve klimaterike prej fundit të viteve ’30 , por që sipas ministres një fanatizëm për ruajtjen e gjithçkaje të së shkuarës nuk ndihmon në të ardhmen më të mirë , as për teatrin dhe as për artistët e gjeneratës tjetër.

Pamje nga brenda godinës. 

Pse formula e ringjalljes  së  godinave të harruara nuk funksionon njëlloj?

A duhet shkatërruar çdo gjurmë e së vjetrës për të ndërtuar kushte dhe komoditet që i përgjigjet kërkesave të  së ardhmes? A mund të ketë përjetësim të historisë shpirtërore të teatrit nëse  muret që kanë qenë spektatorë të heshtur të provave dhe shfaqjeve, premierave e rivënieve në skenë, prej mëse  70 vitesh, nga viti 1948 kur nisën shfaqjet e para në skenën e tij, do të shemben?  Përse  një godinë e vjetër si ajo e ish-Institutit të Hidrometeorologjisë mundej të ringjallej në guaskën e saj të betonit, një godinë në shërbim prej dhjetëra vitesh të artit skenik (megjithë funksionin fillestar që u ideua prej italianëve, që nuk ishte aq fort i lidhur me teatrin, por jo më larg sesa mund të qëndrojë një vend i destinuar për të qenë laborator për hidrocentrale, duket aq në agoni sa asnjë rikonstruksion nuk mund të shërbejë për shërim? Pyetje të tillë me siguri ministra Kumbaro e ka hasur shpesh, edhe në profilin e saj në rrjetet sociale.

“Memoria shpirtërore e kolektive ka qindra mënyra sesi përjetohet me dinjitet.” –përfundoi ministrja duke e forcuar edhe njëherë shfajësimin në faktorin kohë, se për pesë vjet nuk mund të ndërtohet historia qindra vjeçare që kanë sot vendet e zhvilluara europiane.

As Roma, nuk është ndërtuar në një ditë…

Kumbaro e quajti aventurë –mbase për të mos i lënë barrën e rëndë që janë të destinuar të mbajnë institucionet ,  të cilësdo fushë  qofshin – e cila sapo ka nisur.

Baleti “Monger” në skenën “150” të godinës së re.

Dy salla teatri, por jo Teatër

Askush nuk u ngut ta quante teatër, edhe pse brenda janë dy salla të tilla, të pagëzuara “Central 400” dhe “150” secila syresh me kapacitet për 400 dhe 150 spektatorësh, të cilat ndahen në mes nga një holl i madh me qëllim shfrytëzimi për ekspozita të arteve pamore apo multimediale. Dy hapësira, sipas kryeministrit Rama, të cilat Tirana nuk i ka pasur.  Poetik në fjalën e tij, e pasur me figuracion të larmishëm , Edi Rama e quajti atë godinë njëherë e një kohë rrënojë, një ngrehinë moderne si pikëtakim i kujtesës me imagjinatës.

Ja, ku qëndronte ai, duke prezantuar këtë godinë, krenar si një zot shtëpie (e megjithatë hapësira dhe godina brenda janë pronë publike dhe çdo para e shpenzuar për rikonstruksion e konceptim janë para të marra nga buxheti i shtetit, që do të thotë nga çdo xhep i qytetarëve shqiptarë, që nisën të bëhen të paduruar për të parë sesi dukej nga brenda ajo godinë që në ato çaste po reklamohej me superlativa nga kryeministri.

Krahasimet nga e djeshmja në të sotmen, nga qeveria  e kaluar në atë aktuale , ku pesë vjet më parë , tha Rama në truallin e trashëgimisë kulturore kishte rënë perdja e braktisjes, ndërsa e  vijoi fjalën e tij me krahasime si “sallat e shfaqjeve u ngjanin varrezave ,  politikat kulturore në përshpirtje, hollet e godinave mbusheshin më shumë në  ceremonitë funebre të ndarjes nga jeta të yjeve të së shkuarës”, ndërsa edhe ai grup dashamirësish të artit kishte nisur procesin e një tkurrjeje pa kthim. Megjithë vlerësimet, Rama u tregua realist në arritjet e qeverisë së tij në fushën e kulturës. “Nuk po them me këtë se ka lulëzim të  jetës artistike apo se u bë kjo skenë dhe mbaroi mjerimi 25 –vjeçar e nisi lulëzimi i skenës krijuese. Nuk është ky rasti.” Por ishte një rast, sipas tij për të vënë ca pika mbi i, që duket sikur viheshin thjesht e vetëm duke bërë një bilanc arritjesh, që sipas Ramës pa të dhe qeverinë e tij nuk do të bëheshin.

Shifrat që Rama paraqiti në mbrëmjen e këtij përurimi bënin fjalë për 571 monumente të trashëgimisë kulturore që mundën të kapërcejnë greminën në shpëtim, 200 objekte të gjetura në grahma të fundit, 20 operacione shpëtimi që zhvillohen aktualisht në  20 kantiere ndërtimi apo edhe 67 projekte të tjera për zbatim. Nuk la pa përmendur edhe muzetë si ai i Durrësit, Korçës, “Marubi” në Shkodër,  “Onufri” në Berat  apo “Shtëpia  me  gjethe”, mes sukseseve.

Mes arritjeve u ndal edhe te limitet. Veç kohës së shkurtër të një mandati ishin edhe mundësitë e kufizuara apo borxhet e lëna të qeverisë së mëparshme që duheshin shlyer.

Rama foli edhe për përpjekjet  për të shpëtuar godinën  e Teatrit Kombëtar, ku ishin bërë disa ndërhyrje. Po ashtu quajti arritje edhe rikthimin e dashamirësve tek teatri, me më shumë se katërfishimin e spektatorëve në Teatrin Kombëtar, prej  2017 –ës në një shifër të saktë prej 48 mijë e 895 spektatorësh , shifër kjo e shënuar në vitin 2017.

Ai gjithashtu bëri me dije fazën aktuale të punimeve për rikonstruksionin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, një punë e nisur m rrënjë ku sipastij është shembur gjithçka brenda guaskës së Pallatit të Kulturës është gërmuar edhe njëherë po aq, duke garantuar për artistët e TKOB  dhe spektatorët kushte dhe komfort, të cilat nuk janë parë kurrë më parë në këtë institucion dhe godinë. “Nuk do të jetë më turp të ftosh artistë të huaj dhe ku Ermonela Jaho nuk do të duket si pianoja e Tefta Tashkos mbi qerren që e transportonte në brazdat e Myzeqesë dhe ku kujtimet e Marije Krajës apo Vaçe Zelës nuk do të duken si ato lulet e varrezave të Sharrës që vidhen për t’u shitur si të gjalla nga tregtarët e ceremonive fitimprurëse.”

Foto nga protestat kundër shembjes së godinës së TK

Teatri, një pasuri publike që trajtohet si pronë private…

Teatrin – është i bindur Rama ose të paktën e di se duhet ta artikulojë kështu – nuk e bën vjetërsia e mureve apo hartat e lagështirës në to, por kushtet që u krijohen.

“Pyetja e vërtetë që duhet bërë në funksion të historisë dhe të ardhmes së artit shqiptar nuk është a duhet të ruhet ngrehina absurde e Teatrit Kombëtar apo duhet të ndërtohet një Teatër i ri me parametra më në fund optimale në territorin e saj.”- tha Rama, duke e thekuar edhe njëherë, për të gjithë ata që janë në kundërshtim të shembjes se bëhet fjalë për një mjedis publik, jo pronë  e aktorëve as e regjisorëve. Por a duhet që vendimmarësit, shërbëtorët e qytetarëve të mos konsultohen me “sovranin” nëse ky i fundit do të kishte dashur apo jo të shkatërrohej një pjesë e pronës së tyre?

Nëse nuk është pronë e komunitetit të aktorëve dhe regjisorëve të teatrit përse këta të fundit duheshin bindur për të arritur një marrëveshje , pas negociatash, me kryebashkiakun Veliaj, disa prej të cilëve u panë edhe si “Judë Iskariotë”  tek shtrëngonin duart me të parin e Tiranës …

A nuk merret  me mend se aktorët, interpretuesit,  kanë për detyrë t’u dhurojnë publikut atë copëz ëndërr që nevojitet për ta bërë jetën pak më të durueshme e pakëz më të bukur nëse është e mundur? A ka dallim nëse është skena e Teatrit Kombëtar, ajo e Migjenit, Çajupit, Skampës, amfiteatri i Liqenit Artificial apo rrënojat e antike të Butrintit, apo edhe një skenë e sajuar në ndonjë shesh qyteti?

A u vu në rrezik zhanri i teatrit, (që duke parë prej vitesh ndenjëset bosh të sallave e di mirë se ka qenë e mbetet i rrezikuar si një prej formave  më të epërme të artit  për të  komunikuar me një publik që gjithnjë e  më shumë shkon drejt formave më të thjeshta të argëtimit ) apo në rrezik ishte godina, strehë kujtimesh të brezave të  tërë artistësh , tashmë pasuri e të gjithëve?  Do të bënte më shumë kuptim zëri i komunitetit të artistëve nëse do të ish i zhveshur nga roli skenik për të interpretuar jetën, rolin prej qytetari.

Një teatër publik dhe aq më tepër një teatër kombëtar nuk është prona private, prona ekskluzive e aktorëve dhe regjisorëve të momentit por është një mjedis i krijuar për publikun dhe u takon vendimmarrësve të votuar nga qytetarët që të vendosin  në bashkëpunim me specialistët e fushës. Kur flitet për godina, nuk janë aktorët dhe regjisorët por janë arkitektët, planifikuesit dhe natyrisht edhe debati me aktorët dhe regjisorët për si të jetë më e mirë godina është e domosdoshme por nuk ka debat a duhet a nuk duhet.”  – tha Rama, duke ia zhveshur çdo lloj roli të kujtesës historike godinës aktuale.

Shqipëria nuk e pati kurrë një godinë të denjë Teatri Kombëtar sepse askush para nesh nuk deshi, nuk diti apo nuk mundi ta ndërmarrë nismën e ndërtimit të një të tille.”

Ai përmendi planet e Mbretit Zog për ta ndërtuar në hapësirën ku ndodhen sot

bustet e vëllezërve Frashëri, përballë Piramidës. “Regjimi komunist e përfundoi në 1946 ngrehinën e nisur në 1938 për të qenë vatra e kulturës shqiptaro-italiane për të cilën bëhet sot gjithë zhurma që pa pikë dyshimi përbën një moment kulmor në historinë e estradës politike të Shqipërisë.”

Sipas Ramës,dukej se regjimi komunist që në  45 vite ndërtoi godina për Operan apo  Galerinë e Arteve Figurative, e harroi me kast në godinën e ndërtuar prej italianëve Teatrin Kombëtar.

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij, në çeljen e “ArTurbina’

Rama: Ndrenika, mohikani i fundit i yjeve të teatrit

Në fjalën e tij, kryeministri u shpreh në gatishmëri të kujtdo për t’u ulur në biseda me krijuesit dhe interpretuesit e skenës sonë teatrore,  që të kuptojë prej tyre çfarë duhet bërë më shumë, çfarë duhet bërë më mirë. 

Më shumë sesa shkatërrimi i godinës, Rama foli për një gropë të madhe që ka lënë një brez  i shuar i teatrit, në ikjet e pakthyeshme të aktorëve si Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Agim Qirjaqi, Vangjush Furxhi, Roland Trebicka e Bujar Lako.

“Kur e shoh sot Robert Ndrenikën në tryezat për  të ardhmen e godinës, më shumë sesa mendon ai për godinën më pikëllon dukja e tij prej mohikani të fundit  i një historie talentesh të mëdhenj dhe emocionesh të paharrueshme, ovacionesh të pafundme dhe lidhjesh të forta shpirtërore mes aktorëve dhe publikut të  këtij vendi, që sot nuk i shquan ku janë trashëgimtarët e fronit të Robert Ndrenikës apo mbretërve dhe princave të Teatrit që nuk janë mes nesh…”

Për Ramën ky duket problemi akut. Sa për godinën, sipas tij, ajo e ka humbur bastin me kohën. “Nuk ka gojë të flasë se, po të fliste, do të thoshte : Më lini të vdes se nuk rri dot më në këmbë!””.

Rama u shpreh kritik me komunitetin që sot proteston, një akt që nuk e ka bërë në të shkuarën për një motiv, sipas tij më qenësor; ndërtimin e një teatri të ri.

Kjo duhet të kishte qenë protesta dhe jo “na lini të vdesim këtu bashkë me godinën.”

Rama tha se Teatri i ri Kombëtar do të ndërtohet me kapital privat  në njëqind përqind, pa u dashur të shpenzohet nga buxheti i shtetit, në këmbim të vënies në dispozicion të truallit ekzistues.

“Ndërsa privati në këmbim të një godine re për teatrin brenda hapësirës ku kufizohet sot, disa herë më e madhe godina në sipërfaqe të përdorshme dhe të paktën 1000 herë më e denjë në çdo aspekt, do të zhvillojë një projekt transformimi të zonës pas teatrit. E keni parë zonën pas Teatrit? Mure të rrënuara, hapësira të mbushura me mbeturina dhe karakatina që nuk kanë asnjë lidhje me qendrën e kryeqytetit. Ku është problemi këtu?”

Për Maks Velon, i cili i është bashkuar Aleancës  kundër shembjes së godinës së teatrit, dhe që e ka parë prezantimin e projektit, teatri i ri do të jetë i vetmi  në botë i cili do të qëndrojë në këmbët e një ure dhe jo mbi tokë. Me pak fjalë një teatër në ajër, ashtu siç duket ende mes debateve të ditëve të fundit dhe urgjencës për të hapur skenën e re alternative “ArTurbina”, në një kohë kur kalendarët artistikë të sezonit duket se janë mbyllur.

Maks Velo në protestat kundër shembjes së godinës së TK

Protesta në oborrin e godinës aktuale  të Teatrit Kombëtar duket se do të vazhdojë, të paktën kështu njofton Aleanca kundër shembjes së tij, ndërsa orari është vendosur ora 7 e mbrëmjes, dhe ku duket se nuk do të mungojë as zëri i opozitës së sotme, qeverisë së djeshme, kundër shembjes së pasurisë publike (ende mbahen mend firmat e mbledhura në peticionin kundër shembjes së godinës së Piramidës vite më parë, si pjesë e trashëgimisë historike dhe memories kolektive). Ditën e enjte në orën 10 paradite  është njoftuar se do të mblidhen përballë parlamentit për të bërë me zë kundërshtinë e tyre për miratimin e projektligjit për ndërtimin e teatrit të ri.

Nuk dihet nëse oborri i teatrit do të mbledhë po aq apo edhe më shumë njerëz sa përurimi i një godine alternative për artet…

 

Më Shumë