Ana e errët

Më tallin online… Zbuloni ata që më përqeshin

Bullizmi, qoftë ai verbal apo fizik, është një nga shqetësimet bashkëkohore të sociologëve dhe psikologëve. Së fundmi fenomeni më iri është edhe bullizmi kibernetik apo virtual, që po përhapet frikshëm kryesisht te të rinjtë gjatë përdorimit të rrjeteve sociale Facebook dhe Instagram. Sipas një studimi në fillim të këtij viti u parashtrua se 20 përqind e fëmijëve dhe adoleshentëve në vend kanë kaluar përvojën e bullizmit. Ndërkohë më herët, në një studim për llogari të Departamentit Amerikan të Edukimit, është kuptuar se bullistët mund të jenë të çdo race, besimi, moshe dhe gjinie. Në një rast pranë Policisë në Tiranë prindërit e një vajze 15-vjeçare u paraqitën me të duke pretenduar se fëmija ishte pre e bullizmit. Sipas tyre, “dikush kishte marrë fjalëkalimin e Facebook-ut të vajzës dhe ndërkohë po ushtronte dhunë psikologjike ndaj saj me statuse që adoleshentja as që i kishte shpërndarë, pasi kishte humbur aksesin në llogarinë Facebook”. Por për policinë kjo çështje ishte e vështirë të adresohej për t’u hetuar si një histori bullizmi, ndaj dhe sygjeroi hetime të mëtejshme për veprën e krimit kibernetik.
Të tjerët guxojnë se ndihen të kanosur nga talljet…
“Jam person që kam vështirësi në të dëgjuar dhe në të folur, shokët më tallin”. Arditi nga Lezha dhe me banim në Tiranë ishte ankuar shpesh tek të njohurit për problemet në shoqëri, por në fund u bind se duhej t’i drejtohej policisë. Kallëzimi i të riut u përpilua dhe u mbajt shënim nga oficeri i policisë Ylli Konesha, i cili ia referoi materialet e mëtejshme Prokurorisë, me vlerësimin se nuk i kishte gjetur personat për të cilët ankohej i riu, viktimë e bullizmit.
Ankesa
Arditi: Po ndjek studimet me korrespodencë, vitin e katërt në shkollën “Kasem Shima”, në Yzberisht. Shkollën e nisa në muajin janar dhe talljet e shokëve në Lezhë na detyruan të lëvizim në Tiranë. Që në fillim të shkollës unë nuk jam ndjerë mirë, sepse shokët nuk më afronin dhe më përqeshnin pasi nuk flas mirë dhe nuk dëgjoj. Ka pasur raste që më kanë fyer dhe me kanë shtyrë. Po ashtu edhe shokët rreth shtëpisë, sa më shohin me aparatura në vesh dhe me syze, më ofendojnë. Për këtë jam ankuar edhe tek kujdestarja dhe tek mësuesja e shkollës. Ato më kanë përkrahur bashkë me psikologen. Por përsëri talljet kanë vazhduar dhe jam ndjerë i përbuzur. Këto probleme i kam pasur edhe në qytetin tim në Lezhë ku banoja. Pavarësisht ndërhyrjeve të mësuesve, ngacmimet kanë vazhduar, madje edhe në autobus nga persona që unë nuk i njoh. U jam afruar t’u mësoj emrat, por i njoh vetëm si fytyra.
Oficeri pyet: Pasi keni vënë në dijeni mësuesen, psikologen, ngacmimet kanë vazhduar?
Arditi: Po, kanë vazhduar, madje në një rast, më ka shoqëruar drejtori që të shmangeshin talljet.
Oficeri: A mund t’i identifikoni nxënësit apo personat jashtë shkollës që ju ngacmojnë dhe që ju kërcënojnë?
Arditi: I njoh si fytyra, por emrat nuk ua di, pasi ata asnjëherë s’më kanë afruar, por si fytyra i njoh.
Oficeri: Ke gjë tjetër për të shtuar?
Arditi: Jo nuk kam asgjë për të shtuar, thëniet e mia janë të vërteta
Por dhuna tek të miturit apo edhe viktimizimi i tyre nga bullizmi është një fenomen që përditë po njeh shtrirje. Tashmë dhuna merr shkas nga ajo që njihet si bullizmi kibernetik. Gazeta “Si” disponon dosje të sherreve mes gjimnazistëve që nisin nga fyerjet e sharjet në rrjetet sociale apo edhe tek mungesa e tolerancës ndaj secilit. Dosja mban numërin 1759. Denoncuesi është nxënës në shkollën “Qazim Turdiu” dhe gjatë zhvillimit të ngjarjes ka shkuar të takojë shokët e tij në shkollën “Qemal Stafa”.
I mituri tregon: “M’u afrua një nxënës me emrin Erik dhe më tha ik prej këtej, se janë disa djem me shkopinj dhe thika që duan të të rrahin. Më vonë m’u afruan disa persona që më godasin me leva hekuri dhe me shkopinj në kokë. Më pas rashë pa ndjenja në tokë”.
I pyetur nga policia denoncuesi shton se një ditë para ngjarjes kishte shkëmbyer mesazhe në Instagram me një djalë të vitit të parë në gjimnaz me të cilin ka pasur konflikt verbal për një paketë cigare.
Kërcënuesi Klaud e pyet: “O bisha, kom marr vesh se ke ardh në Qemal për mua, ka ndonjë problem apo je keqkuptu?”
Por i pyetur për konfliktin, Klaud deklaron se sherri kishte nisur që në dhjetor 2018, pasi kallëzuesi e kishte pyetur “po pin Malboro?”. Nxënësi shton se pas kësaj, kishte mësuar se e kanë kërkuar në shkollë dhe ndaj ai e kishte pyetur në Instagram se përse e kishte kërkuar, por ka marrë përgjigjen nga i dhunuari “flasim”. Madje - sipas Klaud - ai është sulmuar së pari nga denoncuesi dhe madje ka tentuar të mbrohet duke kapur me dorë shkopinjtë e hekurit, por më pas ka pësuar goditje në parakrah.
Nxënësi (Klaud) vazhdon: “Mbas kësaj, kam patur kërcënime në Instagram që më vijnë nga shokët dhe kushëriri i këtij djalit. Më ka shkruar edhe A. vetë dukë më thënë se nuk do ma falë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë