Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në fjalën mbi një orë në Kuvendin Kombëtar i ka shtrirë dorën e bashkëpunimit me demokratët e mbledhur rreth Berishës, duke deklaruar se epoka e ish-liderit demokrat ka marrë fund.
“E di që në mendjet tuaja ka pasur shumë pyetje që kërkonin përgjigje; mbi vendimet e të shkuarës, mbi qëndrimin për non-gratën, të cilave koha tashmë ju ka dhënë përgjigje. Sepse në fakt koha është treguesi më i mirë i vërtetësisë dhe drejtësisë së kauzave tona. Unë i kam marrë përgjegjësitë e mia si kryetari i PD, por një gjë dua të ndaj me ju sot: unë trashëgova një parti të transformuar nga partia e studentëve të dhjetorit në atë të një njeriu te vetëm. Nga partia e lirisë dhe demokracisë në parti të diktatit personal. Kjo merr fund sot njëherë e përgjithmonë! Ne nuk duhet të harxhojmë më asnjë sekondë me të shkuarën. Sot në këtë sallë dhe jashtë saj, shumë nga ne kanë akoma me vete shenjat e plagëve nga kjo luftë e brendshme e shëmtuar! Por që sot e tutje ne duhet ta lëmë pas këtë konflikt, t’ia lëmë atë të shkuarës dhe autorëve të librave të historisë”, deklaroi Basha.
Dhe ftesa ndaj demokratëve ishte e drejtpërdrejtë. “Unë sot i bëj një thirrje miqve tanë të Foltores, anëtarëve të thjeshtë deri te strukturat e asaj lëvizje. Të gjithë kanë një vend në partinë e madhe demokratike, të gjithë mund të bashkohen pa asnjë kufizim, në çdo çast, në çdo moment janë të mirëpritur për të ndërtuar një aleancë të madhe jo thjesht mes demokratëve por edhe me shoqërinë shqiptare. Partia Demokratike ka qenë dhe do të mbetet partia e parë e së djathtës, nga historia, nga potenciali dhe nga shpresa që rrezaton. Ne do të ndërtojmë një federatë të gjerë, jo thjesht me parti të tjera të djathta dhe aleate të cilat janë të mirëpritura në projektin tonë të përbashkët. Ne do ta zgjerojmë këtë aleancë përtej këtyre partive. Ne do ta zgjerojmë përmes Aleancës Qytetare për Demokracinë që do të sigurojë nesër shumicën e nevojshme për qeverisjen e vendit. I bëj thirrje nga ky podium, edhe në emrin tuaj, kujtdo që beson te Partia Demokratike, kushdo që beson te një e ardhme më të mirë , kushdo që kërkon të japë kontribut për Shqipërinë, kushdo që beson te një politikë ndryshe dhe të moralshme, dyert e Partisë Demokratike do të jenë të hapura”, theksoi Basha.
Për përplasjet e përçarjet dyvjeçare brenda PD-së, Basha bëri përgjegjës Berishën. “Sado e kalbur t‘ju duket politika të rinjve, ajo do të ndryshojë me patjetër sepse SHQIPËRIA DO TË BËHET! Sado të turbullta t’ju duken qiejt dhe ujërat e Trekëndeshit tëBermudës, koha do hapet dhe qielli ynë do kthjellohet sepse SHQIPËRIA DO TË BËHET!”, theksoi Basha.
Sipas tij, në PD që do të drejtohet nga ai “parimi i kontributit dhe rezultatit do të jetë parimi ynë themelor. Askush nuk do të marrë pushtet pa rezultat, askush që ka rezultat nuk do të shmanget nga pushteti. Kjo është pak por e sigurt në rrugën që kemi nisur për të ardhur në pushtet”.
Ndërsa akuzoi marrrëveshjen Rama-Berisha e vitit 2008, e që sipas tij, mundësoi që një grup mafioz të kapë gjithçka me oligarkinë ekonomike dhe krimin e organizuar.
“Si pasojë e ndryshimeve kushtetuese famëkeqe të vitit 2008, sot jemi në kushtet e një demokracie jofunksionale, jemi në kushtet e një bllokimi të përgjithshëm, ku një njeri, një parti, një grup mafioz ka kapur gjithçka në aleancë me oligarkinë ekonomike dhe krimin e organizuar. Çfarë ka sjellë ky përqendrim pushteti për shqiptarët përveçse korrupsion galopant?! Korrupsion i cili po del në pah përditë në sytë e shqiptarëve. Ndërkohë aleanca mes politikës dhe krimit të organizuar e ka kthyer Shqipërinë në vëmendjen botërore si vend kyç për kartelet ndërkombëtare të narkotrafikut dhe pastrimit të parave”, theksoi kryedemokrati.
Basha premtoi një reformim të sistemit të politik dhe një kushtetutë të re, si dhe vendosjen e kufizimit në 2 mandate qeverisëse të një liderit të një partie.
“Ne do të reformojmë thellësisht sistemin politik duke filluar me një kushtetutë të re, horizonti i së cilës do të kishte një tjetër ekuilibër pushtetesh, do të kishte një president nga populli, i cili brenda kompetencave të kufizuara kushtetuese të mos i merrte dorën kryeministrit që e zgjedh me 71 vota me mbështetje aq të vogël, me shumicë të thjeshtë, për të firmosur këtë apo atë akt. Ne jemi për sanksionimin e parimit të listave të hapura të cilat do të zhbënin kryetarokracinë dhe kapjen e spektrit politik nga dy apo tre njerëz. Ne do ta rifunksionalizojmë garën demokratike përmes listave të hapura. Vetingu politik është jetik për të mbajtur larg vendimmarrjes publike ata politikanë që kanë tradhtuar interesin publik duke u korruptuar apo duke u bërë partnerë të hapur apo të heshtur të krimit të organizuar”, theksoi Basha.
Kryedemokrati e mbylli fjalimin e tij me premtimin se pushteti ne Partine Demokratike do te jete ne duart e institucioneve dhe jo të individëve të veçantë. “Koha e patrimonisë dhe e privilegjeve merr fund bashkë me kultin e personalitetit. Që të ndërtojmë Shqiperinë europiane do te na duhet fillimisht të ndërtojmë Partine Demokratike bashkëkohore dhe europiane, partinë e qyetarëve dhe anëtarëve të saj dhe jo partinë e kryetarit. Kryetarët ikin e vijnë, por demokratët dhe Partia Demokratike do të jetë aty për te miren e Shqiperise dhe shqiptareve! Por mbi të gjitha, PD duhet të jetë një parti e cila në thelb ka vend për të gjithë. Ne nuk duhet të bëjmë me të tjerë njerëz opozitë dhe të tjerë njerëz te ndajmë pushtet në të ardhmen. Të gjithë ata, kontributorë nga grup seksionet tek Kolegji i Kryetarëve, sekretarë, koordinatorët, nënkryetarë, janë dhe do të jenë në tribunë, të gjithë të shfaqur, të gjithë të njohur. Ky do të jetë pakti ynë i ri, besëlidhja jonë e re me parim kontributin dhe rezultatin”, theksoi Basha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



