Ngjarje

Memoriali i Mit’hat Frashërit, 70 vjet pas vdekjes do prehet në atdhe

Pranë dy ungjërve që e rritën dhe të atit që e la fëmijë. Më në fund, amaneti i Mit’hat Frashërit do të vihet në vend, ndërsa Bashkia e Tiranës ka nisur punën për ndërtimin e memorialit, ku Frashëri më i ri do u bashkohet tre vëllezërve, në park.Ceremonia shtetërore e kthimit në atdhe të eshtrave, pothuajse shtatëdhjetë vjet pas ndarjes nga jeta,  do të organizohet gjatë javës përkujtimore të 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit, ku Mit'hat bej Frashëri qe kryetar e po ashtu nënkryetar i komisionit për hartimin e alfabetit shqip.

Këto kremtime janë parashikuar nga datat 14 deri më 22 nëntor të këtij viti, javë që përkon edhe me kremtimet e Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Për kthimin e eshtrave të Frashërit, qeveria shqiptare akordoi një fond prej 3.2 milionë lekësh. Publicisti, shkrimtari, përkthyesi, albanologu, diplomati e politikani, veprimtar i çështjes kombëtare, lindi në Janinë më 1880-ën dhe ndërroi jetë në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara, ku edhe prehet në varrezat “Ferncliff”.

Pasi u rrit nën kujdesin  e vëllezërve të të atit, Sami dhe Naim Frashëri, edukimin akademik Mit’hat Frashëri e mori në Stamboll, ku deri më 1905 punoi në administratën turke. Më pas u zhvendos në administratën shtetërore të Selanikut, pikërisht në këtë periudhë nis edhe të interesohet dhe aktivizohet në politikën shqiptare duke botuar gazetën “Liria” në Selanik. Ishte 32 vjeç kur vendosi ta lërë përfundimisht Stambollin për Shqipërinë dhe më 1912-ën u zgjodh ministër  në qeverinë e Ismail Qemalit, por që një vit më vonë do të dorëhiqej, i indinjuar prej  qëndrimit të kryeministrit ndaj rrethimit të vendlindjes së tij, Janinës.

Me largimin e Princ Vidit, do të largohej edhe ai, duke jetuar për disa kohë në disa shtete të Ballkanit, ndërsa u mor me publicistikë dhe botime. Në Sofje botoi librin “Shënime mbi një udhëtim në Zvicër” , më 1915, por një vit më vonë, kur u vendos në Bukuresht u arrestuar nga forcat e rendit dhe u internuar në Moldavi. Dy vjet më vonë, me mbarimin e Luftës së Parë Botërore, u vendos në Lucernë të Zvicrës. Iku drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës më 1920-ën, por dy vjet më vonë do të kthehej në Shqipëri. Në janar 1923 filli detyrën e Ministrit Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Athinë, detyrë që  e kreu deri në dhjetor 1925.

Në vitin 1927,  nisi botimin e revistës “Diturija” në Tiranë, të cilën e kishte themeluar në Selanik më 1909-ën e më vonë në Bukuresht.  Në Tiranë themeloi librarinë “Lumo Skëndo”, ndërsa dy vjet më vonë, në  testamentin e tij shkruante “Çë kam pasuri të tundshme ose të patundshme, libra, mobilla, karta, plaçka etj. i lë për krijimin’ e një "INSTITUT ALBANOLOGJIE" që të jetë një qëndër e studimevet shqipëtare, të mprojë, të shvillojë, të qendrësojë dhe të udhëheq një studimetë që përkasin Shqipërinë dhe Shqipëtarëtë.”

Revista “Diturija” u themelua nga Frashëri, me pseudonimin Lumo Skëndo, menjëherë pas përfundimit të punimeve të Kongresit të Manastirit. Numri i parë doli në Selanik më 1 janar të vitit 1909 dhe qysh në fillim spikati me frymën e thellë kulturore dhe informacionin dituror që do të rrugëtonte së bashku me revistën drejt një enciklopedie të mirëfilltë albanologjike. Pavarësisht mbylljes së saj mbas një viti, Lumo Skëndo e vijoi projektin e tij duke e botuar tri vite me radhë në Tiranë 1926-1929.  Revista “Diturija” mbetet shprehja më e plotë e profilit  intelektual  të Lumo Skëndos.  Në të ai zhvilloi linja të gjera studimore duke ndërtuar korpus të mirëfilltë albanologjik në çështje të historisë, të udhëpërshkrimeve, të dëshmive, të gjuhësisë shqipe e drejtshkrimit, të bibliografisë,  etj. Kjo revistë vjen për lexuesin në botimin anastatik, në prag të kremtimeve të 110 vjetorit të Kongresit të Manastirit.

Më 1939-ën, pas pushtimit italian, i rikthehet veprimtarisë politike. Merr pjesë në Kongresin e Mukjes në gusht  të 1943-shit, por si kundërshtar i Partisë Komuniste, u detyrua që në nëntor të ’44 të largohej drejt Italisë. Më 1949-ën vendoset në Shtetet e Bashkuara dhe gjatë një udhëtimi në Nju Jork, ndërron jetë si pasojë e një sulmi në zemër.Pas gati shtatëdhjetë viteve, edhe pse me shumë vonesë, dëshira e tij e fundit që trupi t’i prehej në Shqipëri, po realizohet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë