Këshilli i Ministrave miratoi të mërkurën (6 prill) marrëveshjen që ka të bëjë me një mënyrë tjetër të menaxhimit të Parkut Kombëtar të Butrintit, i quajtur Plani i Integruar i Menaxhimit për Parkun Arkeologjik të Butrintit. Marrëveshja ndërmjet ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit të Menaxhimit të Butrintit pritet të kalojë në parlament për t'u miratuar.
“Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit nëpërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit të Menaxhimit të Butrintit. Ky është një lajm i mirë, pasi pas hapave që kemi bërë si për hartimin e planit, ashtu edhe me qasjen e re në frymën më bashkëkohore, Ministria ka hartuar një sërë aktesh nënligjore dhe kjo marrëveshje nis një proces të ri për menaxhimin e siteve”, u shpreh ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
Duke qenë se studiues dhe emra të njohur të trashëgimisë ngritën shqetësime që 2 vite më parë, kur u prezantua plani për një formë të tillë menaxhimi përmes fondacioneve joshtetërore, ministrja Margariti hodhi poshtë të gjithë akuzat se nga kjo marrëveshje, Butrinti u kalon në pronësi fondacioneve. Ajo bëri me dije se menaxhimi do të bëhet nga shteti, ku një pjesë e të ardhurave do të derdhen në arkën e kujdesit të trashëgimisë dhe pronësinë e Butrintit do të vijojë ta ketë shteti.
“Ky model menaxhimi është një model hibrid, jo fitimprurës, aseti është pjesë e shtetit shqiptar, asnjë pronësi nuk i kalon asnjë fondacioni apo etniteti tjetër”.
Nga ana tjetër, specialistët që kur u bë publik plani i ri i menaxhimit të Parkut të Butrintit, do të ngrinin shqetësimin se trashëgimia kulturore shqiptare duhet menaxhuar nga shqiptarët, jo nga të huajt për çështje të sigurisë dhe ruajtjes së identitetit kombëtar. Studiuesi Auron Tare, i cili në vitet 1994-2005 ka qenë përfaqësues i Fondacionit “Butrinti” duke drejtuar të gjitha çështjet që kishin të bënin me krijimin e Parkut Kombëtar të Butrintit si Pasuri Botërore e UNESCO-s dhe bashkautor i Planit të Parë të Menaxhimit të Parkut, i pyetur më herët nga Gazetasi.al është shprehur se menaxhimi i parkut të Butrintit nga një fond i huaj është i gabuar.
“Butrinti duhet të jetë modeli, ku Shqipëria të tregojë suksesin në ruajtjen dhe menaxhimin e kësaj trashëgimie”, do të shprehej ai për Gazetasi.al.
“Plani i Menaxhimit nuk mund të merret shabllon pa u konsultuar me specialistët vendës dhe pa parë problematikën vendëse. Nëse Margariti na tha që ky qenka më i mirë, bazuar ku është më i mirë?”, do të shpjegonte më tej studiuesi Tare për Gazetasi.al.
Lidhur me Planin e Menaxhimit të Integruar të Butrintit, kritik ka qenë edhe arkeologu Neritan Ceka.
“Bëhet fjalë për trashëgiminë kulturore shqiptare, por nuk merren parasysh ekspertët shqiptarë. Po humbet tradita, duhej të pyetej brezi i tanishëm i arkeologëve”, do të shprehej arkeologu Ceka për Gazetasi.al.
Sipas Marrëveshjes së Administrimit, Ministria i jep Fondacionit të drejtën dhe detyrimin e administrimit të pasurisë kulturore (jo pronësinë) për një periudhë 10-vjeçare me të drejtë rinovimi nëse modeli rezulton i suksesshëm. Në këtë aspekt Ministria e Kulturës do të angazhojë rreth 2 milionë USD, të mbledhura ndër vite në Butrint ndërsa Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) do të angazhojë rreth 5 milionë USD. Të gjitha këto fonde të kombinuara së bashku me afrimin e donatorëve të tjerë do të bëjnë të mundur realizimin e planit të biznesit për operimin sa më efektiv të Butrintit.
Sipas qeverisë, një përqindje e të ardhurave të Parkut të Butrintit (duke filluar me 0,5% vitin e parë, deri në 2% e të ardhurave në vitin e katërt) të do të derdhen në Fondin e Trashëgimisë Kulturore, për t’u investuar në site të tjera të trashëgimsië kulturore në Shqipëri.
Sipas Ministres së Kulturës, marrëveshja parashikon që Bordi i Fondacionit të Menaxhimit të Butrintit të përbëhet nga 5 anëtarë, 2 prej të cilëve nga Ministria e Kulturës, 2 të tjerë nga partneri strategjik AADF, (por nuk bën publik emrat), ndërsa një i pestë është arkeologu i huaj britanik Riçard Hoxhes.
Marrëveshja e miratuar të mërkurën nga qeveria shqiptare mbështetet në Planin e Menaxhimit të Integruar për Parkun Kombëtar të Butrintit 2020 - 2030, një dokument prej 300 faqesh, hartuar nga kompania angleze “Prince and Pearce”, kontraktuar dhe mbështetur financiarisht nga Fondacioni Shqiptaro Amerikan për Zhvillim.
Plani i Integruar i Menaxhimit për Parkun Arkeologjik të Butrintit
Plani 10-vjeçar për Menaxhimin e Integruar të sitit të Butrintit u bë publik nga Ministria e Kulturës në vitin 2019.
“Plani i menaxhimit të integruar për Parkun Kombëtar të Butrintit”, parashikon se një nga sitet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të vendit në dhjetë vite do të menaxhohet nga një fondacion i ri.
Procesi i menaxhimit të Butrintit u hap në tetor të vitit 2018 kur u nënshkrua një tjetër marrëveshje për bashkëpunim midis Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim me një financim prej 250 mijë dollarësh prej këtij të fundit.
Marrëveshja pasoi miratimin e Ligjit të ri për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë, ku parashikohej edhe administrimi indirekt i pasurive kulturore shqiptare në pronësi publike.
Plani i ri synon, që të prodhojë, krahas planit të përgjithshëm të menaxhimit, një plan biznesi të ri për zonën UNESCO të Butrintit, si dhe përgatitjen e një harte të përditësuar GIS për gjithë territorin e Parkut Kombëtar të Butrintit.
Në janar të këtij viti qeveria shqiptare mori një tjetër vendim duke reduktuar sipërfaqen e zonës së mbrojtur të Parkut Kombëtar të Butrintit nga 9.424,2 ha në 8.622,2 ha në kuadër të shqyrtimit të kufijve të disa parqeve natyrore dhe kombëtare në vend.
Sipas hartës së bashkëngjitur vendimit të qeverisë për Butrintin një sipërfaqe prej rreth 800 ha nga Manastiri, Gjiri i Hartës dhe deri në kufirin jugor tek Gjiri i Pemës së Thatë, nuk përfshihet më në statusin e zonës së mbrojtur, duke i hapur rrugën investimeve turistike.
Qyteti antik i Butrintit për herë të parë u shpall monument kulture më 1948; më 1999 u regjistrua në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.