Analize

Mediat turke: Para takimit me Erdogan, Rama vendosi mbylljen e medreseve në Korçë e Kavajë

Para se të takohej me presidentin Erdogan. Kryeministri Edi Rama duket se kishte vendosur mbylljen e tre shkollave të lëvizjes Gylen në Shqipëri. Lajmi i bërë publik sot, i cili vjen pak pas vizitës së kryeministrit shqiptar në Turqi, është bërë i ditur nga agjencia shtetërore e lajmeve turke “Anadolu”.

Në një lajm të publikuar të enjten, pas mesnatës, agjencia shkruan se Këshilli i Ministrave i Shqipërisë ka vendosur mbylljen e veprimtarisë së medresesë “Hafiz Abdullah Zëmblaku” në Korçë (e hapur në vitin 2002), medresesë “Ali Korça” në Kavajë (e hapur në vitin 1996) dhe, siç u bë publike disa ditë më parë, edhe mbylljen e shkollës “Memorial International School of Tirana (MIST)”.

Sipas Ankarasë zyrtare, të tria këto shkolla janë të lidhura me strukturat e organizatës terroriste FETO në Shqipëri. Edhe pse nga qeveria shqiptare nuk ka asnjë reagim, “Anadolu Agency” shkruan se ky vendim do hyjnë në fuqi pas botimit në fletore më 26 shtator. Sipas mediave turke vendimi u mor një ditë pasi ish-ministrja Besa Shahini kishte shpallur largimin dhe para se kryeministri te vizitonte Turqinë.

Gazeta Si u interesua pranë Ministrisë së Arsimit, e cila thotë në një reagim zyrtar se dy medresetë duket se ndoqën të njëjtën rrugë si MIST, duke kërkuar mbylljen e tyre.

“Shkollat kanë kërkuar të mbyllen vetë për arsye ekonimike dhe nxënësit kanë kaluar tanimë në shkolla publike. Dy medresetë do të mbyllen me vendim të Këshillit të Ministrave”, tha Ministria e Arsimit në një deklaratë për “Si”

Rama duket se e “suprizoi” Erdogan me mbylljen e veprimtarisë së institucioneve arsimore private parauniversitare “Memorial International School of Tirana (MIST)”, i cili administrohej nga Shoqëria “Turgut Ozal Education”. Vetë kolegji “Turgut Ozal” iu shit një sipërmarrësi të njohur shqiptar, për t’i shpëtuar mbylljes, si pjesa tjetër e institucioneve arsimore që akuzohen për lidhje me të ashtuquajturit gulenistët.

Sipas Ankarasë, rrjeti i Gylenit, i cili njihet në Turqi si organizata terroriste FETO, ka pasur në pronësi këto shkolla përmes bashkëpunimit mes Fondacionit “Sema”. Që nga përpjekja për grusht shtetit në vitin 2016, Turqia ka ushtruar vazhdimisht presion diplomatik për mbylljen e një sërë institucionesh arsimore.

Në vizitën e tij të fundit në Shqipëri, ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu vizitoi Universitetin e Nju Jorkut, të blerë kohët e fundit nga fondacioni Marif, që njihet për lidhjet e ngushta me qeverinë turke.

Ai i kërkoi edhe njëherë qeverisë shqiptare të ekstradonte të gjithë shtetasit turk të lidhur me klerikun Fetullah Gulen, duke deklaruar se duke u nisur nga ndihma ekonomike e Ankarasë për Tiranën, Turqia pret “që të mbyllen institucionet anti-turke në Shqipëri”.

Edhe pse një sërë kolegjesh dhe universitetesh në Shqipëri ishin nën kontrollin e Fetullah Gulenit, universiteti dhe kolegji më i madh në vend ka kaluar tanimë nën kontrollin e fondacionit Marif. Fondacioni “Maarif” shihet si instrumenti i presidentit Erdogan për të luftuar rrjetin e shkollave që hapte Gülen. Ashtu si e sinjalizoi edhe ministri i Jashtëm turk, nëpërmjet “Maarif”, Erdogan kërkon të luftojë influencën e klerikut, ç’ka tregon qartë qëllimin për përdorimin ideologjik dhe shtrirjen e influencës së Erdoganit në vende si Shqipëria. Nga një vëzhgim i thjeshtë në faqen e “Maarif” bien në sy disa shkolla në Kosovë, Maqedoni, Bosjne-Hercegovinë, në Afrikë, në Azi, por edhe në SHBA. “Maarif” bleu në 2019-ën universitetin e Nju Jorkut në Tiranë, i cili ishte Universiteti i parë privat në Shqipëri. UNYT ka në administrim jo thjeshtë dhe vetëm universitetin, pasi prej kohësh ka ngritur dhe funksionojnë një shkollë 9-vjeçare, si dhe një shkollë e mesme jo publike.

Megjithatë, mbyllja e papritur e dy medreseve në Kavajë dhe Korcë vjen ndërkohë që Shqipëria është në shënjestrën e ndërkombëtarëve për mohimin e azilit politik të dy shtetësave turq që akuzohen për lidhje me Gulen dhe dërgimin e tyre drejt Turqisë.

Një raport i zyrës së Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut në OKB në maj të këtij viti ngrinte shqetësimin se Shqipëria dyshohet të jetë pjesë e një marrëveshjeje sekrete me Turqinë për dorëzimin kundër procedurave ndërkombëtare të atyre që Erdogani i ka shpallur si gylenistë.

Në një tjetër vizitë të ministrit të Brendshëm të Turqisë, Süleyman Soylu në Tiranë, zyrtari turk deklaroi se gjatë takimit me kryeministrin Rama kishi biseduar gjatë për problemin e “terroristëve të Gulen të strehuar në Shqipëri”.

Vetë kryeministri Rama i ka cilësuar gylenistët në një studio televizive si një rrjet të rrezikshëm të cilët Shqipëria i mban nën vëzhgim.

Vendimi fundit i qeverisë shqiptare nuk është ndoshta surprizë për asnjë nga ekspertët e politikës së jashtme, pasi Ankaraja zyrtare i ka kërkuar edhe në rrugë zyrtare e jop zyrtare Ministrisë së Brendshme verifikimin e disa institucioneve jopublike në Shqipëri.

Pjesë e listës që i është përcjellë Ministrisë së Brendshme, përmes ambasadës turke në Tiranë, janë institucione të ndryshme jo publike; si kopshte, shkolla të mesme e universitete, OJF, fondacione të ndryshme, banka të nivelit të dytë apo edhe agjenci informative. Në këtë shkresë, autoritetet turke kërkojnë që të verifikohet aktiviteti i këtyre institucioneve jo publike në Shqipëri, pasi dyshohet se janë ngritur nga kleriku Fetulah Gylen. Shkollat që Turqia kishte piketuar në listën e dy viteve më parë ishin edhe Medresetë në Tiranë, Shkodër, Durrës, Kavajë, Elbasan, Berat dhe Korçë. Turqia kërkon gjithashtu edhe kolegjet turke në Shqipëri, si kopshti “Mehmet Akif”, shkollat fillore dhe te mesme, për djem dhe për vajza, Kolegji “Hasan Riza Pasha” në Shkodër si dhe Kolegjet “Turgut Ozal” në Tiranë dhe Durrës.
Pjesë e kësaj liste ishin gjithashtu edhe :

  • Kolegji Gulistan, Instituti i Edukimit Gulistan si fondacion, qendra e kurseve me emrin “Meridian”.
  • Fonadacioni i edukimit “SEMA”
  • Shkolla në gjuhën angleze, “Memorial International School of Tirana”.
  • Universitetet “Bedër” dhe “EPOKA”.
  • Qendrat kulturore, “Horizontet e Reja” dhe “Drita Islame”.
  • Shtepia botuese Prizmi dhe agjencia informative ALBEU.
  • Banka e nivelit të dytë , “UBA bank” që kryen aktivitetin në Shqipëri

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë