Lajme

SHBA merr në dorë Gjykatën e Lartë

Memorandumi i bashkëpunimit i nënshkruar pak ditë më parë mes Ambasadës Amerikane në Tiranë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor për reduktimin e stokut të dosjeve që dergjen prej vitesh në sirtaret e Gjykatës së Lartë i jep USAID-it një rol thelbësor në këtë proces.

Gazeta Si ka siguruar përmbajtjen e marrëveshjes së nënshkruar, sipas të cilës USAID do të mbështesë përmes programit “Drejtësi për të Gjithë” (Justice for All – JfA). Marrëveshja detyron Këshillin e Lartë Gjyqësor që të ngrejë një komision të përkohshëm për hartimin e planit të veprimit për reduktimin e çështjeve të prapambetura dhe rritjen e efikasitetit në Gjykatën e Lartë. Megjithëse Komisioni cilësohet si i përkohshëm, afati i veprimtarisë së tij përcaktohet si “i pacaktuar” nga marrëveshja e nënshkruar.

Përveç kësaj, në pikat dy dhe tre të memorandumit përcaktohet se amerikanët do të kenë në dorë edhe hartimin e përshkrimit të punës për personat që do të emërohen në Gjykatën e Lartë me mision uljen e numri të çështjeve të prapambetura, si dhe në bashkëpunim me Gjykatën e Lartë do të rekrutojnë këta persona përmes një procesi që sanksionohet se duhet të jetë i hapur dhe i bazuar në meritë përmes një konkurrimi transparent.

“Pritshmëria është që njoftimet për vendet e punës të postohen të paktën në burimet mediatike, në faqet e internetit zyrtare të KLGj dhe GjL, si dhe t’u shpërndahen të gjitha gjykatave dhe të përfshijnë një përshkrim të plotë të punës”, thuhet në memorandum.

Kandidatët aplikues do të vlerësohen nga misioni USAID, që më pas do të hartojë një listë me emrat e kualifikuar dhe do të koordinojë intervistat me secilin prej tyre me përfaqësues të programit “Drejtësi për të Gjithë”, KLGj-së dhe Gjykatës së Lartë.

Amerikanët do të kenë në dorë edhe lidhjen e kontratave të punës dhe pagesën për pozicionet përkatëse. Memorandumi përcakton gjithashtu se në rastet kur Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Gjykata e Lartë e kanë të pamundur ofrimin e bazës logjistike për këta persona që do të punësohen aty, kjo do të mundësohet nga USAID.

Misioni i ndërkombëtarëve do të vlerësojë gjithashtu edhe performancën e secilit punonjës përmes takimeve dhe monitorimeve periodike të punës së tyre dhe pas konsultimit me Gjykatën e Lartë dhe me Këshillin e Lartë Gjyqësor të vendosë edhe për shkarkimin e tyre.

Ambasada amerikane në Tiranë njoftoi më 29 prill se ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me Këshillin e Lartë Gjyqësor, përmes të cilit në organikën e kësaj gjykate do të shtohet një trupë juristësh të specializuar që do të ndihmojnë gjykatësit që të shqyrtojnë dhe japin më shpejt vendimet për çështjet në fjalë.

“Ashtu siç mbështetëm fort miratimin e reformës në drejtësi, ashtu mbështesim edhe zbatimin e kësaj reforme. Drejtësia e vonuar është një drejtësi e mohuar. Presim që të shohim një zhbllokim të punës dhe reduktim të dosjeve sa më parë që të jetë e mundur”, deklaroi përmes Tëitter-it ambasada e SHBA në Tiranë.

Aktualisht janë mbi 35 mijë dosje stok në Gjykatën e Lartë, që për muaj me radhë ishte jashtë funksionit, ndërkohë që me numër gjyqtarësh të reduktuar funksionon prej vitesh tashmë. Aktualisht, trupa e gjyqtarëve përbëhet nga Ardian Dvorani, Sokol Sadushi, Ervin Pupe dhe Ilir Panda. Tre të fundit u zgjodhën vetëm në fillim të muajit mars.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë