Rektori Mynyr Koni po duket si gozhda ku ka hasur qeveria prej një viti dhe që tani nuk po mundet ta heq dot. Në daljen e fundit për shumëçka përpara publikut, ministrja e Arsimit Besa Shahini, kishte lajtmotiv Rektorin duke e akuzuar sërish për shkelej të rënda në drejtimin e Universitetit të Tiranës. Një vit më parë u kërkua shkarkimi por Presidenti Meta nuk lejoi që kjo të ndodhte dhe refuzimi i tij e riktheu zotin Koni në detyrë.
Momenti më pikant pas një heshtje që u thye nga Ministrja Shahini ishte përplasja pas protestave të studentëve. Kryeministri Rama arrit të zbut indinjatën duke premtuara një pakt por zoti Koni u pa më pas prej tij si delja e zezë që ishte bërë pengesë për realizmin e tre prej pikave të këtij pakti.
Pakënaqësia e socialistëve me Rektorit Mynyr Koni është shumë më e hershme se kaq. Profesori që mbante postin e Dekanit të Universitetit të Shkencave të Natyrës u zgjodh në 2016-ën në krye të Universitetit të Tiranës në një proces zgjedhor ku u përfshinë edhe emra të bujshëm të botës së krimit.
Ai fitoi pa shumë vështirësi garën me kandidaten Klodeta Dibra. Por, më shumë sesa rezultati i zgjedhjeve, bujë bënë episodet, denoncimet dhe akuzat gjatë fushatës zgjedhore, ku u përfshi edhe politika. Koni denoncoi se ishte kërcënuar nga dy persona për t’u tërhequr nga gara për rektor. Një kërcënim mori edhe Dhori Kule, në ato ditë një prej mbështetësve më të fortë të Mynyr Konit në këtë kandidaturë.
Prokuroria nisi hetimet dhe në dosjen hetimore të saj thuhet se këtë shqetësim Mynyr Koni e kishte ngritur edhe në një takim me ministrin e Brendshëm dhe ministrin e Arsimit të asaj kohe, Saimir Tahiri dhe Lindita Nikolla. Sipas dëshmive të zbardhura në dosjen hetimore, Koni kishte marrë zotimin e ish-ministrit Tahiri se do ta mbronte dhe për këtë i kishte kërkuar që të mos tërhiqej nga gara. Ndërkohë, Partia Demokratike akuzonte Qeverinë se përmes aktivizimit të elementëve kriminalë po shkelte autonominë universitare. Opozita mbështeste akuzën me faktin se kandidatja Klodeta Dibra në atë kohë mbante edhe postin e Këshilltares Bashkiake për Partinë Socialiste.
Si i akuzuar për këtë kërcënim u mor Emiljano Shullazi, i cili më vonë u shpall i pafajshëm për këtë akuzë, pasi si vetë Mynyr Koni, ashtu edhe Dhori Kule deklaruan se nuk e njihnin me emër personin që i kishte kërcënuar.
Megjithatë, Mynyr Koni mori detyrën e re si Rektor i Universitetit të Tiranës, të cilit ligji për arsimin e lartë dhe autoniminë universitare i jep kompetenca të zgjeruara, sidomos në menaxhimin e pasurive të paluajtshme që ka në pronësi Universiteti i Tiranës dhe fakultetet përbërëse të tij, ku përfshihej edhe trualli ku është projektuar ndërtimi i Kampusit Universitar.
Projekti është një ide e hershme. Në 2009, Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule deklaronte se kishte marrë mbështetjen e Qeverisë për realizimin e këtij projekti. Kostoja përllogaritej në rreth 23 mln euro dhe e gjithë vepra, sipas tij, do të përfundonte në vitin 2012. Por, në 2012, Dhori Kule delsërish si Rektor i Universitetit të Tiranës dhe deklaronte se Universiteti kishte gati 2 milionë euro, ndërsa kostoja e ndërtimit të tij përllogaritej në rreth 30 milionë euro në atë vit. Trualli ishte po ai, terreni sportiv i Universitetit të Tiranës i vendosur në Lindje të Fakultetit të Ekonomisë, aty ku sot ndodhet edhe stacioni i autobusëve të jug-lindjes.
Një vit më vonë, në korrik të 2013, Dhori Kule deklaronte se projekti ishte miratuar në Këshillin Kombëtar të Rregullimit të Territorit dhe pritej nisja e punës për realizimin e tij në një sipërfaqe prej 40 mijë metrash/katrorë, në një pjesë të të cilave ishin ngritur ndërtime private. Koni tha se ndërtimet pa leje në këtë territor do të shembeshin. Por, ndryshimi i Qeverisë solli edhe ndryshimin e projektit. Për projektin që Dhori Kule tha se ishte miratuar nga KKRRT-ja nuk u fol më.
Në 2015, qeveria e re hapi sërish garën për projektin e ndërtimit të Kampusit Universitar. Ideja tashmë kishte ndryshuar dhe Kampusi do të shtrihej në truall të Qytetit Studenti dhe në truall të Universitetit të Tiranës. Në Qytetin Studenti kampusi prek zonën ku u prishën tre godinat pas tërmetit të 26 nëntorit dhe duke qenë se menaxhimi i tij është në dorë të Bashkisë, Qeveria i ka duart e zgjidhura për këtë projekt. Por, për truallin e Universitetit të Tiranës, kampusi që Kryeministri Edi Rama thotë se do të ndërtohet sipas skemës partneritet publik-privat kërkon edhe bashkëpunimine Rektorit.
