Mjedis

Mes parkut dhe naftës, “mish-mashi” i Qeverisë me Zagorinë

“Debati për kërkimet e naftës në Parkun Kombëtar të Zagorisë është i mirëseardhur për të kujtuar se: Ne e kemi shpallur Parkun Kombëtar në vazhdën e programit të mbrojtjes së bukurive të natyrës sonë nga hece,gurore,etj. Si mund të lejojmë aty shpime naftëkërkuese?! Nuk bën vaki!”.

Kështu shkruante përmes Twitter-it të tij zyrtar Kryeministri Edi Rama, duke kënaqur zërat që kundërshtonin aktivitetin e kompanisë Shell në Parkun Kombëtar të Zagorisë, ose në të ashtuquajturin Blloku 4 i kërkimit të naftës.

“Shell Upstream Albania B.V” ka fituar të drejtën për kërkimin, zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në këtë bllok dhe më 14 qershor të 2018 kontrata e nënshkruar mes përfaqësuesve të kompanisë dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, që përfaqëson interesat e shtetit shqiptar u publikua në Fletoren Zyrtare.

Kontrata është e ndarë në tre faza. Faza e parë ka një afat 3-vjeçar dhe vetëm ideja e nisjes së saj shkaktoi menjëherë rezistencën e banorëve vendas në dy fshatra që ndodhen në qendër të Parkut Kombëtar të Zagorisë. Banorët flasin për shpime me shpërthime dhe as statusi i Kryeministrit përmes rrjeteve sociale dhe as dëgjesat publike të organizuara nga vetë kompania Shell nuk kanë arritur që t’i qetësojnë deri më tani.

Për banorët asgjë nuk ka ndryshuar, ndërsa në muajin maj Shell pritet të rikthehet me nisjen punës me vlerësimin gjeologjik dhe gjeofizik të terrenit, ndërsa në fazën e parë janë parashikuar, sipas kontratës së nënshkruar, edhe ripërpunimi i të dhënave sizmike dhe punime, përpunime dhe interpretim të këtyre të dhënave.

Me te kuqe zona qendrore e Parkut te Zagorise, ku ndalohet kategorikisht nderhyrja. Me jeshile zona e perdorimit tradicional

Këto janë kërkesat minimale ndaj kompanisë Shell për fazën e parë. Nëse plotësohen këto kërkesa dhe kompania nuk është e bindur për rezultatin e studimit të saj, atëherë asaj i lind e drejta që të njoftojë AKBN-në 30 ditë nga përfundimi i afatit 3-vjeçar për zgjatjen e këtij afati me 2 vite të tjera. Në kontratë kjo quhet “periudha e dytë e kërkimit” dhe në të parashikohet në mënyrë opsionale edhe shpimi i një pusi kërkimi me thellësi 3 mijë metra. Të njëjtat kritere janë edhe për zgjatjen e kërkimeve për fazën e tretë, sërish me një afat 2-vjeçar.

Por çfarë po ndodh në terren? Kontrata nuk parashikon saktësisht metodën që do të përdoret gjatë punës kërkimore dhe në të nuk përjashtohet përdorimi i lëndëve plasëse. Për këtë është vënë në dijeni edhe Zyra Rajonale e Zonave të Mbrojtura në Gjirokastër. Mes kësaj zyre dhe kompanisë Shell ka patur disa letër-shkëmbime, që nga gushti, të paktën deri në tetor të vitit të kaluar.

Në një letër të tillë, Zyra e Mbrojtjes së Mjedisit i ka kujtuar kompanisë Shell që po shkel ligjin për zonat e mbrojtura dhe parqet kombëtare dhe se gjashtë linja të projektit cenojnë zonën e mbrojtur dhe monumente të natyrës brenda kësaj zone.

Zyra Rajonale i thotë kompanisë se kërkimi me teknologji intensive, që nënkupton me lëndë shpërthyese që dëmtojnë ekosistemin është i ndaluar, po ashtu edhe ndërtimi i insfrastrukturës në shërbim të këtyre kërkimeve.

Kompania i kthen përgjigje, ku konfirmon se linja 1,2,3,4,5 dhe 7 e kërkimit të saj janë në qendër të parkut dhe cenojnë një sërë monumentesh natyrore, thotë se zbaton standardet më të larta në mbrojtjen e natyrës, por deklaron se e ka të pamundur që të realizojë me sukses punën kërkimore pa përdorur metodat teknologjike intensive.

Banorët nisën rezistencën, ndërsa kompania nisi dëgjesat publike me banorët dhe më datë 23 janar 2019 doli me një deklaratë ku tha se “Pavarësisht rezultateve të studimit sizmik që kompania planifikon në Bllokun 4, Shell nuk do të kryejë aktivitete kërkuese, shpuese në nënzonën e mbrojtur të Zagorisë, e cila gëzon një mbrojtje të veçantë nga legjislacioni shqiptar”.

Çfarë do të thotë kjo deklaratë e Shell? E mbështetur nga cicërima e Kryeministrit Edi Rama në rrjetet sociale kjo u interpretua nga mediat dhe u perceptua më pas nga publiku si një tërheqje e kompanisë. Në të vërtetë nuk ka ndodhur kështu. Shell nuk ka ndërmend që të tërhiqet, konfirmon se studimi sizmik do të kryhet i plotë në të gjithë zonën e parkut dhe ajo që është përjashtuar është hapja e puseve 6 mijë metra thellësi. Me këto terma, kompania është brenda kontratës që ka, pasi në fazën kërkimore i lejon hapjen e puseve deri në 3 mijë metra.

Rastësi apo jo, në mbledhjen e fundit të Qeverisë, pra më 6 shkurt ka dalë VKM-ja që përcakton kriteret dhe mënyrën e zonimit të territorit të një zone të mbrojtur mjedisore. Në pikën pesë të saj thuhet se “procesi i zonimit është një formë e rregullimit të përdorimit të territorit të zonës së mbrojtur mjedisore, që përfshin ndarjen në nënzona me status mbrojtjeje të ndryshëm”. Në rastin e Zagorisë, parku atje është i ndarë në zonë qendrore dhe zonë përdorimi tradicional dhe mbetet për t’u parë se ç’status mbrotjeje do të gëzojnë të dyja këto zona.

Gjithsesi, pavarësisht sesi do të mbrohet zona qendrore dhe zona e përdorimit tradicional të Zagorisë, ky park nxorri në pah përplasjen me lejes së dhënë nga Ministria e Infrastrukturës, kur drejtohej nga Damian Gjiknuri dhe ligjit për zonat e mbrojtura mjedisore. Shell në vetvete po vepron brenda kushteve të kontratës që ka përfituar dhe zotimi i saj se nuk do të kryejë asnjë aktivitet kërkues e shpues në nënzonën qendrore të Zagorisë më shumë se ligjor e kontraktual është vetëm “me fjalë goje”.

 

Më Shumë