Ka ndodhur

Megaoperacioni në Shkodër/ Shkon në 33 numri i të arrestuarve. Sekuestrohet drogë, armë e municion

Gazeta Si - Ka shkuar në 33 numri i të arrestuarve gjatë operacionit policor antikanabis "Qarku" në Shkodër, në fazën e gjashtë të tij.

7 persona u arrestuan dhe 5 të tjerë janë shpallur në kërkim si autorë të dyshuar për kryerjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.

Policia ka sekuestruar 77 kilogramë kanabis, një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe një sasi lënde narkotike kokainë, e ndarë në doza, gati për shitje.

S. G., 43 vjeçe, E. P., 19 vjeç, E. P., 42 vjeç, të tre banues në Shkodër dhe M. Ç., 37 vjeç, banues në fshatin Grudë Fushë, Malësi e Madhe.

"Gjatë kontrolleve fizike që shërbimet e Policisë kanë ushtruar ndaj këtyre shtetasve, të cilët ndodheshin në një lokal në lagjen “Fahri Ramadani”, Shkodër, u kanë gjetur dhe sekuestruar lëndë narkotike kanabis dhe kokainë të ndarë në doza, gati për shitje.

Në vijim të kontrolleve, në çantën e shtetasit të arrestuar S. G., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak," njoftoi policia.

Megaoperacioni “Qarku” ka vijuar në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Pergjithshme të Policisë së Shtetit. Si rezultat, janë kapur dhe vënë në pranga shtetasit:

-E. G., 22 vjeç, L. P., 23 vjeç dhe K. F. 30 vjeç, të tre banues në Shkodër.

Këta shtetas u kapën në aksin rrugor “Koman-Vau i Dejës”, teksa transportonin me një automjet tip “Benz”, 15 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

"Nga veprimet hetimore në kuadër të megaoperacionit “Qarku”, për këtë rast, u shpallën në kërkim shtetasit K. P., 24 vjeç dhe V. P., 20 vjeç, pasi rezultuan të përfshirë në veprimtaritë kriminale në fushën e narkotikëve, të goditura gjatë këtij megaoperacioni," njoftoi policia.

Po në vijim të megaoperacionit në Malësi të Madhe, janë shpallur në kërkim edhe 2 shtetas të tjerë, P. A., 31 vjeç dhe D. A., 32 vjeç (vëllezër), të dy banues në fshatin Bardhaj.

Gjatë fazës së parë, në Shkodër, Malësi të Madhe dhe në Pukë u sekuestruan 83 kilogramë kanabis dhe u asgjësuan 101 bimë kanabis. Për këto raste u arrestuan në flagrancë 4 persona, konkretisht L. C., E. T., A. S. dhe Z. D.

Gjatë fazës së dytë u kap një shtetas i shpallur në kërkim, konkretisht shtetasi A. P., me rekorde kriminale, i cili qarkullonte me armë zjarri me vete. Po gjatë kësaj faze u vu në pranga edhe një tjetër person, H. S., i cili qarkullonte me personin në kërkim.

Ndërsa gjatë fazës së tretë, në Vaun e Dejës janë sekuestruar 22 kilogramë kanabis dhe janë vënë në pranga babë e bir, M. N. e K. N., si dhe u shpall në kërkim P. L.

Ndërsa faza e katërt u finalizua me arrestimin e 16 personave dhe një tjetër u shpall në kërkim.

Gjatë fazës së pestë ka shkuar në 26 numri i të arrestuarve në kuadër të megaoperacionit “Qarku”.

Policia bën të ditur se megaoperacioni “Qarku” vijon


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë