Ngjarje

Me letra false në Rinas: Merr fund ëndrra europiane e futbollistit kamerunas

Një 23-vjeçar nga Kameruni dëshironte që t’u bashkohej skuadrave të futbollit në Europë, por ëndërra e tij u ndërpre në Shqipëri. Jean Daniel Boawou u arrestua nga policia teksa po linte Tiranën përmes Rinasit ku edhe ka paraqitur në sportel një kartë franceze false me emrin Christly Yohan. Siç rezulton nga hetimi, 23-vjeçari nga Kameruni, futbollist, do të ndiqte itenerarin Shqipëri-Turqi-Austri. Gazeta “Si” mëson se kur u zbulua, ai tregoi gjithçka.
“Kam ardhur në Tiranë në fillim të janarit”, mësohet të ketë thënë djali nga Kameruni të cilin e citoi një burim i Gazetës “Si”. Viza turistike ishte marrë me afat njëmujor në Ambasadën Shqiptare në Kajro me emrin e tij. I riu, siç pohon agjenti i policisë, qëndroi në Tiranë sëbashku me një person nga Gana dhe një tjetër nga Nigeria. I riu këmbënguli para policisë se kishte ardhur për të luajtur futboll dhe se kartën franceze të identitetit e kishte marrë përmes postës, pasi futbollisti kishte paguar nëpërmjet të atit shumën prej 700 eurosh.
Futbollisti rrëfen: “Tre ditët e para takova si menaxher futbolli një person me emrin Paulin, i cili si fillim na çoi në një hotel në Kavajë e më pas na solli në Tiranë”. Në telefonin e futbollistit policia konfirmon se ka gjetur një numër shqiptar të regjistruar me emrin Mr Paulino. Ndërkohë veç Jean Daniel Boawou, policia arrestoi edhe Jeff Bizzo, i cili kishte siguruar udhëtimin e 23-vjeçarit në Shqipëri, ndërkohë që një shtetas tjetër me emrin Delon Mekenze është personi që do ta priste futbollistin në Austri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë