Historia e tij i mahniti të gjithë që në momentin e parë kur debutoi në NBA. Giannis Antetokounmpo basketbollisti grek me origjinë nigeriane është shpallur lojtari më i mirë në kampionatin amerikan të basketbollit për sezonin 2018-19.
Kur ishte 18 vjeç atij iu dha një shans me shumë dyshime për t’u stërvitur në akademinë e ekipi Miluoki Baks. Por pas disa vitesh jo vetëm që Antetokounmpo u përfshi në ekipin e parë, por ia doli që këtë sezon të ngjitet në majën e basketbollit europian. Ekipi i tij nuk ia doli që të shkojë në finalen e madhe dhe të fitonte trofeun, i cili këtë vit shkoi në Kanada te Toronto Reptërs.
Por as kjo nuk e pengoi grekun me origjinë afrikane që ta fitonte këtë titull. Duke folur në momentin e marrjes së çmimit, Antetokounmpo është përlotur si një shprehje e çlirimit për suksesin e arritur pas gjithë atyre vështirësive të kaluara në jetë.
"Unë isha vetëm 18 vjeç kur erdha nga Greqia, më dhanë mundësinë për tu stërvitur në këtë ekip, besuan te mua. Sot unë dua t’i them gjithë qytetit të Milwaukee, Greqisë dhe Nigerisë që janë dy kombet e mia, faleminderit. Ata gjithmonë kanë qenë në mbështetjen time, duke qëndruar zgjuar në shtëpi deri në 5/6 në mëngjes për të parë ndeshjet e mia dhe për të më dërguar mesazhe mbështetje gjatë gjithë natës. Në këtë ditë unë dua të falënderoj babanë tim, i cili nuk është këtu me ne sot. Dy vjet më parë kur u futa në ekip u binda se një ditë do të bëhesha më i miri në NBA, do të bëja gjithçka që ishte e mundur për të ndihmuar ekipin tim të fitojë. Çdo herë që luaj një ndeshje unë mendoj për babanë tim dhe ky mendim më bën më të fortë, duke marrë shembullin e tij dhe sakrificat e mëdha që ai ka bërë për mua. Prindërit janë modelet e mia të jetës dhe një burim frymëzimi për mua në fushë, faleminderit për gjithçka. Dhe falënderoj nënën time, pasi në çdo moment ajo ishte gjithmonë para nesh, gjithmonë ka besuar te ne dhe ka qenë gjithmonë atje kur unë kam pasur më shumë nevojë"- ka thënë Antetokounmpo mes lotësh në momentin kur iu dorëzua trofeu si lojtari më i mirë i NBA për sezonin 2018-19.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.