Ngjarje

Mes shiut e baltës në Manzë, ata që kishin shtëpi me qira i kanë lënë në çadra

Tërmeti i 26 nëntorit sensibilizoi dhe bashkoi jo pak njerëz. Por në Manzë, tërmeti i ndau banorët në dy kampe. Një pjesë e të prekurve nga tërmeti janë rregulluar provizorisht në kontenierë. Të tjerë vazhdojnë të qëndrojnë në çadra. Problemi nuk qëndron te mungesa e kontenierëve. Por sepse disa nga banorëve ende nuk u janë verifikuar dëmet dhe disa të tjerë jetonin me qira.
Pas një nate me reshje në ish-fushën e futbollit, banorët që qëndrojnë në çadra ecin me vështirësi mes baltës. Aty numërohen 36 çadra. Mirjana Lika është një nga banoret që mbahet në çadër dhe që ngre zërin. Gruaja thotë për gazetën “Si” se nuk e çuan në kontenierë me pretendimin se ajo nuk kishte shtëpi. “Më thanë që jetoj me qira dhe është e vërtetë, unë jetoja me qira, por kjo s’do të thotë asgjë. Edhe unë kam ngelur pa shtëpi, pse u jepet përparësi atyre që ju dëmtuan shtëpitë dhe ne të tjerëve jo”, pyet gruaja e cila këmbëngul se “disa po trajtohen si të nënës dhe disa si të njerkës”.

Në çadrën numër pesë jeton familja e Sajmir Dodës, i cili bashkë me fëmijën e vogël qëndroi mes baltës për ditë të tëra, edhe pse ndërkohë banorët e tjerë u sistemuan në kontenierë. Burri nuk pranon të flasë, megjithëse për ditë të tëra i thoshin të kthehej në shtëpi, “pasi banesa nuk kishte probleme”. Ai qëndroi në çadër derisa në fund ekspertët e rikontrolluan shtëpinë e tij dhe kuptuan se ai kishte të drejtë. I vendosën një kryq të kuq në shtëpi që do të thotë e pabanueshme dhe këtë të hënë ai u zgjua bashkë me familjen në kontenierë.
Ndërkohë, pak metra më poshtë në çadër jeton Jashar Pepa. Edhe ai nuk pranon të lëvizë prej andej, ndonëse kushtet nuk janë aspak të mira. Ekspertët konstatojnë se shtëpia e tij është e banueshme dhe e parrezikshme. Por burri nuk bindet. Ai ka vendosur të qëndrojë në çadër. Të tjerët janë banorë të Manzës që jetonin me qira dhe që pritet të rregullohen, të tillë si familja e Urim Brayhimetës e përbërë me pesë anëtarë, apo Vladimir Muçës. Ose si familja e Flamur Takës, i cili përsërit kërkesën e tij “shtëpia ime ende nuk është ekspertuar, dikush të shkojë ta kontrollojë dhe të më japë një letër”.
Nga ana tjetër, Olimbia e cila jetonte në Greqi dhe që pallati i saj u shpall i pabanueshëm jeton në kontenier. I vjen keq edhe për të tjerët që jetojnë në çadër, por sikurse shton “jam e trishtuar, nuk di sa do zgjasë, sa do jetoj në kontenierë. Deri të dielën edhe unë jetoja në pallat, fillimisht na thanë që s’kishte probleme, më tej erdhën turqit dhe urdhëruan të dilnim jashtë. Gjithë jeta në atë shtëpi, dimri përpara”, shton mes lotëve e moshuara.

Në kontenierë jetojnë 102 persona, të cilët pasi u mbajtën në çadra u sistemuan brenda kutive të hekurta, që mbajnë tri familje secila. Por uji nuk është rregulluar ende, kështu që banorët e sistemuar në kontenierë që kanë banja të përbashkëta, nuk i përdorin dot. Ata ose shkojnë në dy banja të vendosura mes çadrave dhe kontenierëve, ose shkojnë në tualet te banorët fatlumë që nuk u janë dëmtuar shtëpitë. Në total në Manzë janë shpallur të pabanueshëm 10 pallate, që rezultojnë të ndërtuar në 1980 dhe që njihen si pallatet e ish-minierës. Të tjerë janë larguar strehuar pranë të afërmve, sikurse edhe kreut të njësisë administrativë Manzë, Muharrem Sula, të cilit nga tërmeti ju shemb shtëpia katërkatëshe. Sulës i dhanë çelësat e shtëpisë disa të afërm që jetojnë jashtë vendit, por përveçse akomodoi të afërmit, ai tashmë po merret me krizën dhe me sistemimin e banorëve. Bashkë me të janë përfshire jo pak vullnetarë, sikurse edhe të huajt mes të cilëve grekët gatuajnë dhe shpërndajnë ushqime për të pastrehët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë