Irena Beqiraj

Paketa e ndihmës anti Covid-19: Pse një i papunë do paguhet dyfish dhe një i siguruar mundet që jo

Pagesa e papunësisë nuk duhet kurrsesi të klasifikohet apo të lidhet me biznesin, pasi nuk është ndihmë për biznesin por për individin i cili ka paguar sigurimet, në momentin që del pa punë i takon pagesa e papunësisë

Ida është një mësuese vizatimi me kohë të pjesshme në një shkolle private. Ka paguar rregullisht sigurimet shoqërore. Sot ka dalë e papunë për shkak të pezullimit të mësimit dhe shkurtimit të orëve. Nuk mund të regjistrohet tek të papunët dhe të marrë pagesen e papunësisë 13.000 lek për faktin e thjeshtë që shkolla private ku punon ka deklaruar xhiro mbi 14 milionë lek, duke u klasifikuar kështu biznes i madh.
Ndërkohë shoqja e saj Diana, që ka qenë edukatore kopshti do të paguhet 26,000 pasi punëdhënësi i saj ka deklaruar xhiro vjetore nën 14 milionë lek.
As Ida as Diana nuk vendosin politikat e deklarimit të punëdhënësve të tyre, e as politikat e menaxhimit financiar. Thjesht paguajnë sigurimet dhe të dyja kanë dalë pa punë.
Diana thotë me krenari që punëdhënësi i saj është i zgjuar, pasi deklaron më pak se 14 milionë duke paguar edhe tatim-fitimi 5% në vend të 15% që paguan punëdhënësi i Idës.
“Po”, ia kthej e hidhëruar. Në këto kushte, nëse ka bërë evazion duke u vetdeklaruar biznes i vogël e duke paguar me pak tatim-fitim në shtet, paska bërë një akt nobel për punonjësit e tij, duke marrë më shumë mbështje nga shteti.
Vras mendjen përse të mos merrnin të dyja mësueset pagesën e papunësisë 13,000 lek, por njëra 0 edhe tjetra dyfish? Përsë fëmijët e Idës nuk duhet të kenë as qumshtin as bukën?
Turi në kohë paqeje ka qenë i papune edhe paguhej me pagesë papunësie 13.000 lek. Sot në kohe lufte, meqë buxheti është në krizë, do të marrë 26,000 lek.
Olti është shofer trasporti për fëmijët e shkollës. Punëdhënësi e ka nxjerrë pa punë Oltin, i cili edhe pse i siguruar, vetëm pse punëdhënësi i tij ka xhiron mbi 14 milionë, pra është biznes i madh, sot është në shtëpi me 0 lek të ardhura.
Si në mënyrë naive e pyeta Oltin: Pse nuk merr lejen e zakonshme? Detyroje punëdhënësin tënd të të japë lejen e zakonshme (kështu thonë disa pseudo ekonomistë të cilët besoj këto mendime u vijnë para pasqyrës, duke adhuruar veten, ndërsa lyejnë flokët me brilantinë).
Olti qeshi trishtueshëm e ma ktheu: “E kam marrë një pjesë gjatë pushimeve të dimrit. Punëdhënësi me paguan korrik-gusht po ashtu. Nuk kam çfarë t’i kërkoj”.
Olti e di mirë që paga e tij nuk është vetëm thjesht çështje likujditeti për biznesin e madh ku punon, por më së shumti është çështje menaxhimi kostosh. Bizneset duhet të sigurohen që në kushtet e rënies së të ardhurave të ulin edhe kostot nën nivelin e të ardhurave. Në të kundërt, falimentimi troket. Bizneset padyshim do të përpiqen të mbajnë me pagesa punonjësit që kanë eksperience dhe “know-how”. Por padyshim, me qëllim uljen e kostove, do të shkurtojë vendet e punës më pak të kualifikuara, të cilët për fat të keq janë edhe shtresat me vulnerabël.
Vras mendjen, Turi në kohë paqje merrte 13.000 lek. Në kohë lufte do të marrë 26.000 lek (jam e lumtur për fëmijët e tij). Ndërsa Olti që në kohë paqeje merrte 35.000 lek, sot merr 0 lek. Praktikisht fëmijët e tij, pa qumësht e pa bukë.
Përse të mos merrte edhe Olti edhe Turi nga 13,000 lek?
Vras mendjen të gjej një arsyetim. Akoma nuk e kam gjetur se cila mendje e ndritur ka lidhur pagesën e papunësisë me llojin llojin e biznesit. Pagesa e papunësisë nuk duhet kurrsesi të klasifikohet apo të lidhet me biznesin, pasi nuk është ndihmë për biznesin por për individin i cili ka paguar sigurimet, në momentin që del pa punë i takon pagesa e papunësisë. Nuk kam gjetur asnjë arsyetim bindës, në sqarimet pa sens të ekonomistëve me formim bazë gjuhën angleze, po as tek ekonomistët me formim financiar të cilëve nuk u marr vesh asnjë fjalë tek rrotullojnë fjali pa kuptim.
Ju lutem, më gjeni një arsyetim.

*Ky shkrim është riprodhim i postimit në Facebook nga ish-zv/ministrja e Financave Irena Beqiraj


Copyright © Gazeta “Si”