Dosje

Me vilë luksoze në ‘Dubai Hills’, Franc Çopja krimineli i parë i ekstraduar në Belgjikë. Si u fuqizuan në trafikun e drogës 2 vëllezërit nga Elbasani

Gazeta Si – Në fund të vitit të shkuar, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) ekstraduan në Belgjikë narko-trafikantin shqiptar, Franc Çopja alias Franc Gergely, i cili së bashku me vëllain e tij, Hajdar Çopja, dyshohet si porositës i disa vrasjeve, përfshirë atë të Ardit Spahiut në Sint-Jans-Molenbeek në vitin 2020.

Franci dhe Spahiu, të dy nga Elbasani, i përkasin dy klaneve rivale shqiptare, të cilët dyshohet se janë të përfshirë në trafik të gjerë kokaine.

Gergely prej disa vitesh jetonte në Dubai, ku sipas faqes së një agjenti imobiliar, ai ka ndërtuar një vilë në lagjen luksoze “Dubai Hills”, pranë fushës së golfit me të njëjtin emër. Më 14 shtator 2023, 31-vjeçari u arrestua në Abu Dhabi kur tentoi të hynte me një pasaportë false.

Sipas mediave belge, Franci është krimineli i parë që ekstradohet nga Emiratet e Bashkuara që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes mes dy vendeve.

Vëllezërit Çopja, Franci dhe Hajdari, u zbuluan nga autoritetet belge mes bisedave në aplikacionin “Sky” dhe tre dëshmive të bashkëpuntorëve të SPAK, Erjon Alibej, Nuredin Dumani dhe Eljo Bitri.

Pamje nga vila e vëllezërve Çopja në Dubai

Falë tyre, prokurorët e posaçëm realizuan një valë arrestimesh, duke goditur kryesisht anëtarë të grupit që drejtohej nga vëllezërit nga Elbasani, në fushën e trafikut të drogës, të pastrimit të parave, por edhe vrasjeve, porosive për ekzekutime mes rivalësh deri në grabitjen e miliona eurove në Rinas në vitin 2019.

Hetimi i dosjes “Sky ECC” tregoi se shumë figura kryesore në trafikun ndërkombëtar të kokainës kryejnë punët e tyre kriminale nga Emiratet - dhe veçanërisht nga Dubai.

Dy vëllezërit Çopja e nisën aktivitetin e tyre kriminal në vitet 2006 – 2007 fillimisht në Itali, duke shpërndarë sasi të vogla të llojit kokainë.

Me kalimin e viteve u fuqizuan shumë nga shitja dhe trafikimi i drogës, ku nga Italia e shtrinë/zgjeruan aktivitetin e tyre kriminal edhe në vende të tjera të Evropës dhe më gjerë.

Organi i akuzës ka arritur të zbardhë 6 vrasje dhe atentate të kryera në harkun kohor 2018-2020 në Elbasan, Peqin dhe Berat, ku në një prej tyre viktimë mbeti edhe Endrit Alibej, i njohur si kreu i një bande rivale me klanin “Çopja”.

Arjan Spahiu ishte viktima e radhës në përplasjen e ashpër mes dy grupeve kriminal, të drejtuar nga Erjon Alibej dhe nga vëllezrit Çopja, që nisi shumë vite më parë, për humbjen e një sasi prej 50 kg kokainë në Britaninë e Madhe dhe dhunimin e një të riu atje, pasi dyshohej se e kishte grabitur drogën.

Erjon Alibej mori kryesimin e grupit pas masakrës së Bradasheshit në Dhjetor të 2018,  ku humbi jetën vëllait Endrit Alibej, i njohur me nofkën “Tarzani”, xhaxhait të tij Arben Dylgjeri dhe një shtetasi turk.

Ardit Spahiu (majtas) dhe Erion Alibej

Sipas hetuesve të huaj, motivi i vrasjes së Spahiut, me lidhje familjare me Erion Alibejn, është përplasja e grupeve kriminale në vendin tonë.  Në rolin e ekzekutorit dyshohen Florenc Meçe Alias Gega si dhe Elvis Murati.

Dy të dyshuarit janë arrestuar, njëri në Spanjë dhe tjetri në Gjermani, por që ende nuk janë ekstraduar drejt Belgjikës, për arsye të cilat nuk bëhen të ditura.

Arjan Spahiu, i njohur si “Arjani i Vogël”, në lidhje krushqie me Alibej, konsiderohej si financier i grupit, ndërsa ishte duke hetuar për llogari të Erjon Alibej mbi autorët e atentatit mafioz në Bradashesh.

Ndërsa Erjon Alibej është në qeli i dyshuar për dy ngjarje të ndodhura në 2020 në Elbasan.

“Për të zotëruar tregun dhe për të krijuar hegjemoninë e tyre ndaj grupeve të tjera, kjo organizatë kriminale në vitin 2018 filloi eliminimin e kundërshtarëve (nëpërmjet vrasjeve me pagesë), të cilët kishin një rol të rëndësishëm në trafikun e drogës në Evropë dhe më gjerë. Vrasja e trefishtë, ku u vra shtetasi Endrit Alibej, më 29.12.2018, në vendin e quajtur rrethrrotullimi i Bradasheshit në Elbasan, provohet përtej dyshimit të arsyeshëm se është kryer nga kjo organizatë kriminale dhe se qëllimi i kësaj vrasje ka të bëjë me konkurencën për zotërimin e tregut të kokainës. Vrasja e shtetasit Endrit Alibej (eksponent i njohur në trafikimin e kokainës) u pasua me urdhërimin dhe të vrasjeve të disa personave të afërm të shtetasit Endrit Alibej”, thekson SPAK.

Paratë e drogës duket se vëllezërit, Franc dhe Hajdar Çopja i pastronin në Shqipëri duke investuar në ndërtimin e godinave dhe komplekseve të banimit.

Në këtë operacion, vijim i “Plumbi i Artë 1”, janë arrestuar dhe shpallur në kërkim ish-gjyqtarë, punonjës të gjykatës, zyrtarë burgjesh, të cilët ndihmonin dhe favorizonin klanin kriminal të vëllezërve Çopja.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë