Anglishtja në klasë të parë, edhe pse ka një vit tashmë që praktikohet, vazhdon të mos jetë “e mirëpritur” nga prindërit dhe ekspertët.
Shumë prindër janë shprehur për Gazetasi.al se gjuha angleze i ka bërë fëmijët më konfuzë midis gjuhës shqipe, gjuhës angleze dhe gjuhës së kukullave.
“Në një fjali thotë një fjalë anglisht, fjalë shqip dhe flet edhe sic dëgjon në kukulla. Është një katrahurë”, thotë për Gazetasi.al Drita, prind i një vajze 8 vjeçe.
LEXO EDHE:
– Anglishtja nga klasa e parë/ Sociologë e psikologë ngrenë pikëpyetje: Jemi kundër
– Anglishtja në klasë të parë, prindërit ankohen për stresin dhe ngarkesën
– Anglishtja që nga klasa e parë. MASR: Na e kërkoi Europa
Edhe më herët, prindër të ndryshëm kanë thënë për Gazetasi.al se me futjen e anglishtes në klasë të parë është rritur ngarkesa për fëmijët.
“Ata kanë vështirësi me gjuhën shqipe, jo më të futet dhe një gjuhë e huaj”, tha asokohe një prind në shkollën 9-vjeçare Edith Durham.
Të pyetur për këtë ngarkesë, ditën e premte prindërit thanë se pas një viti, përsëri mendojnë se ka qenë një ngarkesë e madhe për fëmijët, sidomos në kohën që po jetojnë.
“Janë njohur me një anglishte ndryshe nga ajo që kanë mësuar dhe të paktën vajza ime e ka kaluar me stres atë pjesën e njohjes me rregullat dhe të mësuarit një anglishte ndryshe”, thotë Drita.
Sociologe Marsi Simo thotë për Gazetasi.al se djali i saj ka zhvilluar lëndën e gjuhës angleze që në parashkollor ku kishin dhe tekste por më tepër përdornin metodën e këngëve dhe lojërave.
“Në tërësi ai ishte i kënaqur dhe tregonte se i pëlqente”, thotë Simo.
Ndërkohë në klasën e parë gjuha angleze zhvillohet me libër kryesor dhe libër pune. Përveç të dyjave fëmija është udhëzuar edhe për fletore ku shkruajnë fjalë të reja.
Libri ka më shumë figura e më pak tekst dhe deri diku është tërheqëse për fëmijën.
“Duke qenë se djali nuk sheh video në youtube në gjuhë të huaj, kam vënë re se zhvillimi i gjuhës angleze në shkollë e ka mësuar me disa shprehje bazë. Këto sigurisht janë anë pozitive sepse lidhet dhe me metodikën e mësueses”, thotë Simo duke shtuar se duhet punë edhe nga ana e saj dhe bashkëshortit të saj si prindër kur ai shkruan në shqip dhe pastaj në anglisht për të bërë diferencën e shqiptimit midis gjuhëve.
Nga biseda me prindër të ndryshëm, Simo thotë se ato tregojnë se pjesa më e madhe e fëmijëve e dinë anglishten dhe nuk përbën ndonjë risi kjo lëndë përveçse e ngarkojnë fëmijën.
“Personalisht si nënë dhe sociologe mendoj se fëmijët në klasën e parë e sidomos në tre mujorin e parë dhe të dytë të fokusohen te shkronjat, leximi, matematika dhe sjellja (rregullat, ligjet, aftësite sociale). Çdo lëndë tjetër mund të presë për një periudhë të mëtejshme pasi fëmijët të realizojnë bazën e komunikimit në gjuhën e mëmës, llogjikën matematikore dhe të edukohen për jetën sociale”, thotë Simo.
Simo shton se, sidomos në kohët qe po jetojmë, kemi nevojë që fëmijët të përjetojnë më pak stres përmes ngarkesës së lëndëve të shumta dhe të shkojnë në shkollë me dëshirë dhe kënaqësi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