Mynyr Koni nuk e ka kundërshtuar asnjëherë idenë e ndërtimit të Kampusit, por as një simpatizant i projektit të paraqitur nga Qeveria nuk ka qenë. Ai i ka shmangur komentet e drejtpërdrejta për këtë temë, por gjatë përplasjes me Qeverinë pas protestave të studentëve dhe për çështjen e Kopshtit Botanik, që Qeveria ja kaloi në varësi Bashkisë së Tiranës ka nënkuptuar se sulmet ndaj tij nuk lidhen me mungesën e bashkëpunimit për realizimin e paktit për universitetin, por për tjetër gjë.
Ai u pezullua në prill të 2019 dhe Presidentit Ilir Meta iu çua kërkesa për shkarkim. Meta e refuzoi dhe Mynyr Koni rinisi detyrën si Rektor i Universitetit, ku në vjeshtë udhëhoqi betejën e radhës, kundër vendimit të Këshillit të Ministrave që i kalonte Kopshtin Botanik në varësi të Bashkisë së Tiranës.
Mynyr Koni dhe Universiteti i Tiranës e kundërshtuan këtë vendim duke e dorëzuar në gjykatë. Këto veprime rindezën përballjen me pushtetin. Këtë herë ishte Erion Veliaj që hodhi në drejtim të Mynyr Konit akuza të forta sepse nuk hedh firmën që Kopshti Botanik të kalojë nga Universiteti në Pronësi të Bashkisë së Tiranës . “Që Mynyri të marrë 5 mijë lekshat e nuseve që bëjnë foto tek Kopshti Botanik, se kam pritur. Rektori pjesë e një skeme koruptive që u vërtetua edhe me tenderin e parë dhe do vazhdojë ta mbylli edhe këto muaj që i kanë mbetur. Kopshti botanik s’është monopol i Mynyrit”, deklaronte Veliaj në një mbledhje të Këshillit Bashkiak në shtator të 2019.
Mynyr Koni i përgjigjej duke deklaruar se kundërshtia e Universitetit ndaj tjetërsimit të pronësisë së Kopshtit Botanik ka prishur “plane”.
“Aq shumë ju ka “djegur” padia e ngritur nga Universiteti i Tiranës për Kopshtin Botanik, sa vend e pa vend flisni për këtë gjë dhe harroni që nuk jeni përfaqësuesi i pushtetit qendror, të cilin UT e ka paditur. Aq shumë jua ka “prishur punët dhe planet” kjo gjë, sa humbisni edhe toruan, dhe tregoheni i paedukuar… apo kështu jeni në të vërtetë?”, deklaronte ai.
Tashmë, Mynyr Konit i kanë mbetur edhe pak muaj nga mandati 4-vjeçar. Ai mund të rikandidojë për një mandat tjetër, por “armiqësia” me maxhorancën dhe fakti që një pjesë e dekanëve, që dikur i kishte aleatë, përfshirë këtu Dhori Kulen, i kanë dalë kundër, do t’ia bëjë gati të pamundur fitoren. Megjithatë qeveria nuk duket e qetë sepse Ministrja e Arsimit i përmendi sërish fajet edhe pse e di që mandati i tij i parë por jo i dyti është drejt fundit.
Kur “Qëndresa Qytetare” publikoi një raport mbi shpenzimet e Universitetit të Tiranës, u pah se pjesa dërrmuese e fondeve shfrytëzohen për sigurinë fizike të godinave dhe orendi. P.sh Universiteti i Tiranës ka shpenzuar 177, 700 euro për të ruajtur godinat e tij brenda një viti, ndërkohë që më 7 mars të vitit 2019 ka nënshkruar një tjetër kontratë me vlerë 436 mijë e 500 euro për sigurinë për një vit. Studimi dhe kërkimi shkencor është Zero lekë për Universitetin e Tiranës.
Përgjegjësia për këtë mënyrë të menaxhimit të parave publike fle tek Mynur Koni. Por ndërkohë edhe qeveria nga ana e saj edhe pse ishte ajo ideoi Paktin për Universitetet për të shuar protesta ndaj saj sipas të njëjtit organizim “ Qëndresa Qytetare” nuk ka shkëlqyer. Nga vëzhgim tremujor, “Qëndresa Qytetare”, gjeti se nga 22 premtime të Qeverisë vetëm 5 premtime ishin mbajtur brenda afatit, ndërsa pjesa tjetër e tyre, ose nuk ishin mbajtur, ose kërkonin ende kohë. Përveç kësaj, monitorimi nxjerr në pah një mungesë të theksuar transparence.
Siç mund të vini re nga kjo renditje kronologjike dhe logjike e përplasjeve mes qeverisë dhe Rektorit Koni bëhet fjalë për shumë para në mes. Por fatkeqësisht çështja e debatit mes këtyre dy palëve, pra mes “Gozhdës” dhe “Sharrës” është përqendruar se kush dot përfitoj prej dërrasës (universitetit) por jo se si duhet rritur cilësia dhe çfarë politikash arsimore duhen ndjekur që nga kjo dërrasë nesër të dal një produkt që do t’ju shërbej me cilësi të gjithëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.