Lojëra me Dore

Medvedev thyen mallkimin e finaleve, fiton turneun e parë sezonal

Gazeta Si – Pas 5 humbjesh në finale, numri 1 në botë, Danil Medvedev, arrin më në fund të ngrejë lart një trofe. Rusi ka fituar trofeun e parë Atp të 2022-shit, pasi mundi Kameron Norri në Los Cabos, në Meksikë.

Tenisti 26-vjeçar iu imponua kundërshtarit 7-5 dhe 6-0. Pas 5 finalave radhazi të humbura, ai ka fitur një trofe, që i mungonte që nga Us Open, ku më 29 gusht do të mbrojë titullin.

Deri në atë moment Medvedev do të jetë numri 1 në botë, askush nuk mund ta spostojë nga froni Atp. Rusi nuk ka në plan të ndalet. Në fushat me çimento ai është i aftë të shkatërrojë çdo kundërshtar.

Medvedev nuk humbi asnjë set në turneun meksikan. Pasi u përjashtua nga Uimbëlldoni për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, ai shfaqet si favorit në ‘Rogers Cup’ të Montrealit, ku mungojnë Gjokoviç, Zverev dhe Nadal.

Danil Medvedev. Gazeta Si, 7 gusht 2022

Në Atp 500 të Uashingtonit ka një finale surprizë. Jo shumë për praninë e Nik Kirgios, që e ka fituar turneun në 2019-ën, por për Joshihito Nishioka, numrin 96 në botë. Japonezi befasoi 6-3 dhe 6-4 favoritin Andrei Rublev, kokë serie.

Nishioka nuk fitonte një ndeshje ATP prej marsit të kaluar. Në gjysmëfinalen tjetër, Kirgios mundi 7-6 dhe 6-3 suedezin Mikael Ymer.

Po në Uashington, në 250 për femra, në finale kanë dalë Kaia Kanepi dhe Liudmilla Samsonova. Në San Jose, në Wta 500, finalja do të jetë mes Daria Kasatkinas dhe Shelbi Roxhers.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë