Gazeta Si – Një 25 vjeçar në Lezhë është gjobitur e shoqëruar në polici, pasi me automjetin e tij u fut në breg të detit në Kune, duke iu rrezikuar jetën pushuesve.
Lajmi u publikua fillimisht në rrjetet sociale, ku dukej një automjet, i cili ishte në breg të detit në Kune-Vain, Lezhë.
Video në të cilën dallohej që një makinë po qarkullonte mes pushuesve, duke iu rrezikuar kështu edhe jetën.
Policia përmes një njoftimi, bën me dije se është bërë i mundur identifikimi dhe ndëshkimi i drejtuesit të mjetit.
60.000 lekë (të reja) ka qenë masa administrative me të cilën është ndëshkuar E. P., 25 vjeç, i cili rezulton banues në Kurbin.
Teksa në mbyllje të komunikatës, policia u bën apel qytetarëve të denoncojnë nëse përballen me raste të tilla.
“U fut me automjet në breg të detit dhe qarkulloi mes pushuesve, duke iu rrezikuar jetën, Policia identifikoi drejtuesin dhe e ndëshkoi me masë administrative 60 000 lekë. Menjëherë pas publikimit në portalin “JOQ” të një video-je në të cilën shfaqet një shtetas duke lëvizur me automjet, përgjatë bregut të detit, në Kune-Vain, Policia Rrugore e Lezhës ka kryer të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale për të nxjerrë përpara përgjegjësisë ligjore këtë shtetas. Si rezultat, u identifikua dhe shoqërua në komisariat, së bashku me automjetin me të cilin shfaqet në video, shtetasi E. P., 25 vjeç, banues në Kurbin. Në përfundim të veprimeve procedurale, ai u ndëshkua me masë administrative 60 000 lekë, për shkelje të neneve 7/12, 99/11, 173/2/h dhe 196/1 të Kodit Rrugor”, thotë Policia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.