Gazeta Si – Rreth 1,400 persona rezultojnë të zhdukur pas përmbytjes masive dhe të dhunshme që goditi zonën kufitare të Himalajeve, midis Nepalit dhe rajonit kinez të Tibetit, të mërkurën; nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e më shumë se 800 personave në Nepal dhe mbi 550 të tjerëve në anën tibetiane.
Një masë gjigante uji, akulli, balte dhe shkëmbinjsh përshkoi luginat e Himalajeve në të dyja anët e vargmalit. Numri i konfirmuar i viktimave është 162, një shifër që pritet të rritet më tej.
Përmbytja – e shkaktuar me gjasë nga shkëputja e një cope të madhe akulli prej një akullnaje – ishte e papritur dhe e fuqishme, duke marrë me vete njerëz, ndërtesa dhe rrugë.
This video from Nepal today…
— Open Source Intel (@Osint613) August 26, 2026
The flooding simply sweeps away the bridge and nearby homes. pic.twitter.com/ciVRJE7l6G
Videot nga zonat e prekura tregojnë ura të shkatërruara dhe ndërtesa shumëkatëshe të rrënuara. Objektet në pikën kufitare Gyirong, në anën kineze, u përmbytën plotësisht dhe u goditën rëndë nga rrjedha e vrullshme e ujit dhe mbeturinave. Pamjet tregojnë gjithashtu njerëz që vrapojnë për t’u shpëtuar para se zona të tëra të përmbyteshin.
Vlerësimet për të vdekurit dhe të zhdukurit janë të paplota. Duhet theksuar se, menjëherë pas një ngjarjeje katastrofike të këtij lloji, komunikimi është veçanërisht i vështirë – sidomos në një zonë që është tashmë e largët dhe e izoluar; disa nga personat e regjistruar si të zhdukur mund të jenë individë që nuk kanë pësuar asnjë dëmtim, por që thjesht nuk kanë mundësi të kontaktojnë autoritetet apo familjet e tyre.
Informacioni që vjen nga pala kineze është shumë më i kufizuar për shkak të kontrollit të rreptë që ushtrojnë autoritetet mbi median, veçanërisht lidhur me rajonin e Tibetit, ku Kina prej dekadash është përpjekur të shtypë aspiratat separatiste të popullsisë dhe të marrë nën kontroll udhëheqjen fetare tibetiane.
Disa nga rreth 1.400 personat e zhdukur janë turistë, alpinistë dhe pelegrinë. Përmbytjet ndodhën në një zonë të njohur për ecje dhe alpinizëm në Himalaje, si dhe për itineraret që të çojnë drejt malit Kailash – një majë tibetiane që shërben si vend pelegrinazhi për fe të ndryshme, përfshirë hinduizmin, budizmin, xhainizmin dhe Bön-in, një fe e lashtë tibetiane.
Të paktën 400 turistë rezultojnë të zhdukur në Nepal, përfshirë 130 indianë, 47 amerikanë, 34 australianë, 33 britanikë, 24 kanadezë dhe 19 malajzianë.
Përmbytjet prekën gjithashtu oficerë të policisë kufitare, personel të forcave të rendit dhe punonjës të hidrocentraleve (disa prej të cilëve në pronësi të kompanive nga Koreja e Jugut), si dhe dhjetëra shoferë kamionësh që po udhëtonin përgjatë kufirit në ato momente.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje