Ngjarje

Media, ndër sektorët më të prekur nga kriza e Covid-19

Ndërsa të gjithë mund të ndjehen të tronditur nga lajmet për koronavirusin e ri, vetë gazetaria po e vuan më shumë shpërthimin e sëmundjes anë e mbanë globit. Vetë gazetarët janë të kufizuar në lëvizjet e tyre, me qasje shumë të kufizuar për të kuptuar ngjarjet, për të folur me zyrtarët dhe rrjedhimisht për të marrë më shumë informacion.
Ndërkohë gazetat e shkruara, po humbasin me shpejtësi të ardhurat nga reklamat pasi kompanitë janë duke shtrënguar sponsorizimet e tyre e kështu gazetaria është e “kërcënuar” në të gjithë botën. Gazetarët po pushohen nga puna, ose po marrin rroga më të ulëta.
"Gjërat do të jenë shumë të vështira për gazetarët", tha Tom Gibson, avokati kryesor i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) në Bruksel.
Ai shtoi se "roli i gazetarit do të jetë kritik" në pandeminë për sigurimin e qasjes në informacion të besueshëm, me cilësi të lartë. Gibson tha se disa elementë që tashmë e vështirësonin punën në gazetari, janë ndërlikuar nga pandemia, siç është të qenit në një sektor të dobët ekonomik, të punosh në kushte të izoluara dhe në disa raste të sulmohesh edhe nga zyrtarët.
"Ata kanë një rol të rëndësishëm, duke u dhënë qytetarëve informacion, duke i shtyrë qeveritë për transparencë në lidhje me masat dhe angazhimet që ata kanë marrë,” shtoi Gibson.

Një shembull nga Danimarka
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen paralajmëroi se tani është më e rëndësishme se kurrë që gazetarët të jenë në gjendje të bëjnë punën e tyre më lirshëm, në mënyrë që të kundërveprojnë me dezinformimin dhe të sigurojnë që qytetarët tanë të kenë qasje në informacione të vërteta. Në terren, pandemia krijon sfida për një model ekonomik tashmë të brishtë për gazetat ashtu si edhe për ndërmarrjet e tjera. Qeveria në Danimarkë deklaroi se do të ndajë rreth 24 milion euro për mediat lokale.
"Skema mund të kompensojë të ardhurat e humbura. Kemi media private, një pjesë të demokracisë sonë lokale, e cila po humbet të ardhurat," tha ministri i kulturës Joy Mogensen.
Gazetat po fitojnë lexuesit e rinj në mënyrë digjitale gjatë pandemisë. Edhe pse Organizata Botërore e Shëndetit tha që gazetat janë më pak të prekurat, botuesit janë duke luftuar të bëjnë të ardhura.
The Guardian raportoi se gazetat në Mbretërinë e Bashkuar kanë parashikuar të humbin 57 milion €, nëse shpërthimi zgjat për tre muaj të tjerë, në të ardhura dixhitale pasi reklamuesit refuzojnë të vendosin reklamat e tyre pranë artikujve për pandeminë, duke e konsideruar atë si përmbajtje të papërshtatshme.
"Ne e kuptojmë se buxheti i marketingut është nën presion të vërtetë tani. E vetmja gjë që kërkojmë është që kur të filloni fushatën tuaj të radhës, të kontrolloni nëse markat e lajmeve janë të besuara,” tha Tracy De Groose, kryetari ekzekutiv i Newsworks.
Rrjetet sociale veçanërisht Facebook dhe Twitter (të cilat shpesh janë të mbushura me informacione të rrezikshme dhe mashtruese në lidhje me virusin), nuk trajtohen në të njëjtën mënyrë nga personat që duan të reklamojnë biznesin e tyre, siç shkruan The Guardian.
Botimet e disa gazetave lokale dhe rajonale mund të falimentojnë për shkak të humbjes së të ardhurave falë krizës. Rupert Murdoch, kryeredaktor në gazetën News Corp, ka treguar se kjo gjë është një prirje globale tashme. Edhe gazeta që ai drejton ka pezulluar botimet e shtypura në Australi.
Gjithashtu, thuhet se të ardhurat nga reklamat e shumë faqeve amerikane në të lajmeve online kanë rënë me 50 për qind. Disa botues amerikanë kanë kërkuar ndërhyrjen e qeverisë.

Censurim
Por problemi nuk janë vetëm kufizime ekonomike. Disa organizata ndërkombëtare për lirinë e shtypit i shkruan një letër Këshillit të Europës me qendër në Strasburg, një mbikëqyrës i të drejtave për të ndihmuar informacionin e lirë dhe të vërtetë, duke treguar se ka qeveri të kriminalizuara, që po kërcënojnë gazetarët. Si shembull ata kanë marrë Hungarinë, ku gazetat dhe gazetarët po kërcënohen për të manipuluar informacionin. Organizatat gjithashtu janë të shqetësuara, për kufizimet e tepërta të medias në komunikimin me ekspertët mjekësore dhe vendimmarrësve.
Letra gjithashtu thekson se mbikëqyrja e kontrolluar dhe e zgjeruar, për të luftuar përhapjen e virusit, "rrezikon privatësinë dhe të drejtat e të dhënave dhe aftësinë e gazetarëve për të mbrojtur burimet". Ata janë gjithashtu të shqetësuar për sulmet dhe abuzimin në internet të gazetarëve që vënë në dyshim përgjigjet e qeverisë.
Reporterët pa kufij një organizatë jofitimprurëse për lirinë e shtypit ka theksuar "se censura nuk është çështje e brendshme gjatë pandemisë".
"Kontrolli i informacionit në një vend të caktuar mund të ketë pasoja në të gjithë planetin dhe ne po vuajmë efektet e kësaj sot" tha sekretari i përgjithshëm i organizatës Christophe Deloire në një deklaratë, duke përmendur se dy nga epiqendrat e infeksionit ishin Kina dhe Irani, ku "media nuk ka qenë në gjendje të përmbushë rolin e saj të informimit të saktë të publikut".
Disa gazetarë ndjehen sikur operojnë në një "zbrazëti", pasi qasja që kanë me informacionin është shumë e largët. Shoqata Ndërkombëtare e Shtypit (API), që përfaqëson gazetarët që mbulojnë institucionet europiane, po bën presion për më shumë akses dhe marrje në pyetje të drejtpërdrejtë të zyrtarëve të komisionit, por deri më tani është refuzuar për arsye teknike.
"Ne kemi më pak mundësi për të folur me zyrtarët," tha Maria Udrescu, korrespondente e BE-së për gazetën belge “La Libre Belgique”, duke shtuar se kjo gjë ua lehtëson politikanëve shmangien e pyetje të pakëndshme./EUobserver/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë