Ngjarje

Me targa amerikane/ Si nëpër filma, i riu parkon keq dhe i ikën policisë me makinë nëpër lagje

Nga Gazeta "SI" - Një 43-vjeçar u përplas me policinë e Tiranës mbasi refuzoi veprimet e policisë që tentoi t’i bllokojë makinën e parkuar keq. Shtetasi Z. F sipas burimeve policore të gazeta “SI”, u denoncua nga dy oficerë, me të cilët i riu u përplas teksa ata ishin në shërbim si patrullë e përgjithshme.

“Ne e morëm njoftim me kod 35/15 siç ishim të planëzuar në rrugën e Kavajës për mjete të parkuara keq. Gjatë kësaj kohe ishim duke vendosur gjoba kur konstatuam mjetin Mercedez Benz me targat e Miçiganit, që ishte parkuar në rrugë kalimi për automjetet”,- shprehet efektivi i parë.

Sipas asaj që ai rrëfeu pranë kolegëve për shkak se ishte e pamundur që mjetit t’i vendosej gjobë mbasi ishte me targa të huaja, policët vendosën që të njoftojnë një shërbim të qarkullimit rrugor.

“Pasi ata erdhën rreth orës 15:40 minuta as ata nuk mund t’i vinin gjobë dhe për këtë qëllim u njoftua një karrotrec. Kaloi kohë derisa karrotreci mbërriti në vendngjarje dhe diçka rreth orës 17:00. Pra, mbasi ne qëndruam gati dy orë u afrua një shtetas dhe u prezantua si pronari i makinës”,- shprehet polici X.P për gazetën “SI”.

Në këtë moment qytetari, sipas fashikullit që ju tregua gazetës “SI”, ka hyrë në automjet dhe e ka ndezur pavarësisht se policët i bënë thirrje që mos të kryejë asnjë veprim

“Ndonëse i thamë që nuk duhet të lëvize prej aty, qytetari i dha gaz makinës  dhe duke rrezikuar jetën tonë u largua me shpejtësi  duke hyrë në kompleksin e pallateve’

Ajo që ndodhi më pas ishte e ngjashme me një skenë filmi. Deklarohet se policia ju vu në ndjekje mjetit me targat e Miçiganit, derisa ai u kap nga shërbimet policore.

“U krijua një atmosferë shqetësuese edhe për banorët  dhe u prish rendi dhe qetësia publike me zhurmat e krijuara”,- kallëzon në emër të banorëve, polici i dytë. Por qytetari që përfundoi në komisariat kishte një justifikim të gatshëm:

“Është keqkuptim e gjitha kjo që ndodhi, ata erdhën dhe më prangosën. Realisht ndodhi kështu, unë mora mjetin tim sepse nuk i kuptova çfarë po thoshin dhe u largova dhe kur po shkoja ta parkoja siç duhet ata mbërritën me vrap dhe më hodhën prangat. Pra nuk u largova. Unë jetoj aty dhe po shkoja të ulesha në kafenenë ku qëndroj zakonisht. Ata më kërkuan dokumentat e makinës, ju thashë përse i doni kur unë po iki në shtëpi? Pastaj mbylla derën dhe vazhdova rrugën për në parkim dhe pashë që po më ndiqte policia. Përse po më ndiqte? Ec e merri vesh”, - akuzon nga ana e tij i riu nga Tirana.

“Por kamerat e sigurisë tregojnë se si një grup policësh shfaqen për një kohë të gjatë përpara makinës së parkuar keq. Ata duken qartazi që po presin dhe më pas që flasin në radio derisa një shërbim tjetër mbërrin në vendngjarje. Largimi i shoferit ndodh në mënyrë të befasishme dhe i gjen policët të papërgatitur”, -shpjegon pamjet filmike një oficer, që thotë se i riu me targat e Miçiganit vërtet nuk u konfrontua fizikisht me shërbimet, por ai kundërshtoi policinë e Tiranës duke tentuar të largohej prej aty.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë