Shendet

Më shumë vdekje nga diabeti se kanceri, 5 mijë raste të reja në vit

14 nëntori është dita botërore e Diabetit, një sëmundje që ka një kosto të lartë shëndetësore, sepse në trupin e njeriut është si një “vrasës i fshehtë” që prek të gjitha organet pak nga pak, duke nisur nga sëmundjet kardiovaskulare, deri tek sëmundje të ndryshme të veshkave. Sipas të dhënave nga Shoqata e Diabetit në Shqipëri, çdo vit kemi rreth 3 deri në 5 mijë raste të reja me diabet, ndërsa në total mund të kemi rreth 100 deri në 120 mijë perona të prekur. Në një deklaratë të Endrikologut Florian Toti, president i shoqatës, rreth 4 përqind e popullatës është pre e diabetit dhe më tepër njerëz po vdesin nga diabeti sesa nga kanceri.

Në kuadër të kësaj dite Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes sociale, ka organizuar një aktivitet në sheshin Skënderbej, për të sensibilizuar popullatën për diabetin. Përfaqësuesit e Ministrisë thanë për gazetën “Si” se gjatë aktivitetit do të bëhet matja e glicemisë për qytetarët.
Ekuilibri i diabetit është shumë i ndjeshëm edhe ndaj emocioneve dhe gjendjes shpirtërore. Ekziston një lidhje e ngushtë funksionale mes sistemit endokrin dhe atij nervor. Qetësia emocionale ndihmon në stabilizimin e glicemisë.
Në të kundërt, shqetësimet, fatkeqësitë, grindjet, ankthi dhe frika, në përgjithësi pasohen nga çlirimi në gjak i adrenalinës dhe kortizoilit, hormone që bllokojnë veprimin e insulinës, duke u bërë shkak për rritjen e glicemisë. Në këtë rast mund të lindë nevoja për të rritur dozën e zakonshme të mjekimit që ju përdorni.

Sipas mjekëve një ndër hapat kryesore për parandalimin e sëmundjes është diagnostikimi sa më i shpejtë. Ata këshillojnë moshat mbi 40 vjeç, ata që kanë të afërm me diabet, personat obesë të kontrollohen vazhdimisht pasi diabeti është një sëmundje e papritur dhe nuk kuptohet lehtë.
“Nëse marrim ushqim më tepër sesa harxhojmë do ta depozitojmë në formën e dhjamit dhe dhjami është ai që i bën rezistencën insulinës dhe që e lodh pankreasin më tepër dhe që e bën që të shpërthejë diabeti tip-2. Duke humbur peshë trupore përmirësojmë punën e organizmit” është shprehur endrikologu Toti në një deklaratë për mediat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë