Ngjarje

Mediat britanike: Vdes stjuardesa 24-vjeçare e ‘Air Albania’ sapo avioni u ul në aeroportin Stansted

Një 24-vjeçare, anëtare e ekuipazhit të Air Albania, besohet se ka ndërruar gjatë një fluturimi për në aeroportin Stansted, Britani.

Mediat britanike shkruajnë se shërbimi i Ambulancës së Anglisë ka konfirmuar se dy ambulanca, një automjet i ekipit të reagimit në zona të rrezikshme dhe ambulanca ajrore ishin në gatishmëri kur u raportua se një grua është sëmurë rëndë në bordin e shërbimit në avionin që ishte nisur nga Tirana.

“The Indie” shkruan se avioni u ul në pistë rreth orës 13:00 të mërkurën më 21 dhjetor dhe shërbimi i ambulancës menjëherë e dërgoi viktimën në spitalin Princess Alexandra në Harlow por e reja nuk ka shpëtuar.

"Ne u vumë menjëherë në gatishmëri pasi u njoftuam se një grua ishte ndjerë keq gjatë fluturimit dhe kishte nevojë për ndihmë mjekësore”, tha një zëdhënës i policisë së Essex.

Në lidhje me këtë ngjarje, "Air Albania" ka bërë një reagim në rrjetin social Facebook duke thënë se "më 21 Dhjetor, pasi zbritëm të gjithë udhëtarët e fluturimit drejt Londrës, një nga anëtarët e ekipit të kabinës, Greta Dyrmishi pësoi atak kardiak. Edhe pas të gjithë asistencës mjekësore të ofruar në moment, ne përsëri e humbëm”.

“Në respekt të Gretës dhe familjes së saj, ne vendosëm ta ndajmë lajmin me publikun në momentin më të përshtatshëm”, shkruan "Air Albania".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë