Politike

Meta “justifikon” Francën: Na duhen reforma që të jemi të besueshëm

Kreu i Shtetit, Ilir Meta në një intervistë për “Radio France International”, u shpreh se ka besim tek Franca dhe Gjermania dhe se Shqipëria duhet të jetë edhe politikisht pjesë e BE. I pyetur për "Jo-në" që Franca i dha Shqipërisë, Presidenti Meta deklaroi se Parisi inkurajon dhe mbështet Shqipërinë në realizimin e përpjekjeve për t’u integruar me BE. Sipas tij, Franca dhe Gjermania kanë qenë shtyllat kryesore të BE që nga krijimi i saj. Këto dy vende kanë marrë përsipër përgjegjësi të mëdha dhe tani janë duke hedhur themelet për të ardhmen e Europës përballë shumë sfidave.
“Kjo nuk është hera e parë që Franca u ka kërkuar vendeve që aspirojnë për t'u bërë anëtare të BE-së të jenë më efikase dhe më të qëndrueshme në plotësimin e reformave. Franca kërkon që procesi i zgjerimit të BE-së të kontrollohet dhe monitorohet më mirë përpara se të mirëpresin anëtarët e rinj. Në të njëjtën kohë, ajo nxit vendet aspirante si Shqipëria të thellojnë reformat në mënyrë që të jenë më të besueshëm, veçanërisht në fushat e imigracionit, drejtësisë, luftës kundër trafikimit, krimit të organizuar, etj. Ju e dini, gjeografikisht, Shqipëria dhe Ballkani janë në qendër të Europës. Ndaj, politikisht duhet të jemi pjesë e plotë e BE-së. Edhe pse në tetor, Franca u deklarua kundër nisjes së negociatave të pranimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian, ne e dimë se Parisi na inkurajon dhe na mbështet në realizimin e përpjekjeve tona për t’u integruar me BE. Përpjekje të bazuara në demokraci, zhvillim, stabilitet dhe bashkëpunim”, deklaron Meta në intervistën e tij.

Presidenti Ilir Meta takohet me Kancelaren e Austrisë, Brigitte Bierlein

Presidenti u pyet edhe për qëndrimin e Macron për mënyrën e funksionimit të NATO-s. “NATO është organizata më serioze, më e besueshmja. Punon shumë për të mbrojtur dhe promovuar vlerat themelore: lirinë dhe paqen në Evropë dhe në botë. Aleanca Atlantike përballet me sfida të mëdha për të rifituar vendin e saj në një kontekst të vështirë global. Të gjithë duhet të kontribuojnë në mënyrë më inteligjente për ta bërë NATO-n më të suksesshme në misionin e saj”, u shpreh Meta.
Presidenti po merr pjesë në Forumin e Paqes të zhvilluar në Paris, ku pati mundësi që takohet edhe me presidentin Macron dhe me liderët të tjerë, si kancelaria e Austrisë. “Për të pasur një Europë të sigurt dhe të zhvilluar, Ballkani, në të njëjtën kohë, duhet të jetë i qëndrueshëm dhe paqësor. Historia na e ka treguar gjithmonë këtë. Të gjithë e dimë se në Ballkan filloi Lufta e Parë Botërore. Pjesëmarrja në Forumin e Paqes në Paris është një kënaqësi, por edhe një detyrim. Ky është një moment i rëndësishëm reflektimi për të përshpejtuar bashkëpunimin në nivelin ndërkombëtar. Ky Forum vjen në një moment të rëndësishëm për shkak të gjendjes aktuale të botës, Evropës dhe natyrisht të Ballkanit”, theksoi Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë