Gazeta “Si - Gjatë hetimeve për vrasjen e Bledar Muçës në Anversë (Antwerpen) të Belgjikës, autoritetet lokale kanë zbuluar se ai mbante dy pasaporta: një britanike, me të cilën lëvizte lirshëm në Europë dhe një bullgare, e cila ishte false.
I njohur nga drejtësia shqiptare si “krahu i djathtë” i fisit Çapja në Elbasan dhe i akuzuar, hetuar dhe dënuar për disa ngjarje kriminale, Muça është identifikuar vetëm nga shenjat e gishtave.
Mediat belge raportojnë se ende nuk ka një pistë konkrete, por ajo që dihet është fakti që autorët ishin profesionistë.
Për këtë arsye, policia belge i ka kërkuar informacion palës shqiptare lidhur me veprimtarinë e tij, apo skedën e viktimës në vendin tonë. Hetuesit belg kërkojnë të dinë historikun e ngjarjeve apo problematikave që Muça ka patur në vendin Shqipëri.
Sipas dëshmitarëve okularë, Muça, u ekzekutua në momentin që po kthehej në banesën e tij në qendër të qytetit. 39-vjeçari u përball me një person të armatosur në momentin që doli nga makina, i cili e ekzekutoi me breshëri plumbash.
Sipas një dëshmitari tjetër, vrasësi qëlloi pesë ose gjashtë të shtëna me shpejtësi, dhe më pas u largua me një makinë me ngjyrë të errët me targa të verdha holandeze ose të Luksemburgut.
Bledar Muça është një emër i njohur edhe për policinë shqiptare, pasi është përfshirë në disa ngjarje kriminale ne qytetin e Elbasanit. 39-vjeçari i ka shpëtuar dy atentateve te organizuara ndaj tij.
Muça mbeti i plagosur në atentatin e Shkurtit të vitit 2016, ndërsa u tentua të eliminohet edhe në muajin qershor, po në të njëjtin vit. Ai njihej si bashkëpunëtor i vëllezërve Çapja. Muça e braktisi Elbasanin, duke bërë një jetë mes Anglisë, Holandës dhe Belgjikës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.