Shendet

Menaxhimi i Covid-19 në Shqipëri / Personel mjekësor i rrezikuar dhe 1 tampon për 6000 banorë

Në një vëzhgim të fundit nga organizata jo fitimprurëse “Qëndresa Qytetare”, duket se sistemi shëndetësor në vendin tonë nuk e ka përballuar si duhet pandeminë e Covid-19.

Siç shkruhet në raport një ndër problemet kryesore gjatë periudhës së pandemisë (deri në korrik), kanë qenë numri i vogël i testimeve, sidomos në qytetet e vogla ku sipas raportit ka pasur edhe mungesë tamponësh.
Stiven Shala analist i politikave publike pranë “Qëndresës Qytetare” i thotë Gazetës “Si” se së bashku me kolegët nuk kanë pasur një punë të lehtë për realizimin e raportit, pasi shqetësimet dhe sfidat janë të mëdha.


“Në këtë raport evidentohen problematika të ndryshme si numri i ulët i testimeve, mungesa e vëmendjes ndaj personelit shëndetësor, kontratat sekrete të nënshkruara nga qeveria si dhe mungesa e pavarësisë së komitetit teknik të ekspertëve,” shprehet ai.
Në raport thuhet se kur u njoftua në media që në vendin tonë janë në dispozicion 90 000 teste me kapacitet për kryerjen e rreth 500 – 1000 testeve në ditë, po prap atë ditë u kryen vetëm 431 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19. Sipas raportit tashmë mesatarisht gjatë kësaj periudhe vazhdojnë të kryhen më pak se 500 testime, çdo 24 orë dhe me përllogaritjen e analistëve i bie të aplikohet 1 tampon për çdo 6000 banorë, një shifër totalisht e ulët.


Sipas ekspertit Shala dhe kolegëve të tij, problematike është edhe fakti që në qytetet e vogla numri i tamponëve në dispozicion mbetet shumë i vogël, por as për këtë gjë ekspertët nuk kanë marrë një përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë. “Në të shumtën e rasteve, pacientët e dyshuar me COVID-19, arrijnë të testohen vetëm nga skaneri. Po të shumta janë rastet ku qytetarët, në mungesë të testimit nga strukturat përgjegjëse, zgjedhin të  vetëizolohen me shfaqjen e simptomave,” shkruhet më tej në raport.
Një tjetër fakt shqetësues që paraqitet në këtë raport është se testimet kanë munguar edhe për personelin shëndetësor, ku 40% e tyre janë shprehur  se testimi ka munguar edhe kur ata vetë kanë shfaqur simptoma.
Studimi tregon gjithashtu se personeli mjekësor parësor ka pasur edhe mungesa në masat mbrojtëse. Në raport thuhet se vetëm 33% e mjekëve janë të pajisur me veshje mbrojtëse, ndërsa të tjerët janë detyruar t’i blejnë vetë. Tashmë dihet se  mungesa e dukshme e mjeteve, bën që spitalet të kthehen në vatra infeksioni për pacientët. 
“Ky raport sjell edhe disa rekomandime si dhe apelon për kujdes të shtuar nga ana e Ministrisë dhe qeverisë duke qenë se me ardhjen e Shtatorit, situata mund të përkeqësohet” shton Shala.

Sipas ekspertëve për të kuptuar menaxhimin e situatës së pandemisë mjafton të shohim “kontratat sekrete”.
Në raport shpjegohet se për rastet e kontratave sekrete, qeveria, gjithmonë për arsye madhore, e eliminon garën, duke ngritur dyshime se ajo i’a ka besuar ofrimin e shërbimit klientëve afër pushtetit.
“Duke qenë se kontratat e këtij lloji bëhen pa garë e pa deklarim, ato janë të pamundura për t‘u hetuar nga prokuroria duke mbetur subjekt i përgjegjësisë politike e jo asaj penale,” thuhet në raport. Një tjetër hallkë që i mungon zinxhirit të mirëqeverisjes në këtë situatë është edhe fakti se flasin politikanët dhe jo ekspertët e shëndetësisë.
Sipas dokumentit, Komisioni Teknik i Ekspertëve duhet të gëzojë lirinë e një insitucioni dhe duke të dalë nga presioni i vendimmarrjes së qeverisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë