Ngjarje

Mësimi me turne, prindërit: Është gati e pamundur!

Nga Blerina Goce - Irina është nënë e dy fëmijëve, 8 dhe 11-vjeçarë. Prej disa ditësh, që nga fillimi i vitit të ri shkollor, e përditshmja e saj ka ndryshuar thuajse krejt.
E punësuar dhe nënë e vetme, asaj i duhet të vrapojë pafund për të çuar dhe për të marrë fëmijët nga shkolla.
“Zgjohemi në orën 6:30 të mëngjesit. Nxitojmë të mbërrijmë në orar në shkollë. Por, problemi është se duhet një person që të merret vetëm me fëmijët; t’i çojë dhe t’i marrë nga shkolla. Normalisht, ata fillojnë mësim në orën 8:00 dhe mbarojnë diku rreth orës 10:00 apo 11:00”, shprehet ajo për Gazetën “Si”.
“Është një tmerr më vete, sepse e kam gati të pamundur t’i marrë nga shkolla pas mësimit. Dikur shkëputesha kur kisha pushimin e drekës dhe i çoja fëmijët për disa orë në një qendër ditore. Arrija t’i menaxhoja dhe oraret. Por tani çdo gjë ka ndryshuar. Disa ditë jam shkëputur nga puna, por kjo situatë nuk mund të vazhdojë. Nuk e di se si do t’ia bëjmë”, vijon ajo, ndërsa shton, se orët e shkurtra të mësimit dhe mësimi me turne kanë sjellë një çrregullim të madh në jetën e tyre.

Blerta e ka edhe më të vështirë. Ajo ka dy fëmijë, një në arsimin fillor dhe tjetrin në klasën e VII, të cilët zhvillojnë mësim në turne të ndryshme.
“Po përpiqem, që të paktën t’i rregulloj, që të bëjnë mësim në të njëjtin turn”, shprehet ajo. “Vajza që është në klasën e tretë, shkon në mësim në orën 8:00 dhe zakonisht mbaron diku rreth orës 10:00. Ndërsa djali fillon mësim në orën 11:00. Kush do të shkojë t’i marrë? Jam në punë dhe gjithë këto kohë jam detyruar të marr leje”, thekson Blerta.
Të njëjtin shqetësim ndan edhe Gerti, baba i një djali në klasën e VI.
“Thuajse gjithë paraditja ikën kot. Sapo e çoj në shkollë, pas dy apo tre orëve duhet ta marr. Nuk po arrij të përqendrohem në punë”, shprehet ai. “Shyqyr që punoj në biznesin tim privat dhe nuk duhet të marr leje kund, por këto lëvizjet kështu, orar pa orar kanë kostot e veta.”

Edhe Aurora, nënë e një vajze dhe një djali, njëri në klasën e shtatë dhe tjetri në klasën e nëntë e ka të vështirë të menaxhojë oraret e vendosura. Mësuese në profesion, asaj i duhet çdo ditë të kthehet në shtëpi pas orës 19:00, ndërkohë që fëmijët, të cilët shkojnë në shkollën “A.Z. Çajupi” janë me turne të ndryshme. Në këtë shkollë mësimi zhvillohet me katër turne, për shkak se shkolla ka ambiente të vogla dhe shumë nxënës dhe për faktin se në këtë shkollën bëjnë mësim edh nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri”.
“Paradite bëjnë mësim nxënësit e fillores, ndërsa gjatë pasdites bëjnë mësim nxënësit e klasave më të larta dhe ata të “Sami Frashërit”. Vajza fillon mësimin në orën 14:00 dhe mbaron në orën 16:45, ndërsa djali fillon në orën 17:00 dhe mbaron në orën 19:45”, thotë ajo për Gazetën “Si”. Ajo shton se këto janë “orare të mbrapshta” edhe nëse djali, për shkak se është më i rritur në moshë shkon vetë në shkollë me biçikletë, ndërsa vajza shkon në shkollë e shoqëruar nga i ati, i cili shpesh detyrohet të shkëputet nga puna.
E vërteta është se mësimi i fëmijëve me turne dhe orare të shkurtuara ka vënë në vështirësi pjesën më të madhe të prindërve, pasi oraret e punës ua bëjnë të pamundur dërgimin e më pas marrjen e fëmijëve nga shkolla.
Në këtë situatë, jo rrallë, shpëtimi janë gjyshërit.
“Nëse nuk do të ishin prindërit e tim shoqi apo prindërit e mi, nuk e di si do t’ia kishim dalë. Në mëngjes i çoj shpesh unë, por për ta marrë nga shkolla e kam të pamundur. Shkojnë e marrin gjyshërit”, shprehet Anila, nënë e një vajze në shkollën fillore.
Sigurisht, që të punosh, e njëkohësisht të dërgosh fëmijët në mësim në orare të ndryshme, e më pas t’i marrësh nga shkolla është e vështirë dhe shpesh e pamundur për shumë prindër.

Burime nga Drejtoria Arsimore e Arsimit Parauniversitar, bëjnë me dije se drejtuesve të shkollave 9-vjeçare u është kërkuar që nxënësit, të cilët vijnë nga një familje, t’i vendosin në të njëjtin turn mësimi.
“Jemi përpjekur që të paktën të bëhen lehtësime në këtë drejtim. U kemi kërkuar që, nëse ekziston mundësia më e vogël, kjo situatë të rregullohet. Në pjesën më të madhe të shkollave diçka e tillë është bërë”, pohohet nga kjo drejtori.
Nga 1760 shkolla, ku mësimi ka filluar më 14 shtator, sipas Ministrisë së Arsimit, 480 funksionojnë me dy turne dhe 180 me 4 turne.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar, në ditët e para të zhvillimit të mësimit, në shkollë kanë munguar rreth 7 mijë nxënës dhe rreth 120 mësues në të gjithë vendin.
Në disa raste mungesa e nxënësve në shkolla lidhet me pamundësinë për t’i kthyer fëmijët në shkolla, për shkak dhe të zhvillimit të mësimit me turne, por edhe për shkak të frikës nga infektimi me Covid-19.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë